Qarri: “Kryeneçësia” e LDK-së dhe AAK-së, papërgjegjësi shtetërore! – A do t’i “pastrojë” PDK radhët e saj për një koalicion të mundshëm me LVV?

Politika

Qarri: “Kryeneçësia” e LDK-së dhe AAK-së, papërgjegjësi shtetërore! – A do t’i “pastrojë” PDK radhët e saj për një koalicion të mundshëm me LVV?

Nga: M.L. Më: 17 maj 2024 Në ora: 10:25
Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku

Në fillim të kësaj jave kryeministri Albin Kurti ka ftuar liderët e tri partive opozitare për të diskutuar mbi agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës. Nga kjo ftesë, vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pranuar të marrë pjesë.

Nga PDK dhe Vetëvendosje këtë hap e konsideruar si mundësi për ndërtimin e besimit ndërpartiak dhe në forcimin e unitetit politik të brendshëm.

Kurse, refuzimi i LDK-së dhe AAK-së për të marrë pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, u tha se dëshmon një mungesë të interesit për zgjidhjen e ngërçit legjislativ që ka pllakosur Kuvendin e Kosovës.

Por, nga disa ky takim u pa edhe si përafrim i qëndrimeve ndërmjet partisë në pushtet dhe partisë më të madhe opozitare në vend. Madje, në opinion u fol edhe për një koalicion të mundshëm mes dy subjekteve.

Në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot” foli analisti Gani Qarri. Ai tha se ftesa e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti drejtuar liderëve të tri partive parlamentare në opozitë, për të diskutuar mbi agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës, të cilës i është përgjigjur vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, do të ndikonte edhe në krijimin e besimit ndërpartiak dhe unitetin e brendshëm politik.

Image
Gani Qarri

“Kjo do ti hapte rrugë edhe mbështetjes mbarëkombëtare, ndaj shtetit tonë të pavarur, si dhe do tu epte një shtysë vendimtare, anëtarëve të KiE-së, për mënjanimin e kushtëzimeve absurde serbe dhe pranimin e Kosovës anëtare me të drejta të plota në KiE, me ç`rast Kosova do të kishte qasje edhe në instancat e drejtësisë evropiane, duke mbyllur kështu hapësirat e ndikimit destruktiv sllavomadh të Rusisë dhe Serbisë hegjemoniste në KiE dhe rajon.

Madje, megjithëse uniteti i brendshëm politik do ti bënte shumë mirë Kosovës, në këto momente vendimtare, refuzimi i LDK-së dhe AAK-së, sikur “dëshmon” se, njoftimi i kryeministrit për diskutimin mbi agjendën legjislative, atyre nuk u intereson fare, ani pse, dihet edhe nga qytetarët e thjeshtë, se shkaku i papërgjegjësisë së opozitës, Kuvendi i Kosovës me muaj të tërë nuk po arrin t’i votojë shumë ligje të rëndësisë së veçantë, si dhe ti miratojë marrëveshjet më të rëndësishme ndërkombëtare, për mungesë kuorumi dhe bojkotimit të seancave, nga deputetët e opozitës të cilët kanë marrë votat nga qytetarët e Kosovës dhe paguhen, po ashtu nga parat e popullit të këtij vendi”, shprehet Qarri.

Ai rikujton se shkaku i sjelljeve "tragjik-komike" dhe tërësisht të papërgjegjshme të partive opozitare, në Kuvend janë grumbulluar një sërë ligjesh të bartura nga viti i kaluar, si dhe kanë ngelur të pa-miratuara, një numër tejet i rëndësishëm i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat kanë peshë të madhe financiare për zhvillimin ekonomik të vendit dhe luajnë rol të veçantë në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar krerëve të partive politike erdhi vetëm pakë ditë para mbledhjes së Këshillit të ministrave të BE-së dhe në një moment shumë të rëndësishëm e kritik për vendin, mbledhje që do të mbahet më 16 dhe 17 maj, ku deri në orët e fundit, nuk dihet saktësisht nëse do të miratohet kërkesa e Republikës së Kosovës dhe ndodhë votimi final për shkak të kushtëzimeve të paprecedent politike, si për asnjë vend tjetër evropian e më gjerë, duke i mbyllur dyert vetëm anëtarësimit të Kosovës qëllimisht, me kushtëzime të pamundshme për anëtarësim në KiE.

Përveç agjendës legjislative e cila ka mbetur peng i bojkotit të opozitës, temë shqyrtimi mund të ishte edhe shqyrtimi i koalicioneve, para, apo pas zgjedhore ndërmjet partive politike, kurse unë do të dëshiroja, që nëse shkaku i asociacionit, nuk pranohet Kosova në KiE, të diskutoheshin urgjentisht, idetë mbi mundësinë e një vendimi konsensual pozitë dhe opozitë, për zhvlerësimin në Kuvend të “zajednicës” dhe mbrojtjen e rregullimit tonë të brendshëm shtetëror duke mos lejuar rrezikimin e funksionalitetit të shtetit të Kosovës nga ngrehina ala "republika srpska", dhe të mos krijohet hapësirë, për përsëritjen e gjendjes së Bosnje Hercegovinës edhe në Kosovë”, nënvizoi ai.

Më tej, ai thotë se mesazhi që Memli Kransiqi e dha me takimin me kryeministrin Kurti është përpjekje për të krijuar unitet politik, por edhe sinjal për një koalicion të mundshëm paszgjedhor mes PDK-së dhe LVV-së.

Mesazhi që dha takimi i afërt i Memli Krasniqit me kryeministrin Kurti, përveç përpjekjeve për krijuar sado pak unitet të brendshëm politik, i cili sidomos në prag të takimit të Këshillit të Evropës, do ti mundësonte Kosovës, mbështetje më të fuqishme ndërkombëtare, duket të jenë edhe një sinjal për koalicion të mundshëm, ndoshta pas zgjedhjeve të ardhme, ndërmjet dy subjekteve politike, pasi që përkundër sondazheve pozitive, kryeministri Kurti, nuk duket të jetë plotësisht i sigurt, se LVV përsëri, e vetme, mund ti fitojë mbi 50%,të votave.

Përkundër refuzimit të LDK-së, e cila duke pasur për udhëheqës një çunak me origjinë nga lugina, ka rrëshqitur tërësisht në format e veprimeve inatqore dhe thellësisht humbëse të Shqipërim Arifit, e pasuar nga një AAK, që tanimë, duket hapur, se e ka humbur tërësisht sensin e të vepruarit parimor politik dhe lë përshtypjen, se përfundimisht është në ikje e sipër, nga skena politike e Kosovës, që të dyja po dëshmojnë përgjegjësi totale shtetërore, megjithëse atyre, fatkeqësisht ua ka falur besimin, një përqindje e votuesve të Kosovës”, u shpreh ai.

Kështu, sipas Qarrit, refuzimi i LDK-së dhe AAK-së për të shkuar në takim konsultativ me Kryeministrin e vendit, është një veprim që flet hapur për mangësi të madhe të vetëdijes politike dhe mungesë totale të patriotizmit për interesin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit.

“Por në mënyrë që të vije edhe deri te një koalicion i mundshëm LVV-PDK, pikësëpari PDK duhet ta spastrojë rrënjësisht partine e saj nga figurat që ndër vite kanë dëmtuar shtetin dhe pasur probleme në vijimësi me ligjin, përndryshe me njerëz të inkriminuar si në PDK, do të jetë, pothuajse i pamundur çfarëdo lloj koalicioni dhe bashkërendimi politik, veçanërisht, nëse pretendohet, edhe formimi i ndonjë qeverisje të përbashkët, pas zgjedhore!”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat