Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar ditën e hënë me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me të cilin kanë diskutuar për mundësinë e dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme.
Ky takim u komentua shumë, madje edhe mori kritika, ku Krasniqi u akuzua se po e ndihmon Kurtin për të dalë nga situatat politike dhe sfidat me të cilat përballet vendi aktualisht.
Madje, nuk u përjashtua edhe mundësia e një koalicioni ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, nisur nga disponimi që patën të hënën dy nikoqirët e takimit.
Kryetarja e Listës “Guxo” dhe Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, tha se do të bënin koalicion me PDK-në nëse kjo e fundit pastrohet nga njerëzit me të kaluar kriminale.
Këto zhvillime i ka komentuar për gazetën “Bota sot” analisti Fatmir Bajraj. Ai tha se takimi Kurti-Krasniqi është në shërbim të koalicionit qeverisës dhe pushtetit!
“Zgjedhjet i shkakton pushteti dhe jo opozita, por z. Kurti do që në këtë "ndërmarrje" të përfshi edhe opozitën si dalje e cila amniston pushtetin e dështuar dhe të dërmuar nga huqjet dhe dështimet e njëpasnjëshme në të gjitha sferat e jetës, publike, politike dhe institucionale. Kurti është i vetëdijshëm se gjatë këtij mandati qeverisës, ka "djegur" plotësisht listën "GUXO", dhe e njëjta nuk i jep më për t'i fituar zgjedhjet, andaj i është afruar PDK-së, si mundësi që së bashku të fitojnë zgjedhjet e parakohshme nacionale”, shprehet ai.
Bajraj thotë se, Kurti po ia humbë vendit mundësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për faktin se tani nuk është i gatshëm që për një gjë të tillë, ta rrezikojë pushtetin e vet dhe të VV-së, për të cilin është i gatshëm të sakrifikojë të gjitha të tjera, pa përjashtuar interesat shtetërore të Republikës.
“Zatën, Kryeministri Kurti nuk dëshiron ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Draft-Statutin për "Asociacionin" (lexo: Autonominë politike-territoriale për serbet në Veriun e Kosovës), ashtu siç kërkojnë vendet e Quintit, dhe para së gjithash; Franca & Gjermani, të cilat edhe janë autore të planit të Marrëveshjes së 18 shkurtit të Brukselit dhe asaj të sekuencimit të Ohrit me 27 mars 2023. Thirrja e Kurtit drejtuar Opozitës për agjendën legjislative, është bërë me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes së opinionit publik, pas dështimit kardinal të kësaj Qeverie në anëtarësimin e Kosovës në KiE, sidomos pas dhënies së tokave të Manastirit të Deçanit, dhe në kohën kur Rusia ishte e përjashtuar nga kjo organizatë evropianë”, shtoi Bajraj.
Sipas tij, hapi i kërkuar nga z. Kurti në lidhje me Draft-Statutin, do të nxirrte këtë të fundit "lakuriq" para opinionit publik, të cilit Marrëveshjen me Serbinë e "shiste" si Marrëveshje të mirë për Kosovën, por të cilën gjoja po hezitonte ta pranonte Vuçiqi.
“Kurti e di se implementimi i asaj që ka pranuar bie ndesh me pretendimet e tij në lidhje me sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës në Veri të vendit, andaj prolongimi deri në marrjen e dhe të një mandati qeverisës, i është i menjëhershëm si kalkulim politik”, theksoi analisti.
Për Fatmir Bajrajn, koalicioni i mundshëm qeverisës LVV & PDK konsiderohet i natyrshëm dhe logjik!
“PDK dhe LVV, janë identike, ngase janë nëna dhe bija dhe hiq ma pak se kaq, madje kjo e fundit është lindje e saj, krijim i saj në një moment krucial për fatet e vendit, dhe për ta dëmtuar LDK-në dhe presidentin Rugova. Identifikohen edhe në mendësinë dhe filozofinë politike kundër lëvizjes nacionale të presidentit Rugova për liri e pavarësi, kundër institucioneve legjitime e legale, madje edhe kundër vet projektit për pavarësi.
PDK, si kauzë kishte bashkimin e tokave deri tek "molla e kuqe", derisa e bija e saj, VV-ja propagonte bashkimin kombëtar, duke injoruar, mohuar, madje edhe duke luftuar projektin e lëvizjes sonë nacionale në krye me presidentin historik Dr Ibrahime Rugova”, potencon Bajraj.
Ai nënvizon se PDK dhe LVV, janë të dyja anët e së njëjtës medalje.
“Janë ngjizje e LPK-së, pra antipod i LDK-së, Rugovizmit dhe i Kosovës shtet sovran dhe demokratik, i orientuar kah perëndimi dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të.
Në këtë brum: PDK-LVV, janë vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike të veprimtarëve dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova, madje ka prej tyre, nga të dy kampet që janë në Gjykatën Speciale me seli në Hagë, sikurse edhe deputet në parlamentin e Kosovës. Të dyja "çerdhet" kanë në radhët e tyre njerëz me afera korruptive, krim të organizuar, precedente penale, dhe deri të akuzuar e dënuar nga Drejtësia, por ky fakt nuk bëhet fare përshtypje. Që të dyja (PDK LVV) i bashkonë anti-LDK-izmi dhe anti-rugovizmi, tani e rreth qerek shekulli...
PS
Qëndrimi i mëtejmë i Kurtit në pushtet, do të sillte dëme të paparashikueshme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, andaj evitimi i kësaj të keqe është detyrë e Opozitës, mediave dhe e shoqërisë civile”, përfundoi Bajraj.
Ndryshe, dy partitë e tjera opozitare LDK dhe AAK dorëheqjen e kryeministrit Kurti e shohin si mundësinë ideale që vendi të shkojë në zgjedhje.