Bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova të shqetësuar për gjendjen në LDK: Nëse do fitore në zgjedhje, le të ndjekë këta hapa

Politika

Bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova të shqetësuar për gjendjen në LDK: Nëse do fitore në zgjedhje, le të ndjekë këta hapa

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 13 maj 2024 Në ora: 08:06
Lidhja Demokratike e Kosovës

Zgjedhjet e fundit në Kosovë (14 shkurt 2021), i dhanë një ‘goditje’ të fortë Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e vendosur si parti e tretë për nga renditja e votave. Si shkak i kësaj, kryetari i kësaj partie, aso kohe Isa Mustafa dha dorëheqje për të bërë reforma në këtë parti. Vendin e tij e zuri Lumir Abdixhiku, mirëpo reformat e mirëfillta brenda partisë së presidentit historik dr. Ibrahim Rugova nuk po e gjenin rrugën e suksesit.

Kjo parti vazhdon të mbetet në opozitë që nga zgjedhjet e fundit, mirëpo rezultati që mund të marr në zgjedhjet e reja, ka shqetësuar bashkëpunëtorët e themeltarit të kësaj partie, Presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe gjithë votuesve dhe përkrahësve besnik të saj. Pikërisht për arsyen se kërkohen reforma të thella dhe rikthimin e figurave rugoviste të kësaj partie.

Pra cila është gjendja aktuale në LDK aktualisht dhe cilat janë parashikimet për rezultatin e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme?

“Bota sot” ka pyetur bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova dhe anëtarë të kësaj partie, se sa penalizohet kjo parti nga fakti se nuk ka në udhëheqjen e saj rugovistë të vërtetë, kur dihet që shumica e kryesisë aktuale janë të ardhur viteve të fundit në LDK?

Zogaj: Janë realizuar parashikimet e kundërshtarëve të LDK-së

Image
Skender Zogaj

Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Skender Zogaj, që ishte po ashtu, njëri ndër nisjatorët e formimit të LDK-së dhe kryetar i parë i Degës së parë të LDK-së në terren, ka folur për gjendjen aktuale të kësaj partie.

Zogaj thotë se, për fatin e keq të LDK-së, janë realizuar parashikimet e kundërshtarëve të saj, të cilët thoshin se, me vdekjen e liderit dr. Ibrahim Rugova, do të ndodhte zbehja e reputacionit partiak dhe, partia e parë demokratike në gjithë bllokun komunist të Ballkanit, nuk do të ishte ajo flamurtarja rugoviane, me 700 mijë anëtarë idealistë, unikë dhe fitimtarë.

Mirëpo, ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte, hyri hilja dhe ndodhi shthurja, një infektim vërtetë i pamerituar dhe për çudi, nga ambiciet e dobëta të individëve karrieristë, që për interesa të ngushta personale, pak nga pak i këputën hallkat e një partie serioze, duke i anashkaluar themeluesit dhe  militantët rugovian dhe duke i zëvendësuar me sehirxhi dhe intrigantë që, si polipë me lajka e mashtrime iu qepën strukturave partiake nga baza e deri në Kryesinë Qendrore! Kjo ndodhi në emër të reformimit, e në fakt u realizua deformimi partiak, sepse, u mënjanuan me përbuzje figurat më të devotshme të LDK-së (edhe më emblematikët si Eqrem Kryeziu, Melihate Tërmkolli, Rexhep Gjergji, Sabri Hamiti,  Anton Kola, Zejnullah Rrahmani, Halim Shemsedini, Fetah Berisha, etj.etj.) dhe në emër të kinse përtëritjes u sollën ca teveqelë e lauresha, pa zgjedhje por me lista të sajuara nga individë të përzgjedhur nga grupet e interesit! Kështu ka ndodhur që nga koha e Fatmir Sejdiut, për të kulmuar aktualisht, kur, pjesa dërmuese e  degëve të LDK-së në Kosovë nuk e realizon funksionin strukturor partiak por, janë sajesa të shpifura, me udhëheqje selektive”, vlerëson ai.

Ai në këtë rast thotë se, në Fushë Kosovë, ‘në krye të Degës është importuar personi më i pa merituar partiak, jashtë vullnetit të anëtarësisë, por me puç të organizuar për interesa të individëve të inkriminuar që tentojnë të fshihen prapa LDK-së’.

Dhe për çudi, Kryesia Qendrore, jo vetëm që hesht, por me automatizëm e pranon në radhët e veta. Ky nuk është rasti i vetëm, ka pasur dhe po vazhdon kjo lojë shumë e dëmshme që, LDK-ja nuk është dashur ta pranojë! Zoti Abdixhiku e kishte premtuar reformën partiake, e cila nuk ndodhi, përkundrazi e përligji gjendjen ekzistuese me "Rrugën e re" e cila, në fakt është devijim i rugovizmit, sepse është hera e tretë që ndodh kështu, dhe, përvoja ka treguar se, e ka pësuar rëndë LDK-ja. Askush nuk është kundër ardhjeve të reja, por jo ardhje të dëshmuara si anti-ldk-iste të përbetuara që me vite e kanë sulmuar me urrejtje! Edhe rikthimi i ca pleqve,  që në të kaluarën janë treguar kamuflatorë dhe si të tillë kanë qenë të vet-përjashtuar nga partia, është shumë sinjifikative dhe dëshmi se, tendenca anti - rugoviane është e pranishme brenda strukturave partiake”, thekson Zogaj për “Bota sot”.

Zogaj: Reforma duhet bë në të gjitha nivelet, menjëherë

Ai thotë se nga e gjithë kjo, LDK-ja aktualisht është në gjendje të pa - lakmueshme, madje shumë të pa-lakmueshme, sepse, si e këtillë nuk paraqet vlerën e cila i duhet Kosovës.

Kështu siç është aktualisht, në zgjedhjet e ardhshme, ruajtja e vendit të tretë, do të ishte sukses i lakmueshëm. Prandaj, si militant i LDK-s, do të dëshiroja që Qendra Partiake të shkundet guximshëm dhe të kuptojë se, LDK është parti e standardeve të demokracisë moderne, me anëtarësi që përfillë rregullat e votës demokratike të anëtarësisë dhe që nuk bie pre e kalkulimeve të pshtirosura! Reforma duhet bë në të gjitha nivelet, menjëherë”, vlerëson ai.

Tahiraj: Sikur të mbahen zgjedhjet në këtë vit, LDK do luftoj për vendin e dytë në konkurrencë me PDK-në

Ndërkaq, veprimtari dhe aktivisit i LDK-së nga diaspora, Saim Tahiraj thotë se, aktualisht LDK nuk është në suksesin që duhet të jetë. Ai thotë se po të mbahen zgjedhjet, LDK do të jetë në konkurrencë me PDK-në për vendin e dytë.

Image
Saim Tahiraj

Gjendja aktual në LDK nuk është në shkallën e suksesit që ne dëshirojmë. Sado që lidershipi i saj propagandon për suksese të mëdha, realiteti nuk është i tillë, fatkeqësisht. Sikur të mbahen zgjedhjet në këtë vit, LDK do luftoj për vendin e dytë në konkurrencë me PDK-në. Ky nuk është sukses për LDK-në pasi që Kosovës i duhet fitorja e LDK-së për vendin e pare”, vlerëson ai.

Tahiraj thotë se, gjendja jo e mirë aktuale e LDK-së është si rrjedhojë e shumë gabimeve që bëri lidershipi i saj gjatë rrugëtimit.

Pas humbjes së Fatmir Sejdijt në krye të LDK-së erdhën persona që nuk ishin nga brumi i saj, madje edhe kundërshtar të saj. Kjo ndikoj që anëtarët dhe votuesit besnik të LDK-së të largohen gradualisht. Në emër të disa reformave erdhën persona që kurrë nuk kishin qenë anëtarë të LDK-së dhe asnjë kontribut nuk e kishin dhënë për të. Këta persona u avancuan lartë në organet drejtuese të LDK-së pa asnjë meritë, ndërsa anëtarët e devotshëm dhe besnik të saj, që kishin kontribuar shumë që nga themelimi u anashkaluan. Këtu filloj gradualisht të dali nga shtrati i vet tradicional LDK-ja. Sot nuk mundë të flasim për LDK-në tradicionale e cila u themelua dhe formësua si një parti me orientim të qartë perëndimorë”, thekson ai.

Tahiraj: Nëse LDK dëshiron të dalë fituese e zgjedhjeve duhet të kthehet në shtratin e vet si parti properëndimore

Sipas tij, këtu ka devijuar duke u bërë strehë e islamit politik, madje duke bashkëjetuar në një simbiozë me të.

Kjo nuk është LDK e Ibrahim Rugovës, nuk guxon për një grusht vota të Islamit Politik të rrezikoj shtetin tonë laik me orientim perëndimorë. Unë si anëtar besnik i saj jam shumë i zhgënjyer me veprimet dhe kokëtimet e lidershipit të LDK-së me këtë Islam i cili po rrezikon seriozisht identitetin tonë kombëtar dhe shtetin e Kosovës. LDK duhet të jetë model tjetër fare, jo si partitë tjera që kanë bërë pazare të tilla në vazhdimësi. Nëse LDK dëshiron të dalë fituese e zgjedhjeve duhet të kthehet në shtratin e vet si parti properëndimore, t’i kthej të gjitha personalitetet dhe anëtarët e përhershëm të saj, të cilët i qëndruan besnik në të gjitha etapat e saj të vështira. Reformat serioze dhe sjellja e anëtarëve të rijnë janë të mirëseardhur, por jo duke i anashkaluar ata/ato që kontribuuan me besnikëri në vazhdimësi, pa u larguar kurrë”, përfundon anëtari i LDK-së, për Bota sot, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat