Rama e Vuçiqi përmes Vulinit vallëzojnë “tangon” nacionaliste të “Serbisë së madhe e Shqipërisë së madhe”, Kosova e dëmtuar!

Politika

Rama e Vuçiqi përmes Vulinit vallëzojnë “tangon” nacionaliste të “Serbisë së madhe e Shqipërisë së madhe”, Kosova e dëmtuar!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 maj 2024 Në ora: 08:02
Edi Rama- Aleksander Vuciq

Së fundi Serbia ka nisur të merret edhe me Shqipërinë. Siç duket takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë ka nervozuar Serbinë.

Reagimi nga Serbia ndaj Ramës ishte i ashpër, ku numri dy i Qeverisë serbe, Aleksander Vulin tha se “‘Shqipëria e Madhe’ mund të ndalet vetëm nga serbët dhe ‘Bota Serbe’, por edhe ju grekë të dashur, ju lutem mendojeni këtë”.

E pas kësaj deklarate i menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, duke thirrur në bisedë ambasadorin serb në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq, duke i kërkuar sqarime për një deklaratë të bërë nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin, në lidhje me një takim që ka zhvilluar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Greqi.

MEPJ e cilësoi deklaratën e Vulinit si “provokuese, në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit”.

Shahu: Çdo ëndërr me Shqipëri a Serbi të madhe është marrëzi të merresh

Analisti Rexhep Shahu, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Vuçiqi e Rama po vallëzojnë tangon nacionaliste të politikës së vjetër folklorike të Serbisë së madhe e Shqipërisë së madhe.

“Edi Rama dhe Vuçiqi përmes Vulinit po vallëzojnë tangon nacionaliste të politikës së vjetër folklorike të Serbisë së madhe e Shqipërisë së madhe. Edi Rama me retorikat e tij banale nacionaliste të tipit të Enver Hoxhës që nuk ia merr askush seriozisht, vetëm sa shfaqet si karikaturë tigri pa dhëmbë vetëm sa i krijon klimë nacionalizmit serb për të fëlliqur gazetat e ekranet me parulla kërcënuese. Vetëm përmes konflikteve të tilla jeton e vjetra konfliktuale”, thotë ai. 

Image
Rexhep Shahu

Ai thotë se pavarësisht parullave të Ramës e Vuçiqit kufijtë e Serbisë e Shqipërisë i kanë caktuar miqtë e armiqtë dhe këto kufij na i mbrojnë armiqtë.

“Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet ka treguar dashuri e zemërgjerësi më të madhe për Serbinë se sa për Kosovën, dhe në gjithë veprimtarinë e tij ka avokatuar Serbinë dhe drejtuesit e Kosovës i ka nënvlerësuar. Pavarësisht parullave të Ramës e Vuçiqit kufijtë e Serbisë e Shqipërisë i kanë caktuar miqtë e armiqtë dhe këto kufij na i mbrojnë armiqtë. Çdo ëndërr me Shqipëri a Serbi të madhe është marrëzi të marrësh”, thekson ai.

Elezaj: Se, a po i del në ndihmë vetë Shqipëria kësaj politike serbe në Ballkan, është vështirë të thuhet e vërteta

Analisti Rexhep Elezaj, thotë se deklarata e tij tregoi mllef dhe zemërimin për formimin e Botës serbe nga Neumi në Adriatik e deri në Nish, dhe nga Subotica e deri në Durrës.

“Nga krimineli A. Vulin, ish shef i BIA-së, ish ministër i mbrojtjes si dhe shef i grupeve mafioze në Serbi, nga një person në listën e zezë të SHBA-ve, dhe tani i rizgjedhuri i Vuçiqit në qeverinë e re të Serbisë, madje në postin e zv-kryeministrit, asnjë lloj deklarate e tij nuk mund të jetë befasuese, kur janë në pyetje janë shqiptarët dhe Shqipëria, gjegjësisht Kosova.

Kështu që, deklarata e tij, se “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga Botën serbe”, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Athinë para tri ditësh, ku në zemër të këtij qyteti antik greko-helen, atë mbrëmje salla e madhe e sportit ishte mbuluar më flamujt kuq e zi të Shqipërisë, ku mijëra shqiptarë që punojnë në këtë shtet fqinj i kishin dhënë pamje madhështore atij takimi me Edi Ramën, nuk kishte mundur të kalojnë pa ia bërë copë zëmrën këtij çetniku dhe fashisti, A. Vulinit, i cili duke e akuzuar indirekt E. Ramën, se po e bënë Shqipërinë e madhe, do të deklaron me zili dhe mllef, atë që e ka në zemër, formimin e Botës serbe nga Neumi në Adriatik e deri në Nish, dhe nga Subotica e deri në Durrës”, deklaron Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Tutje, ai thotë se shqiptarët e kanë gabim nëse mendojnë se Serbia ka heq dorë nga synimet e saj pushtuese, sidomos ndaj Kosovës.

Elezaj, ka folur edhe për ndalimin e vizitës në Kosovë, të patriarkut serb, Porfirije në Pejë, duke thënë se kjo duhej përshëndetur sepse pikërisht Kisha serbe është çerdhja e krimit dhe nacional-shovinizmit serbomadh në Ballkan.

“Ndaj, mashtrohen rënd ata shqiptarë të cilët besojnë se Serbia me garniturën e saj fashiste dhe hegjemoniste në krye, me këlyshët dhe kriminelët e Millosheviçit në pushtet, do të heq dorë ndonjëherë nga synimet e saj pushtuese ndaj tokave shqiptare, ndaj Kosovës gjithsesi, madje edhe ndaj detit të mrekullueshëm të Shqipërisë, mbase duke mos i fshehur fare përgatitjet e saj me armatime moderne nga Kina, Rusia, jo për qëllime mbrojtëse siç gënjejnë ata publikisht, veçse për qëllime pushtuese të Kosovës, Maqedonisë, Malit zë Zi dhe Bosnjës.

Këtu duhet shtuar një argument të freskët të kësaj politike antishqiptare, siç ishte ndalimi i vizitës së patriarkut çetnik serb, Porfirije në Pejë, nga ana e shtetit të Kosovës, gjë të cilën duhet përshëndetur, kur dihet fakti se, është pikërisht Kisha serbe çerdhja e krimit dhe nacional-shovinizmit serbomadh në Ballkan, e cila më së paku mund të jetë institucion fetar”, deklaron ai.

Në fund, ai kritikon edhe Ramën për të cilin thotë se ka sjellje pro-serbe, i cili herë i afrohet mikut të tij çetnik, A. Vuçiqit, siç ishte nisma me “Ballkanin e Hapur”, herë e kritikon atë nëpër forume ndërkombëtare, nuk mund të themi se a po i del në ndihmë apo jo.

“Se, a po i del në ndihmë vetë Shqipëria kësaj politike serbe në Ballkan, është vështirë të thuhet e vërteta rreth, sidomos sjelljeve pro-serbe të kryeministrit Edi Rama, i cili herë i afrohet mikut të tij çetnik, A. Vuçiqit, siç ishte nisma me “Ballkanin e Hapur”, herë e kritikon atë nëpër forume ndërkombëtare, siç ishte rasti i refuzimit të tij të gjenocidit serb në Srebrenicë, e që shikuar nga prizmi i historisë tragjike të Kosovës nën pushtimin e egër 150 vjeçar të Serbisë mbi popullin shqiptar, rezulton se miqësia e E. Ramës me Serbinë dhe krye-çetnikun e saj, A. Vuçiq, është në shërbim të formimit të Botës serbe, pa çka, se në aspektin e vlerave demokratike evropiane dhe procesit të integrimit të Ballkanit perëndimorë në BE, del të jetë në shërbim të fqinjësisë dhe bashkëpunimit të lirë dhe pa barriera në rajon dhe më gjerë në Evropë. Por, koha do ta tregon të vërtetën”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat