E refuzuan takimin me Kurtin/ Pse po dështon unifikimi përballë Serbisë?

Politika

E refuzuan takimin me Kurtin/ Pse po dështon unifikimi përballë Serbisë?

Nga: P.Rudi Më: 14 maj 2024 Në ora: 08:01
Liderët e partive opozitare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim partitë opozitare. Ftesën e Kurtit e pranoi vetëm Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e refuzuan atë.

Kështu që edhe pas tri vitesh në pushtet, Kurti po dështon që të krijojë një unitet me opozitën kur bëhet fjalë për temat e mëdha, siç është ajo e dialogut me Serbinë.

E lidhur me refuzimin e partive opozitare, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti, Gani Qarri.

“Duket se partitë e inkriminuara opozitare, të cilat ndërmerrnin me aq zell, vendime të përbashkëta për ndarjen në dy pjesë të Mitrovicës, faljen e tokave autoktone të Kosovës, vendeve hegjemoniste fqinje, nënshkrimin nga dy herë të marrëveshjeve me Serbinë, për ndarjen e brendshme të Kosovës me ngrehina ogurzeza serbe, si dhe miratimin me shumicën dërmuese të deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së NISM-as, etj duka unifikuar votat edhe me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, "listën serbe", për miratimin në unison, të "zajednicës" kundër kushtetuese një etnike serbe, në Kuvendin e Kosovës, sot assesi të shprehin të njëjtin zell dhe gatishmëri unifikimi, për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, para Serbisë hegjemoniste dhe kushtëzimeve cinike të faktorit ndërkombëtar, ndaj Kosovës vetëm një hap para anëtarësimit të saj, në KiE”, shprehet Qarri.

Fajtor për dështimin e krijimit të një uniteti të spektrit politik në Kosovë, Qarri e bën opozitën.

Image
Gani Qarri.

“Andaj nuk është Kurti ai që po dështon të krijoje unitet politik brenda Kosovës, por janë udhëheqësit e inkriminuar opozitar, ata të cilët dinin të unifikoheshin me aq shumë vullnet, për shitjen e tokave autoktone të Kosovës, 2500 hektar FYROM-it në Debellde dhe mese 8300 tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, përfshi Kullën, Zhlebin e Çakorrin, nga Ramush Haradinaj, & Co, të cilët sot, nuk ka shqiptar që arrin ti bashkojë, për ti mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës”, thekson Qarri.

“Madje partitë opozitare, mjerisht shkojnë aq larg, sa kanë bllokuar qëllimisht edhe marrëveshjet ndërkombëtare me peshë të madhe financiare, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, duke mos votuar ato dhe lëshuar para kohe, seancat parlamentare, për të pamundësuar miratimin e tyre, me shkaktimin e mungesës së kuorumit në Kuvend të Kosovës! Opozita që ne njohim, e që në vijimësi madje edhe sondazhet e paguara prej vet asaj, po e qesin në pozita tejet të palakmueshme vlerësimi, duket se ka plandosur për toke, fakti që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti edhe pas më tepër se tre vitesh në pushtet, gëzon mbështetje pakrahasimisht të madhe, në krahasim me opozitën kosovare, e cila me veprimet e saj mjeruese, që nga ndarja e Mitrovicës, dëbimi i mijëra shqiptarëve nga veriu i Kosovës, falja e tokave tona autoktone, vendeve hegjemoniste fqinje, deri te nënshkrimi i "zajednicës" serbe dy herë, si dhe kooketimi shumëvjeçar me bandat kriminale serbe në veri të Kosovës, ka rrëshqitur deri në tradhti të hapur kombëtare, ndaj shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi”, shpjegon analisti Qarri.

Më tej, ai thotë se kjo është edhe një dëshmi se klasa politike në Kosovë ka dështuar plotësisht.

“Kjo dëshmon se klasa e dështuar politike, veçanërisht opozita e inkriminuar në këto momente kritike, po shkatërron qëllimisht unitetin politik të partive shqiptare, përballë Serbisë hegjemoniste. Fatkeqësi, të cilën e dëshmoi edhe refuzimi i ftesës së Kryeministrit Kurti, nga krerët e LDK-së dhe AAK-së, për të diskutuar si politikanë të një populli e shteti dhe gjetur një gjuhë të përbashkët në interes të qytetarëve të vendit tonë, për zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës në procesin e vendimmarrjes strategjike, kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe marrjen e vendimeve unike, si shansi i fundit për ta kthyer normalitetin e funksionimit të shtetit, duke krijuar klimë normale të funksionimit të Kuvendit dhe qeverisë, deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare”, thotë Qarri.

“Një takim i nevojshëm ku mund të diskutohej bashkërisht edhe mbi gjetjen e një konsensusi politik, për mënjanimin e kushtëzimeve të paprecedent ndaj Kosovës për pranimin e saj në KiE, andaj opozita e inkriminuar, me refuzimin e saj po dëshmon papërgjegjësi totale, mangësi të madhe të vetëdijes politike dhe mungesë të thellë të patriotizmit ndaj qytetarëve të vendit dhe shtetit të Kosovës! Akt ky, i cili ishte dhe mbetet me rëndësi vitale, për të mos qenë institucionet e shtetit të Kosovës të varura dhe as të ndikuara nga bojkoti i dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës, "listë serbe" e cila është një bombë e kurdisur me sahat, për veprime të qëllimshme anti-Kosovë, nga Serbia fashiste, për çka me sjelljet e saj të paprecedent, a la-“shqiperim-arifqe”, mbanë përgjegjësi të madhe pikësëpari LDK e Abdixhiku-ut, si ish parti shtet formuese, si dhe mbarë opozita, jo-konsensuale e Kosovës!”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat