Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin, “dështim” apo “pikë” e Kurtit në zgjedhje?/ Ja çka kërkojnë analistët

Politika

Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin, “dështim” apo “pikë” e Kurtit në zgjedhje?/ Ja çka kërkojnë analistët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 maj 2024 Në ora: 21:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Edhe pak ditë kanë mbetur deri te mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ndërsa në agjendë të saj vazhdon të mos jetë shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “arsyeja” që Kosova nuk futet në agjendë, e sipas analistëve politikë kjo është tradhtia më e madhe, që i është bërë Kosovës nga zyrtarë të caktuar brenda strukturave udhëheqëse të BE-së.

Prandaj ata thonë se, Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga bisedimet me Serbinë dhe të iniciojë urgjentisht padi penale kundër Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

Sipas analistëve mos - zbatimi i asociacionit nga ana e Kurtit nuk do të jetë “dështim” i qeverisë Kurti në planin e politikës së jashtme, mirëpo duhet unifikim pozitë- opozitë.

Elezaj: Kushtëzimi me asociacion, tradhti e disa zyrtarëve të BE-së ndaj Kosovës

Analisti politik Rexhep Elezaj, thotë se dikush nga funksionarë “anonim”, brenda BE-së gjegjësisht brenda Këshillit të ministrave të KIE-së ka ndërhyrë në agjendën e takimit.

Sipas tij, me kushtin befasues ndaj Kosovës i kanë shërbyer vetëm presidentit serb Aleksandër Vuçiqit dhe politikës së tij pro- ruse dhe hegjemoniste në Ballkan.

“Mos hyrja në rendin e ditës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës të pikës së anëtarësimit të Kosovës në takimin e ardhshëm që do mbahet të premten e ardhshme në Strasburg, për shkak të kushtëzimit me dërgimin në Gjykatën kushtetuese të Draft-Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), të cilin siç dihet kryeministri Kurti e ka refuzuar, është tradhtia më e madhe që zyrtarë të caktuar brenda strukturave udhëheqëse të BE-së ia kanë bërë Kosovës në 25 vitet e fundit..!? Ngase, në Raportin e raportues në KiE, të znj. Dora Bakojanis, është thënë shumë qartë se çështja e formimit të AKS nuk do t’i vendoset Kosovës si kusht për t’u pranuar në këtë organizatë ndërkombëtare, veçse kjo çështje mbetet për t’u zbatuar pas anëtarësimit të Kosovës në KiE, ashtu siç është thënë në Raportin për Kosovën i aprovuar me shumicë absolute në Asamblenë e Përgjithshme të KiE me 16 prill, me 131 nga 171 vota, me rekomandimet e znj. Bakojnais pa asnjë kusht shtesë, përveç atij të kthimit të pronave manastirit të Deçanit. Mirëpo, në ndërkohë dikush nga funksionarë “anonim” brenda BE-së, gjegjësisht brenda Këshillit të ministrave të KiE-së, siç mund të kuptohet shumë qartë, ka ndërhyrë në agjendën e takimit, duke e hequr nga rendi i ditës pranimin e Kosovës në këtë Këshill, e që nuk mund të përjashtohet për asnjë çast, ndërhyrja e dy shteteve “mike” të Kosovës, siç janë Franca dhe Gjermania, duke e pranuar “sugjerimin” intern të dy inerlokutorëve në dialogun Kosovë-Serbi, mbase si hakmarrje e ultë ndaj qeverisë së Kosovës, për shkak të hezitimit të saj të deritanishëm për mos ta formuar AKS. Madje, duke i shërbyer me këtë kusht befasues drejtpërdrejt presidentit serb, A. Vuçiqit, dhe politikës së tij pro-ruse dhe hegjemoniste në Ballkan”, shprehet Elezaj.

Për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkesat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është deklaruar ditë më parë dhe kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, u shpreh Kurti.

Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.

Qarri: Të iniciohet pasi ndaj Thaçit e Mustafës

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri për këtë kushtëzim politik kërkon tërheqjen e bisedimeve me Serbinë dhe inicimin e padisë penale kundrejt Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për “tradhti” nacionale dhe shtetërore ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës me nënshkrimet e dhëna.

Sipas tij, nëse nuk reagohet për këtë kusht atëherë formimi i asociacionit ka gjetur terren të përshtatshëm në mesin e partive të inkriminuara opozitare.

“Nëse vërtetë ndodhë që Kosova, vetëm shkaku i asociacionit, që është kushtëzim politik, të mos futet në agjendë dhe as të pranohet në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, kurrë nuk ka pasur arsye dhe shkas më të fortë, që menjëherë ta hedhë poshtë formimin e tij, të tërhiqet nga bisedimet me Serbinë dhe të iniciojë urgjentisht, padi penale kundër Hashim Thaçit e Isa Mustafës, për tradhti nacionale dhe shtetërore, ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, me nënshkrimet e dhëna dhe miratimin bashkë me "listën serbe në Kuvend të "Zajednicës"! Qeveria dhe partitë opozitare, duhet ta thërrasin urgjentisht dhe në mënyrë unike, Kuvendin e Kosovës, dhe ftojnë deputetët e tyre publikisht, për shfuqizimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb, si armiku më i madh i integritetit territorial dhe kërcënuesi më i rrezikshëm i vijimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Përndryshe, nëse as tani nuk reagohet në mënyrë të vendosur, nga politika vendore, mos futja e Kosovës në hapin e fundit të agjendës për anëtarësim në KiE dhe ndërlidhja e anëtarësimit të saj me kushtëzime politike për formimin e asociacionit, duket se ka gjetur terren të përshtatshëm edhe në mesin e partive të inkriminuara opozitare, të cilat kanë dëshmuar disa herë, se janë plotësisht të gatshme, të shkelin me të dy këmbët edhe mbi ekzistencën e shtetit të Kosovës. Madje kohëve të fundit, ato janë duke jetuar edhe me shpresën, se Kurti do të bëjë ndonjë gabim aq fatal, sa të mbulojë edhe mëkatet e tyre, ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, ani pse edhe sondazhet e paguara prej vet atyre, i nxjerrin aq keq në vlerësime, sa që as nuk kanë gjasa, të vijnë në pushtet. Në fakt partitë e njëjta opozitare, jo fort moti, ndërmerrnin me aq zell, vendime të përbashkëta për ndarjen e Mitrovicës, faljen e tokave autoktone të Kosovës, vendeve hegjemoniste fqinje, nënshkrimin nga dy herë të marrëveshjeve për "Zajednicën" me Serbinë, si dhe miratimin me shumicën dërmuese të deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së NISM-as, etj duka unifikuar votat edhe me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, "listën serbe", për miratimin në unison, të "Zajednicës" kundër kushtetuese, në Kuvendin e Kosovës. Kurse sot, të njëjtat parti, zhurmëmëdha, assesi të shprehin as gatishmëri minimale unifikimi, edhe për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, para Serbisë hegjemoniste dhe kushtëzimeve cinike të faktorit ndërkombëtar, vetëm një hap para anëtarësimit të Kosovës, në KiE”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Në anën tjetër, parashikohet që me mos anëtarësimin e Kosovës në KIE dhe mos formimin e asociacionit nga ana e kryeministrit Kurti, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

Për zgjedhje kanë diskutuar në një takim dy orësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tyre, koha më e mirë për zgjedhje do të ishte pranvera apo vjeshta.

Të pyetur nëse mos zbatimi i asociacionit do të jetë “dështim” apo “fitore” e Kurtit në zgjedhje të reja, analistët thonë se ai nuk do të jetë “dështim” i qeverisë Kurti në planin e politikës së jashtme, ndërsa partitë që mund t’i dilnin në krahë asociacionit janë parti të inkriminuara që e kanë nisur këtë aventurë pa e menduar mirë.

Mungesa e uniteti politik

Rexhep Elezaj, analist politik thotë se pozitë- opozitë do të duhej të bashkoheshin pa hezitim në qëndrime dhe veprime unike.

“Unë, nuk besoj se ky “dështim” i qeverisë Kurti në planin e politikës së jashtme të Kosovës, do të jetë shkak për rrëzimin e “Kurtit” si dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të reja, përkundrazi pozitë-opozitë do duhej të bashkoheshin pa hezitim në qëndrime dhe veprime unike, për t’iu kundërvënë fuqishëm tendencës së degradimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në veçanti për t’iu kundërvënë politikës fashiste dhe propagandës serbe në qarqet ndërkombëtare, regjim i cili po ndërmerr çdo gjë që ta pengojë Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE, por edhe në organizatat tjera kyçe ndërkombëtare”, deklaron Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ndërsa, Gani Qarri, analist politik “këmbëngul” në padi penale.

Sipas tij, duhet të thirret kuvendi dhe të shfuqizohet asociacioni.

“Kurse sa i takon asaj se a mund te jetë, aktualisht asociacioni çështja që do ta “rrëzonte” Qeverinë Kurti, dhe në rast të zgjedhjeve të reja a do të sillte kjo marrëveshje “pikë” apo “humbje” për VV-në, unë mendoj se as që mund të vijë, për kohë kaq të shkurtër deri te formimi i asociacionit, pastaj, edhe nëse dërgohet në Kushtetuese, duhen disa muaj kohë për shqyrtim, derisa të kthehet përgjigja. Kurse krah, asociacionit do t’i dilnin, ato parti të inkriminuara, të cilat e kanë nisur këtë aventurë, pa e menduar mirë, se ku do të na katandisë, kjo, neve si shtet, kur dihet mirëfilli se edhe në Bosnjë e Hercegovinë, e njëjta ka filluar “vetëm” si "asociacion" por shumë shpejt është kthyer në ngrehinën e ashtuquajtur "Republika Srpska" e cila kërcënon çdo ditë Bosnjën me shkëputje dhe bashkimin e saj me Serbinë, kërcënime që përsëriten shpesh, veçanërisht nga Dodiku, personi i vendosur tash e sa kohë në listën e zezë të SHBA-ve. Prandaj unë mendojë se Qeveria e Kosovës, duhet ta iniciojë një padi penale kundër Hashim Thaçit e Isa Mustafës, për tradhti nacionale dhe shtetërore, ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, për nënshkrimet e dhëna dhe miratimin në Kuvend bashkë me "Listën serbe" të Zajednicës, si dhe ta thërras publikisht Kuvendin për shfuqizimin e asociacionit kundër-kushtetuese një etnik serb, si armiku më i madh i integritetit territorial të vendit dhe kërcënuesi më i rrezikshëm i vijimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës, ku do të shihej se kush ka guxim të votojë për shfuqizimin e "Zajednicës" e kush jo, në mënyrë që përfundimisht të ndahet shapi nga sheqeri e gjërave tu thuhet me emër, duke pa edhe vet qytetarët, se kush është pro dhe kush kundër shtetit të Kosovës”, shton Qarri.

Kujtojmë se takimi i Komitetit të Ministrave pritet të mbahet të premten më 17 maj.

Ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat