Edhe Austria dëshiron t’i dërgojë të burgosurit në Kosovë – hidhen disa dyshime, kërkohet të merret parasysh kërkesa e Danimarkës!

Politika

Edhe Austria dëshiron t’i dërgojë të burgosurit në Kosovë – hidhen disa dyshime, kërkohet të merret parasysh kërkesa e Danimarkës!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 maj 2024 Në ora: 14:17
Foto ilustrim

 

Më 27 prill të vitit 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan që në Kosovë të vijnë 300 të burgosur nga Danimarka, pasi ky shtet po tenton që të reduktojë mbipopullimin e burgjeve.

Atë kohë Ministria e Drejtësisë së Danimarkës kishte konfirmuar se marrëveshja me Kosovën për burgjet është ende në fuqi.

Për këtë Kosova pritje të përfitonte 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme. E po ashtu sipas Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në atë kohë kishin thënë se “të dënuarit, të cilët do të transferohen [nga Danimarka] në Kosovë, nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë”.

Por, kjo çështje nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka menduar edhe Austria. Kështu njoftoi Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner, i cili të hënën mori pjesë në një konferencë për migracionin në Kopenhagë, diskutoi këtë ide me ministrin danez të drejtësisë Peter Hummelgaard.

“Objeksionet e paraburgimit si ato të planifikuara nga Danimarka në Kosovë janë gjithashtu pjesë e planit austriak të kancelarit federal Karl Nehammer,” tha më pas Karner.

Bajraktari: Hyrja eventuale në procese negociuese me ndonjë vend tjetër nuk do të duhej të ndodhte pa përfunduar ajo me Danimarkën

Image
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se së pari duhet të përfundohet marrëveshja me shtetin danez e cila nuk ka kaluar në Kuvend, nuk ka marrë votat e duhura.

Sipas tij, hyrja eventuale në procese negociuese me ndonjë vend tjetër nuk do të duhej të ndodhte pa përfunduar ajo me Danimarkën dhe që duhej të vlerësohej se a do të jetë zgjedhje e duhur apo jo.

“Sa i përket çështjes së interesimit të vendeve të Bashkimit Evropian rreth mundësisë së marrjes së ndonjë qendre tjetër korrektuese për shfrytëzim, nga ana e Kosovës, pavarësisht se janë apo jo shtetas të vendeve të BE-së, është një dëshmi se sa i përket kushteve nëpër qendrat korrektuese si dhe qendrat e paraburgimit në vendin tonë, ato janë në nivel të mirë dhe në pajtim me standardet, këtë gjë e kanë konstatuar edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare.

Megjithatë vlerësoj se në këtë fazë mjaftueshëm do të ishte procedimi me shtetin danez, gjë e cila sikurse kemi qenë dëshmitar nga debati dhe diskutimi në Kuvend, e njëjta ende nuk ka marrë votat e nevojshme, prej 80 sosh sa kërkohen për ratifikimin e marrëveshjeve të tilla.

Andaj, vlerësoj se hyrja eventuale në procese negociuese me ndonjë vend tjetër, kushdo qoftë ai vend, në këtë fazë nuk do të duhej të ndodhte, ngase fillimisht duhet përfunduar marrëveshja me Danimarkën, dhe të njëjtës t’i jepet hapësirë, dhe të vlerësohet nëse ishte apo jo zgjedhje e duhur”, deklaron ai.

Burjani: Vendi nuk mund të shërbej për të marrë të burgosur për të cilët thuhet vijnë nga vendet e ndryshme

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, potencon se Kosova nuk ka qëndrim të qartë për këtë çështje.

Ai dyshon se po të bëhet kjo praktik kërkesat mundë të shtohen për të burgosur edhe nga shtetet e tjera.

“Kapacitete burgjet në Kosovë kanë, por jo edhe numër të madh të burgosurve të shteteve tjera. Kosova nuk ka qëndrim të qartë se a dëshiron të marrë të burgosur për të mbajt në burgjet kosovare a jo?

Kosova duhet të ketë një qëndrim të arsyeshëm dhe të ketë limite, vendi nuk mund të shërbej për të marrë të burgosur për të cilët thuhet vijnë nga vendet e ndryshme, pra politikat qeveritare duhet të jenë të qarta pse ne duhet të marrim të burgosur nga vendet tjera për të mbajt në Kosovë.

Kërkesat mund të shtohen nëse veç bëhet praktik që Kosova të pajtohet në vazhdimësi të mban të burgosur në burgjet e saj”, thekson Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat