Të hënën, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, takim në të cilin u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”, ka thënë Kurti pas takimit të zhvilluar me Memli Krasniqi.
E analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike paralajmërojnë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat sipas tyre, do të zhvillohen më se largu në vjeshtën e këtij viti.
Përgatitja e shpërbërjes së Kuvendit
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Latifi, thotë se është duke u përgatitur shpërbërja e Kuvendit në Kosovë.
“Mendoj se takimi i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është sinjal për të kuptuar se Kosova po hynë në procesin e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Dhe si rrjedhojë është duke u përgatitur procesi shpërndarjes së Kuvendit që për mendimin tim do të ishte gabim. Sepse në këtë situatë të pa shpresë për kryeministrin Kurti, ai do të duhej të ofronte dorëheqje dhe të arsyetonte pa aftësinë e tij për të qeverisur më tej”, shprehet Latifi.
Sipas tij, si rezultat i kësaj gjendje janë dështimet e njëpasnjëshme në çdo fushë gjatë këtij mandati të cilat i ka pasur kjo Qeveri.
“Kjo vjen nga pa aftësia për të qeverisur dhe pasur rezultate, si në planin e brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Sidomos mos suksesi në Këshillin e Evropës janë përgjegjësi që duhet t’i faturohen kryeministrit Kurti dhe natyrisht kryeministri Kurti duhet të jep dorëheqje dhe të kërkoj falje qytetarëve për premtimet demagogjike që s’janë realizuar”.
Për fund, Latifi thotë se do të jetë PDK-ja ajo e cila do ta iniciojë mocionin për rrëzimin e Kurtit, ku do të përkrahet edhe nga deputetët e Vetëvendosjes.
“Siç po shihet, në këtë takim është diskutuar për rrëzimin e Qeverisë, dihet se janë skenarë të përbashkëta, është përfolur gjatë disa seancave në vazhdim. Kurse mocionin në Kuvend pritët ta inicioje PDK me përkrahje të LVV dhe disa deputet të partive ndryshme që të votohet që të bie qeveria e Kurtit. Kjo i bie se Kryeministri Kurti, si gënjeshtar i radhës si duket ka harruar se dikur thoshte: „një herë jam rrëzuar dhe kurrë më nuk rrëzona“. Kjo metaforë e radhës tani po del si gënjeshtër e radhës me aminin e dy partive; PDK dhe LVV. Natyrisht se më së shumti do ta pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon Haki Latifi.
Darka e zgjedhjeve
Kurse analisti Faton Mehmeti shprehet se darka mes Kurtit e Krasniqit, ishte darka që vendosi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
“Darka vendosi zgjedhjet, ishte pretekst për tu takuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Është mirë që PDK shkoi në takim, derisa LDK bëri gabim që refuzoi ftesën. Partia që duhet të ishte shembull për të tjerët, vepron kundër interesave të vendit dhe si e tillë bën gabim të madh”, deklaron Mehmeti.
Siç thotë ai, interesi i Kurtit është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Albini ka interes të shkojë në zgjedhje, e di se fiton andaj synon të merr mandatin tjetër për të forcuar pozicionin e tij para bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për të shuar presionin e brendshëm nga opozita që kërkon vazhdimisht zgjedhje. Në këtë kuptim, vlerësoj se vendi shkon shpejt në zgjedhje, besoj në tetor të tetor të këtij viti”, përfundon Faton Mehmeti.