“Vrasjet serike politike, hajnia…!”, veprimtari nga Gjermania ‘godet’ opozitën: Ja çfarë akuzash rëndojnë mbi këto parti!

Politika

“Vrasjet serike politike, hajnia…!”, veprimtari nga Gjermania ‘godet’ opozitën: Ja çfarë akuzash rëndojnë mbi këto parti!

Nga: A.M. Më: 12 maj 2024 Në ora: 12:22
Kuvendi i Kosovës

U përfolën shumë, por që tani duket se kërkesa e pozitës për zgjedhje të parakohshme është zbehur.

 Ishte një hov i madh, me thirrje të shumta për rrëzim të qeverisë Kurti dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshm.

Një gjë e tillë, ra në ‘heshtje’ dhe nuk po përfliten më zgjedhjet.

E në lidhje me këtë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti dhe veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Së pari, u shpreh se opozitën po e mundon fakti që LVV vazhdon të ketë mbështetje të madhe, derisa tha se ajo është pjesë e fajësisë, deri në tradhti kombëtare.

“Përballja e partive opozitare me LVV është e mundimshme, sepse ajo vazhdon ta këtë përkrahjen, pothuajse, plebishitare të qytetarëve të Kosovës. Dhe, shpjegimi i këtij realiteti, është qartësisht i kuptueshëm. Opozita aktuale është pjesë e fajësisë, deri në tradhti kombëtare, , që nga vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës dhe mashtrimi i  Hashimit dhe Kadriut se "do t`u kthejmë së shpejti në shtëpitë tuaja", plani i Ahtisarit, 6 pikëshi i Baki Munit, "pronat" e Manastirit të Deçanit, Asociacionit, Demarkacionit, emërimi i agjentit Hashim Thaçi president dhe pisllëqeve tjera, të cilat vazhdojnë të jenë "Shpatë e Demokleut" në qafën e kryeministrit Albin Kurti, respektivisht, Kosovës”, deklaroi publicisti.

Po ashtu, Zeqiraj përmendi edhe disa akuza të rënda që rëndojnë mbi partitë e PAN-it.

Image
Idriz Zeqiraj.

“Ndaj partive opozitare të PAN-it rëndojnë akuza të rënda: sabotimin e fondeve për luftën dhe vetë luftën, duke mos e futur "UÇK-në" e LPK-së në luftën e Kosovës; vrasjet serike politike; hajnia zyrtare industriale; haraçi galopant; përpjekja për ta përvetësuar luftën e pabërë dhe deri ke përçarja kriminale e popullit të Kosovës! Këto parti-banda, në kushte paqeje, duhet të fillonin rehabilitimin e tyre, duke denoncuar dhe dënuar kriminelët masiv në radhët e tyre, ta bënin reformimin e thellë. Dhe, nëse do të hasnin në pengesa nga bandat partiake, t`i shpallnin të paligjshme ato parti, duke krijuar parti të reja me anëtarësinë e painkriminuar. Ndërkohë, LDK-ja ka nismuar reformat partiake, gjë që i jep parësi në konkurrencën zgjedhore”.

Më tej, publicisti vlerësoi se partitë opozitare nuk kanë kauzë, derisa përmendi dëmet që ia kanë shkaktuar sa ishin në qeverisje.

“Realisht, opozita nuk po dëshmon kauzë të qartë. ose po i mungon fare. Kjo ka rrënuar ekonomikisht Kosovën. Asgjë nuk ka bërë për zhvillimin ekonomik; për sistemin shëndetësor; arsimin - si bazë reale për ta zhvilluar shoqërinë, shtetin. Ka rrënuar Sistemin e Drejtësisë, duke e politizuar dhe kapur nga Hashimi dhe Ramushi, respektivisht nga PDK-ja dhe AAK-ja. Këtë e dëshmon edhe "Vettingu" i aprovuar në Kuvend, por i bllokuar në praktikë nga banda e PAN-it, nga frika e drejtësisë, për krimet, tashmë, të kryera!”.

Ndër të tjera, tha se këto parti e kanë dorëzuar veriun e Kosovës, derisa përmendi edhe bashkëpunimet me Listën Serbe.

“Politikisht ka relativizuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës të Kosovës, duke e dorëzuar veriun e Kosovës Serbisë, nën shantazhimin dhe kërcënimin me dosje kriminale të disa komandantëve eminentë. Makro-kontrabanda e zyrtarëve dhe e komandantëve të Kosovës, me bandat e Radoijiçiqit, konsolidoi pushtetin e "Lista Serbe" në veriun e Mitrovicës. Opozita serbe në Kosovë, akuzon krerët e partive të PAN-it, ngaqë forcuan ekonomikisht "Listën Serbe", përmes kontrabandës legale dhe e ndihmuan politikisht, për ta bojkotuar e zhbërë opozitën serbe në Kosovë, krejt njësoj si Edvin Rama, i cili eliminoi politikisht opozitën demokratike në Shqipëri, me ndihmën e ndërkombëtarëve, të kryesuar nga ambasadorja kinezo-amerikane Kim. Për rrënimin e opozitës serbe në Kosovë, e thonë dhe e përsërisin intelektualët veprimtarë serbë, në mes tyre edhe gazetari i mirënjohur serb, me seli në veriun e Mitrovicës, Mirosllav Kërstiç me shokë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat