Ftesa e Shqipërisë për Serbinë ‘shokoi’ të gjithë, pse nuk u përfill Kosova dhe kush investoi në këtë vendim?

Politika

Ftesa e Shqipërisë për Serbinë ‘shokoi’ të gjithë, pse nuk u përfill Kosova dhe kush investoi në këtë vendim?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 maj 2024 Në ora: 10:07
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Së fundi, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia po kërkojnë zyrtarisht që së bashku të organizojnë Kampionatin Evropian 2027 për U-21.

Duka, personalisht theksoi se Shqipëria dhe Serbia kërkojnë zyrtarisht të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian për 21 vjeçarët.

“Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbi në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe Serbi”, ka thënë fillimisht Duka.

Kërkesa e përbashkët është dorëzuar në UEFA dhe pritet së shpejti të marrë përgjigje.

Kjo gjë, ka nxitur reagime të mëdha në opionionin publik, pasi kjo kërkesë erdhi në kohën kur Serbia në vazhdimësi po provokon dhe kërcënon Kosovën.

Siç duket, kjo nuk përbën ndonjë shqetësim për Shqipërinë, pasi për interesa, qoftë ‘sportive’ apo financiare, po tejkalon interesin kombëtar dhe nuk e përfill Kosovën.

E pse erdhi ky vendim i tillë dhe çfarë mund të pritet në vazhdim, treguan Milaim Nela dhe Muhamet Kelmendi.

Nela: A e njeh FSHF – Kosovën e pavarur?

E për këtë çështje, ka folur për “Bota sot” publicsiti Milaim Nela.

Së pari, tha se kërksa e FSHF-së është një goditje dhe autogol i pashembullt i Armando Dukes ndaj atyre qe e duan futbollin dhe mbështesin skuadrat shqiptare.

Image
Milaim Nela

“Sporti i futbollit kishte ngelur ishulli i fundit ku shqiptarët bashkoheshin rreth ngjyrave kuq e zi për të mbështetur KOMBËTAREN shqiptare të futbollit!

Por kjo deri ditën kur u publikua lajmi se Armando Duka në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit i ka paraqitur UEFA-s kandidaturën e përbashkët të Serbisë dhe Shqipërisë për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian të U21.

Duke patur parasysh qëndrimin e autoriteteve të Serbisë ndaj ngjyrave kuqezi, shqiptarëve në përgjithësi dhe në veçanti ndaj bashkëkombasve tanë në Kosovë e viset e tjera shqiptare ku akoma nuk është tharë gjaku i derdhur në luftën e fundit kjo është një goditje dhe autogol i pashembullt i Armando Dukes ndaj atyre qe e duan futbollin dhe mbështesin skuadrat shqiptare kudo dhe kurdo kur luajnë në ngjyrat kuq e zi!” – deklaroi ai.

Po ashtu, Nela vlerësoi se është një goditje e rëndë për të gjithë ata futbollistë të trojeve shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë.

“Unë personalisht dhe besoj edhe shumica e shqiptareve që e duan vendin akoma nuk ja kemi falur Armando Dukës fyrjen që i bëri shqiptarëve duke rënë dakord ta dërgojë skuadrën kombëtare të futbollit të luajë në Beograd në vitin 2014 të zhveshur nga simbolet kombëtare!

Një akt ky i pashembullt që nuk ka ndodhur me asnjë ekip tjetër ne Europë apo në botë!

Për këtë akt Duka duhej të ishte proceduar penalisht dhe dënuar për tradhëti kombëtare!

Akti më i fundit i Armando Dukës është një goditje e rëndë, e pabesë dhe mbas shpine për të gjithë ata futbollistë të trojeve shqiptare jashte kufirit administrativ të Shqipërisë që luajnë për ngjyrat kuq e zi!”

Në vazhdim, publicisti potencoi faktin se ky vendim i Dukës erdhi në kohën kur Kosova po sulmohet dhe propagandohet më së shumti nga Serbia.

“Akti i Armand Dukës për të propozuar vend organizator Serbinë bashkë me Shqiperinë është fyrje për të gjithë sportadashësit shqiptarë që sakrifikojnë dhe e ndjekin kombëtaren shqiptare kudo nëpër botë.

Ky propozim i Dukës bëhet në kohën kur Serbia ka angazhuar të gjithë artilerinë e saj diplomatike brenda dhe jashtë vendit të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe kundër shtetësisë e pavarësisë së saj!”, theksoi ai.

Më tej, Nela këtë e ndërlidhi edhe me votimin në KiE për anëtarësimin e Kosovës.

Derisa, radhiti edhe disa pytje për dyshimet e tij.

“Me gjestin e Armando Dukës Serbia ju thotë vendeve që janë në dilemë të votimit pro Kosovës ose jo se ja shikojeni ne nuk kemi probleme me Shqipërinë por vetëm me seperatistet dhe irredentistet në Prishtinë që ajo i quan shiftari.

Çfarë e pengonte Armando Dukën të propozonte si kandidatë të organizmit të finaleve të këtij Europiani Shqiperinë, Kosovën, e Maqedoninë e Veriut pasi janë të gjitha anëtarë e UEFAs dhe i kanë mundësitë dhe kapacitetet për organizimin e nje aktiviteti të tillë?

