Pranimi i Asociacionit/ Komentohet një mundësi e tillë – ja për çfarë paralajmërohet qeveria Kurti!

Politika

Pranimi i Asociacionit/ Komentohet një mundësi e tillë – ja për çfarë paralajmërohet qeveria Kurti!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 maj 2024 Në ora: 21:09
Ilustrim

Asociacioni është një nga temat më të përfolura për vendin tonë.

Një Asociacion në dëm të Kosovës nuk e pranon qeveria, mirëpo një trysni ndërkombëtare për ta pranuar po vazhdon të jetë prezente.

Së fundmim ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e la të hapur mundësinë e ndryshimit të agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për takimin që do të mbahet më 17 maj.

Megjithatë, ambasadori gjerman thotë se Kosova sa më shpejt duhet të marrë një vendim, duke aluduar në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka dalë si kusht i fundit.

“Agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova merr një vendim të guximshëm, aq më realiste do jenë 2/3 e shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës!”, shkroi Rohde.

E bazuar në rrethanat aktuale politike, a mund të bëhet ndonjë hapë sa i përket Asociacionit?

Batusha: Të jetë një draft zyrtar pastaj flasim për hapat e mëtejshëm

Image
Agon Batusha

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha.

Ai tha se një draft staut i prezantuar për Asociacionin është i padrejtë dhe anti-demokratik dhe se së pari duhet të bëhet ky draft zyrtar pastaj të bisedohet.

“I padrejtë, anti-demokratik dhe i dëmshem. Draft statuti i presupozuar duhet së pari të bëhet draft zyrtar sepse nuk është i tillë. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë apo autorësinë e hartimit dhe sponzorizimit të tij. Qeveria duhet ta sjellë në Kuvend dokumentin që përfaqësuesit e popullit dhe organi më i lartë i shtetit të jetë në dijeni për të dhe të diskutojnë. Më pas mund të flasim për hapa tutje”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti theksoi që çdo kushtëzim që kapërcen hapat e lartë përmendur për këtë çështje është absurd.

“Çdo kushtëzim që kapërcen hapat e lartë përmendur për këtë çështje është absurd. Vet kushtëzimi si i tillë është absurd, sidomos kur kjo çështje është hedhur poshtë në Asamblenë Parlamentare të KiE dhe tani kemi një raport të miratuar për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, foli deputeti Batusha për “Bota sot”.

Ahmeti: Shteti i Kosovës nuk e ka luksin të vazhdoj me kompromise

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti thotë që Kosova nuk duhet të diskutoj një Asociacion që dëmton shtetësinë e vendit.

Për disa çështje të natyrës së shtetësisë, kushtetushmërisë, ligjshmërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Kosova është shtet i pavarur me legjitimitet dhe legalitet ndërkombëtar. Qeveria e cila ka buru nga vullneti i popullit duhet t’i përgjigjet popullit, pasi legjitimiteti i popullit nuk i jep garanci në aventura të tilla për të kontestuar shtetësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Në fund, ai shtoi që qeveria Kurti duhet të jetë vigjilente në këtë drejtim, pasi çdo lëshim që bëhet nuk mund, por as nuk duhet të arsyetohet.

“Shteti i Kosovës nuk e ka luksin të vazhdoj me kompromise, pasi mjaft ka bërë kompromise të dhimbshme të cilat po i kushtojnë dita ditës. Prandaj, qeveria Kurti duhet të jetë vigjilente në këtë drejtim, pasi çdo lëshim që bëhet nuk mund, por as nuk duhet të arsyetohet. Në raste të tilla kur dëmtohet substancë e shtetësisë, qëllimi nuk arsyeton mjetin. Qeveria Kurti në kontratën me votuesit është deklaruar se do të punoj me përkushtim e seriozitet duke mbrojtur shtetësinë e Kosovës e duke ju bërë ballë presioneve nga kushdo që vijnë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat