Rreziku i një sulmi të radhës nga Serbia/ Komentohet alarmi i Anton Qunit – këto janë planet që po “kurdisen” kundër Kosovës!

Politika

Rreziku i një sulmi të radhës nga Serbia/ Komentohet alarmi i Anton Qunit – këto janë planet që po “kurdisen” kundër Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 maj 2024 Në ora: 10:00
Milan Radoiçiq

Sulmi në Banjskë ka arritur të tregojë ndërkombëtarisht që Serbia është e njëjta, me një politikë terroriste dhe aspak e gatshme për dialog.

Nga ky sulm nuk kemi ende një dënim për Serbinë, ani pse u dënua me deklarata nga të gjithë.

Së fundmi është deklarata e deputetit të LDK-së, Anton Quni që mori vëmendjen.

Sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku, mund të përsëritet, përderisa ka kontekste të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ditë më parë Quni.

Ai theksoi se në situatën që gjenden këto dy shtete, gjithnjë ka rrezik që të ketë tensione ndëretnike dhe përshkallëzim.

Quni gjithashtu shton se nuk përjashtohet mundësia që rasti i Banjskës të përsëritet.

Ai thotë se Serbia në bashkëpunim të drejtpërdrejt me Moskën, në forma e metoda të ndryshme, mund të përsëritin raste të ngjashme për të krijuar disavantazhe politike në tavolinën e bisedimeve.

Elezi: Kosova është e rrezikuar dhe ne duhet të kemi një kujdes të shtuar

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.

Image
Bedri Elezi

Ai i dha të drejtë deputetit Quni duke theksuar që Kosova është e ekspozuar ndaj një rreziku të tillë.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorit i vitit të kaluar ka treguar qartë se sa e brishtë është siguria e Kosovës dhe sa janë të afërt grupet kriminele të Serbisë të bëjnë. Se sa ka gjasa eventualisht të paraqitet edhe një sulm tjetër në Kosovë, një deklarim që ka bërë edhe deputeti Anton Quni. Në fakt Kosova është realisht e ekspozuar përballë një dyshimi që mund të ketë sulm të radhës”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton që Kosova është e rrezikuar nga Serbia pasi e njëjta po mbështetet nga Rusia dhe të dyja dëshirojnë destabilizim të sigurisë në rajon.

Ekziston rreziku real që të kemi një sulm të ngjashëm si ai i Banjskë qoftë edhe me përmasa më të mëdha brenda territorit të Republikës së Kosovës nga grupet kriminale serbe terroriste të cilat mbështeten nga Beogradi dhe Moska zyrtare.  Prandaj mund të themi që po Kosova është e rrezikuar dhe ne duhet të kemi një kujdes të shtuar sa i përket aktiviteteve, përkatësisht planeve të sigurisë për të parandaluar një sulm të radhës. Një sulm i tillë duhet të parandalohet pasi mund të jetë një ‘goditje’ e madhe për sigurinë e vendit mirëpo dhe gjithë rajonin, sepse është e qartë që Rusia në vazhdimësi ka financuar për eskalim të situatës së sigurisë në rajon”, foli Elezi për “Bota sot”.

Duhanaj: Nga një shtet agresiv fqinjë siç e kemi ne Serbinë, nuk do ta befasonte çfarëdo lloj skenari

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, po ashtu i jep të drejtë deklaratës së Qunit duke thënë që  duhet patjetër të rikujtohen detyrime shtetërore karshi sigurisë në mënyrë që në asnjë moment të mos dalim të befasuar dhe humbës.

Image
Leon Duhanaj

“Deklarata të tilla si kjo e z. Anton, nuk janë paralajmërim për ndonjë skenar të mundshëm, por për ta mbajtur zgjuar sistemin e sigurisë në vend. Në një situatë të brishtë politike dhe të sigurisë, siç gjendet Kosova në raport me Serbinë, duhet patjetër të rikujtohen detyrime shtetërore karshi sigurisë së përgjithshme në vend, në mënyrë që në asnjë moment dhe pa e marrë parasysh se çfarë situate gjendemi, të mos dalim të befasuar dhe humbës”, foli analisti.

Në fund ai nënvizon që deklarata të tilla duhen të merren seriozisht, paralel me masat e nevojshme.

Nga një shtet agresiv fqinjë siç e kemi ne Serbinë, nuk do ta befasonte çfarëdo lloj skenari, sado i errët të ishte. Ajo çfarë mund të na befasoi, është mënyra vendi dhe koha. Në këtë kontekst, deklarata të tilla paralajmëruese e parndaluese ndikojnë për të. Sidomos duke pasur parasysh shkallën e lartë të  ndikimit  të shtetit serb, tek minoriteti Serb,  në Kosovës posaçërisht në veriun e vendit. Prandaj mendoj që deklarata të tilla duhen të merren seriozisht, paralel me masat e nevojshme, duhet të merren, në mënyrë që siguria të mos realizohet në asnjë moment”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat