Sa më shumë që afrohet 17 maji aq më shumë po zbehen shpresat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës,
Ndonëse, nga ana e shtetit të Kosovës konsiderohen si të plotësuara kushtet, rruga drejt anëtarësimit në KiE po del të jetë mjaft sfiduese.
Vendi kaloi me sukses dy fazat e para për anëtarësim, derisa erdhi puna te Këshilli i Ministrave të Evropës.
Por, tashmë është e ditur se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, përfundimisht nuk do të jetë në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të KiE-së që mbahet gjatë javës dhe kjo u konfirmua nga zyra për media e këtij institucioni.
“Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e ardhshme. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, thuhet nga KiE.
Pengesë për të hyrë në agjendën e Këshillit të Ministrave siç duket u bë Asociacioni.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe - një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën - duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Se, Kosova mund të mos i ketë votat për në KiE, e ka thënë edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.
Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”.
Lama: Sot Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së dhe si duket edhe anëtarësimi në KiE po dështon
Ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se vënia e këtij kushti para anëtarësimit në KiE lidhet me humbjen e besueshmërisë së qeverisë së Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë.
“Mendoj se ka një qëndrim të qartë nga vendet e Kuintit se Kosova nuk do të hyjë në axhendën e votimit me 16 dhe 17 maj, pa ndërmarrë ndonjë hap në lidhje me implementimin e marrëveshjes për asociacionit.
Fakti që ky kusht është vënë para anëtarësimit në KiE lidhet me humbjen e besueshmërisë së qeverisë së Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë. Realisht ky është një momentum i humbur diplomatik që vënë si pasojë e sjelljes aspak diplomatike dhe jo-konstruktive të qeverisë, që në vazhdimësi ka ndërmarrë hapa në veri dhe në raport me serbët pa u koordinuar.
Sot, Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së dhe si duket edhe anëtarësimi në KiE po dështon. Ky është dështim i qeverisë aktuale me pasoja afatgjata. Çdo interpretim tjetër është propagandë”, potencon ajo.
Rugova: Ka të ngjarë që humbja e këtij momentumi për anëtarësim të vendit tonë në KiE do të shtyhet për kohë tjetër
Edhe ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, kjo nuk ka qenë fer nga ana e mekanizmave të BE që Kosova të kushtëzohet me kritere shtesë për pranim në Këshillin e Evropës.
“Konsideroj se pas votimit të raportit të Dora Bakojanis në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk ka qenë fer nga ana e mekanizmave të BE që Kosova të kushtëzohet me kritere shtesë për pranim në Këshillin e Evropës. Ka pasur konfuzion, "premtime" nga ana e liderëve institucional të Kosovës se do të përshpejtojnë zbatimin në plotni të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që nënkupton edhe hapa konkret në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Madje patëm një letër të zotimit dërguar institucioneve të BE se do të bëjnë hapa konkret në këtë drejtim. Të gjitha këto premtime, zotime, kërkesa eksplicite të partnerëve tonë strategjik për dërgimin e draft statutit të Asociacionit në gjykatën kushtetuese kjo kërkesë nuk hasi në gatishmëri të udhëheqësve institucional të Kosovës”, shprehet ai.
Sipas tij, humbja e këtij momentumi për anëtarësim të vendit tonë në KiE do të shtyhet për kohë tjetër duke përmendur zgjedhjet e reja për PE, kryesimin e BE nga Hungaria si dhe aspekte gjeopolitike.
“Kryeministri deklaroi se nuk e dërgon draft statutin e propozuar nga BE në kushtetuese, që nënkupton që anëtarësimi i Kosovës në KiE në këtë fazë duket jo real pasi që dy nga 5 vendet anëtare të vendeve të QUINT-it dhe me peshë në mekanizmat e BE nuk do lejojnë pranimin në këtë mekanizëm të BE pa hapa konkret për formimin e Asociacionit. Ka të ngjarë që humbja e këtij momentumi për anëtarësim të vendit tonë në KiE do të shtyhet për kohë tjetër duke pasur parasysh zgjedhjet e reja për PE, kryesimin e BE nga Hungaria si dhe aspekte gjeopolitike që frikësoj do e prolongojnë dhe komplikojnë edhe më tepër integrimin euro- atlantik të Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.
Ndryshe, ditë më parë Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, kishte bërë të ditur se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).
“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.