A është investuar fort në këtë vendim vëllai shpirtëror i Aleksandar Vuçiçit - Edvin Rama?

A po i paraprin ky integrim sportiv një integrimi më të madh politik të Shqipërisë nën Serbi? A është kjo një hap i kalkuluar për vazhdimësinë e projektit famëkeq serb të Ballkanit të Hapur?” – shpjegoi publicisti.

Ndër të tjera, ai shtoi se me këtë kërkesë Duka duhe të japë dorëheqje nga pozita e tij, ose ta tërheq propozimin e tij.

“Ne kemi parë edhe organizime të tjera të mëparshme sportive të disa shteteve fqinje por në çdo rast ato kanë patur vazhdimësi territoriale e gjeografike! Duka në këtë rast anashkalon shtetet fqinje dhe hidhet në Serbi!

Me këtë akt Duka ju thotë të huajve se Serbia është shtet fqinj dhe ka vazhdimësi territoriale me Shqipërinë rrjedhimisht Kosova nuk është entitet i pavarur por pjesë e Serbisë.

Ky gjest i Armando Dukës në prag të finaleve të Kampinatit Europian të Futbollit në Gjermani është një goditje e rëndë si për sportdashësit ashtu edhe për futbollistët tanë që japin jetën për fanellën kuq e zi!

Ky gjest ju jep të drejtën e Zotit futbollistëve shqiptarë ta braktisin kombëtaren në shenjë proteste ndaj këtij akti tepër fyes!

Armando Duka duhet të japë dorëheqje të parevokueshme nga posti i presidentit të FSHF-së ose duhet të tërheqi propozimin duke ju kërkuar falje shqiptarëve!”- përfundoi Milaim Nela për “Bota sot”.

Kelmendi: Shqipëria nuk duhet të bashkëpunojë me Serbinë për organizimin e Kampionatit të Futbollit në Evropë për U21

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi potencoi se kërkesa e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë për organizim të Kampionatit Evropian U21, ka tejkaluar interesat nacionale.

Krahas kësaj, potencoi se shteti serb vazhdon ta luftojë hapur Kosovën.

“Kandidimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, që së bashku me Serbinë, të jenë organizatore të Kampionatit Evropian për grupmoshat U 21, i tejkalon interesat nacionale dhe shndërrohet kryesisht në interesa të natyrës sportive, madje edhe financiare.

Serbia nuk e ka lejuar Republikën Serbe në Bosnjë e Hercegovinë që ta njohë Republikën e Kosovës.

Ky subjekt juridiko-politik serb i lidhur ngushtë dhe si vartës i Beogradit ka kundërshtuar njohjen e Kosovës si shtet dhe hapur e lufton Republikën e Kosovës.

Është Serbia që vendos edhe për Republikën Serbe.

Serbia e konsideron Kosovën tokë serbe. Edhe Republika Serbe e Bosnjes e Hercegovinës e mbron atë ideologji. Për të dy këto shtete Kosova është tokë serbe”, nënvizoi profesori.

Gjithashtu, Kelmendi përmendi dy drejtimet që mund të vlerësohet ky vendim, një prej tyre është anashkalimi i çështjes kombëtare dhe bashkëpunon me shtetin serbin.

“Në anën tjetër, është shteti shqiptar, Shqipëria, ku në shumë fusha bashkëpunon me Serbinë.

Tash edhe Federata e Futbollit Shqiptar doli së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë në kandidim për organizimin e Kampionatit Evropian për grupmoshat U21.

Ky vendim mund të shikohet në dy drejtime:

1. Si vendim që Shqipëria për interesa të ngushta po e lë anash çështjen kombëtare dhe po bashkëpunon me Serbinë për interesa të futbollit ose të financave.

2. Është vendim i drejtë në fushën e sportit, jashtë interesave nacionale apo shtetërore.

Thjeshtë: Çështje e sportit”, nënvizoi ai.

Në fund, profesori shtoi se ky akt është i papranueshëm, pasi vjen në kohën kur Kosova po sulmohet dhe provokohet nga Beogradi.

“Sidoqoftë, për kohën që po e kalojmë, atëherë kur shteti serb hapur po e sulmon Kosovën, duke u përgatitur për luftë me Kosovën, ky akt është i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm.

Është akt i shpejtuar dhe lë një përshtypje të dëmshme në raportet e shtetit shqiptar me Kosovën dhe me popullin shqiptar.

Tirana kërkohet mos të futet në lidhje të tilla sa kohë që Serbia sillet ashpër dhe kërcënon me luftë.

Kosova dhe Serbia janë në raporte të rënda. Serbia nuk e ka lejuar Republikën Serbe të njohë Kosovën shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës. Po kështu, po vepron kudo në botë, si në anëtarësim e Kosovës në organizata, ashtu edhe pranë shteteve, për njohje të Republikës.

Po e lufton Republikën e Kosovës, asnjë bashkëpunim nuk është.

Ndërsa, Shqipëria, menzi pret të bashkëpunoj me Serbinë, pavarësisht gjendjes aktuale e dëmeve të mëdha që i ka bërë Serbia shqiptarëve në luftën e fundit dhe tash, duke kërcënuar me agresion.

Madje, po organizon edhe aksione terroriste kundër Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat