Paralajmërimi befasues: Bedri Hamza kryeministër i ardhshëm, ky mund të jetë posti i ri i Albin Kurtit

Politika

Paralajmërimi befasues: Bedri Hamza kryeministër i ardhshëm, ky mund të jetë posti i ri i Albin Kurtit

Nga: P.Rudi Më: 16 maj 2024 Në ora: 23:03
Bedri Hamza

Opozita në Kosovë në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Madje kanë bërë presion për këtë, por shkuarjen në zgjedhje të reja, opozita po e kërkon me dorëheqjen e Kurtit.

Ndërsa së fundi, vetë kreu i shumicës në qeverisje, kryeministri Albin Kurti e ka marrë iniciativën për ta diskutuar këtë çështje me opozitën.

Të hënën, Kurti darkoi me kreun e Partisë Demokratike, Memli Krasniqin dhe më pas edhe me dy bashkëkryetarët e Lëvizjes Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, me qëllim që të diskutohet rreth zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, por jo përmes dorëheqjes së tij, por përmes shpërbërjes së Kuvednit.

E lidhur me takimin e Kurtit me Krasniqin dhe shkuarjen eventualë në zgjedhje të reja, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

“Duket se për shefin e ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, këto zgjedhje mund të mbahen edhe në vjeshtën e ardhshme. Pra disa muaj para datës së përfundimit të mandatit të kësaj mazhorance e të parlamentit të vendit. Megjithatë dy kryeopozitarët e tjerë, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj nuk janë të të njëjtit qëndrim. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë Kurti dhe shkuarjen në 45 ditët e ardhshme në zgjedhje të parakohshme”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi.

Sipas tij, duhen sqaruar dy momente: - Pse Kurti është dakord të zhvillohen zgjedhje të parakohshme dhe pse LDK e AAK janë të revoltuar?

“Në debatet politike, sa i përket dakordësisë së Vetëvendosjes për zgjedhje të parakohshme ka shumë diskutime. Kundërshtarët e Kurtit besojnë dhe janë të bindur se kjo lidhet me “dështimet” e qeverisjes. Të tjerë mendojnë se zoti Kurti po bën përpjekje për të ikë nga përgjegjësitë t dialogut dhe kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Unë besoj se kryeministri i Kosovës dëshiron të dëshmojë se nuk ka komplekse nga zgjedhjet e parakohshme dhe se ushtrimi i demokracisë është më i rëndësishëm, sesa plotësimi formal i mandatit të qeverisjes. Janë aktivizuar kritika serioze për rol autoritar të tij dhe në këto kushte Kurti dëshiron të testohet dhe të dëshmojë se është për një demokraci funksionale dhe liberale”, shton Bytyçi.

Siç thotë ai, Kurti dhe Vetëvendosja nuk humbasin asgjë nga organizimi i zgjedhjeve të parakohshme disa muaj para mbarimit të afatit.

“Ndërsa opozita beson se fiton pikë edhe sikur një muaj para kohe të zhvillohen këto zgjedhje. Duket se me Memli Krasniqin janë marrë vesh plotësisht. Nuk e di nëse ka patur harmoni mendimesh me dy bashkëkryetarët e Lëvizjes Guxo. Megjithatë do të ishte mirë që gjithçka të vendosjes nga përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare. Përçarja nuk i shërben as situatës që është krijuar në Kosovë, as mundësive për zgjidhjen e saj”.

“Ndërkaq Haradinaj dhe Abdixhiku reaguan disi me nervozizëm për takimin Kurti-Krasniqi, sepse e morën këtë takim si “tradhti” të PDK-së ndaj dy partive të tjera opozitare. Nuk e di nëse biseda midis LVV dhe PDK-së ka përfunduar duke me marrëveshje edhe për ndonjë koalicion pas zgjedhor, sepse një koalicion para zgjedhor është i pamundur në kushtet e sotme. Por dihet fakti se LVV në zgjedhjet e parakohshme ose jo del parti e parë fituese. Natyrisht jo parti me fitore absolute si në zgjedhjet e kaluara. Në këto kushte partisë së parë fituese, në këtë rast VV-jes, i duhet një partner në qeverisje. Edhe unë besoj se zoti Kurti ka zgjedhur në këtë rast PDK-në”, shpjegon Bytyçi.

Madje ai paralajmëron se kryeministri i ardhshëm mund të jetë Bedri Hamza i PDK-së.

“Ndërkaq zoti Krasniqi, i vetëdijshëm se nuk formon dot qeverinë, nxitoi të caktojë kandidat për kryeministër, zotin Bedri Hamza, një politikan ky me përvojë në qeverisjen lokale dhe qendrore të Kosovës. Kjo lëvizje ishte e përllogaritur mirë. Zoti Hamza në këtë rast ofrohet si partner në qeverisje me Vetëvendosjen dhe zotin Kurti, si zv. Kryeministër dhe ministër në qeverinë e ardhshme. Këto kalkulime shoh nga lëvizjet politike të fundit. Por kalkulime të tilla mund të dëshmohen edhe nga gjuha e butë e opozitës së PDK-së”.

“Pikërisht për këtë arsye reaguan LDK dhe AAK. Këto dy parti opozitare kanë tentuar gjithashtu të bëhen pjesë e qeverisjes dhe e pushtetit në Kosovë. Një kërkesë të tillë e ka shprehur disa herë Ramush Haradinaj edhe më parë, për t’u bërë pjesë e qeverisë së sotme. Por mazhoranca e sotme nuk e ka ndjerë nevojën e zgjerimit të koalicionit. Mesa duket të dy kryeopozitarët e tjerë, pra Abdixhiku dhe Haradinaj, kanë pretenduar dhe pretendojnë që të bëhen pjesë e qeverisë në mandatin e ardhshëm. Por Kurti bëri përzgjedhjen e tij, pra Memli Krasniqin dhe PDK-në”, shton profesor Bytyçi.

Për fund, ai thotë së do kemi një qeveri të ardhshme Kurti-Krasniqi.

“Unë besoj se Vetëvendosja dhe PDK janë më afër njëra-tjetrës, pavarësisht përplasjes midis ish-presidentit dhe kryeministrit të sotëm. Vetëvendosja dhe LDK, për pasojë edhe Lista Guxo, janë më larg krijimit të një harmonie të plotë me Vetëvendosjen. Në këto kushte shoh se do të kemi një qeveri të ardhshme Kurti-Krasniqi, e cila konvergon më shumë në programin e përbashkët. Besoj gjithashtu se Kurti është shumë i zhgënjyer me lojërat politike të LDK-së, kur ai u detyrua të largohet para kohe nga qeverisja, si rezultat i trysnisë ndërkombëtare. Me këtë dua të them se Kurti e sheh PDK-në më rezistente ndaj presionit ndërkombëtar, të cilit i frikësohet se do të detyrojë partnerin e qeverisjes për ta larguar nga pushteti. ”Logjikisht do të duhet të besojmë se qeverisja me një partner që e kushtëzon partinë fituese do të duhet të jetë me fleksibël dhe tolerante ndaj kërkesave të partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë për çështje të ndryshme të politikave të brendshme e sidomos të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Serbinë. Por do të shohim se si do të zhvillohen këto çështja politike nëse VV dhe PDK bëhen bashkë në qeverisje!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat