Parashikimi interesant: Zgjedhje e rizgjedhje e Kurtit, pastaj acarim i situatës në Ballkan, eksperti i sigurisë: Tensionet janë shumë të larta, por Serbia...

Politika

Parashikimi interesant: Zgjedhje e rizgjedhje e Kurtit, pastaj acarim i situatës në Ballkan, eksperti i sigurisë: Tensionet janë shumë të larta, por Serbia...

Nga: Naile Ejupi Më: 14 maj 2024 Në ora: 22:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës, ndërsa në këtë sesion nuk është përfshirë në agjendë Kosova dhe kërkesa e saj për t’u anëtarësuar në KIE.

Një parashikim për mos anëtarësimin e Kosovës në KIE e ka bërë Alfred Cako, ku sipas tij Kosova nuk do të futet në KIE për shkak se Kurti nuk do ta pranojë asociacionin.

Tutje, sipas tij, për shkak të kësaj çështjeje Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Unë kam thënë edhe herave të tjera, se Kosova nuk futet në Këshillin e Evropës, për shkak se Kurti nuk do të pranojë Asociacionin dhe do të drejtohet me një palë zgjedhje të parakohshme popullit, se a do të pranojnë që të shesim në një pjesë të sovranitetit kombëtar për të hyrë në BE, apo s’pranoni. Kjo do të jetë pyetja në zgjedhje. Dhe populli i Kosovës do të votojë prapë Kurtin”, ka thënë Cako i cili shton se populli e pranon këtë sakrificë vetëm mos të humbas sovranitetin kombëtar.

Duke komentuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të asociacionit dhe mos aëntarësimit në KIE, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se vendi gjendet në një moment të vështirë, por nuk ka krizë politike.

“Kosova momentalisht nuk ka një krizë politike, koalicioni qeverisës është solid i parë nga jashtë dhe nuk shoh për momentin zgjedhje të parakohshme. Kosova është në një moment të vështirë përballë një presioni ndërkombëtar lidhur me disa çështje si çështja e denarit dhe krijimi i asociacionit. Evropa në qershor shkon në zgjedhje parlamentare, pritet një konfigurim me shumicë të forcave pro evropiane, por edhe rritjen e populistëve dhe ekstrenistëve si dhe presidencialet në SHBA”, deklaron Softa.

Me rizgjedhjen e Kurtit, Cako parashikon acarimin e situatës në Ballkan, madje sipas tij do të ketë ndërhyrje të Serbisë në Kosovë, e pas kësaj NATO sipas tij, do të futet në Serbi.

Por, një sulm të tillë nuk e sheh eksperti i sigurisë, i cili thotë se Serbia nuk guxon të hyjë në luftë me NATO-n.

Sipas tij, nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake serbe, kjo sepse ajo do të humbte shumë fonde nga EU.

“Sulmin e Serbisë në Kosovë, nuk e shoh të mundshëm, edhe pse tensionet janë të larta. Serbia nuk guxon të hyjë në luftë me NATO-n, atë nuk po guxon Rusia edhe pse shumë kërcënime kanë qenë për Finlandën dhe Suedinë që të mos bëhen pjesë e aleancës. Ndryshimet në Maqedoni kanë një shqetësim nga perëndimorët, që të respektohet marrëveshja e Ohrit dhe shqetësime që mund të reflektohen në raportet Maqedoni- Greqi. Roli i Kosovës është delikat dhe raportet Serbi- Kosovë janë raportet Lindje -Perëndim, Kurti mendoj duhet të jetë i mirë konsultuar me aleatët në veçanti SHBA, çdo gabim apo kundërshtim mund ta çojë Kosovën në sanksione dhe të ndalojë progresin drejt EU. E përjashtoj ndërhyrjen ushtarake serbe, Serbia do të humbte shumë nga fondet e EU dhe integrimin e saj në EU, si dhe lëvizjen e lirë”, shprehet Softa.

Kujtojmë se zgjedhjet e reja nuk i ka përjashtuar kryeministri Kurti.

Më 13 maj ai ka folur për zgjedhje dhe mbajtjen e tyre.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti për gazetarët, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, ka thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.

Ai u shpreh se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.

“Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, deklaroi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat