“Vonim apo arritje në kohë?” - Mësohet nëse draft-statuti i Asociacionit do t’i hapë rrugë dialogut Kosovë-Serbi

Politika

“Vonim apo arritje në kohë?” - Mësohet nëse draft-statuti i Asociacionit do t’i hapë rrugë dialogut Kosovë-Serbi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 maj 2024 Në ora: 11:56
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe ministrja Donika Gërvalla

Ndërlidhja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka ndikuar që “hapat” rreth kësaj marrëveshjeje të shënojnë pak para.

Një ditë para se të mbahej takimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës Qeveria e Kosovës njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert.

I njëjti draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit në mëngjes i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës. Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas ministres, drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimin ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar Gërvalla.

Letra e Gërvallës ka sjellë reagime të shumta, opozita e konsideron të vonuar, ndërsa analistët politikë e konsiderojnë si gatishmëri për të pranuar një asociacion.

Lekaj: Është mirë që Kosova përfundimisht ta punojë një draft të vetin për mënyrën se si e parasheh Asociacionin

Image
Pal Lekaj

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se qeveria Kurti është vonuar në përgatitjen dhe dërgimin e draft- statutit të asociacionit.

Sipas tij, Qeveria e ka neglizhuar këtë marrëveshje dhe kjo i ka kushtuar Kosovës.

“Qeveria Kurti sikurse në çdo punë dhe proces të qeverisjes, edhe tani është shumë e vonuar në përgatitje dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit. Qytetarët le ta kujtojnë që ne si AAK qysh në fillim kemi qenë të hapur me Qeverinë Kurti, i kemi ofruar ndihmën dhe mbështetjen tonë që të krijojmë një draft të Asociacionit, por që Qeveria na ka neglizhuar, dhe kjo neglizhencë i ka kushtuar Kosovës. Megjithatë është mirë që Kosova përfundimisht ta punojë një draft të vetin për mënyrën se si e parasheh Asociacionin”, deklaron Lekaj për “Bota sot”.

Pas letrës së dërguar dhe konferencës për media të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, tri vendet që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës me hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjermania, Franca dhe Italia kanë lëshuar një deklaratë për media ku prerazi kanë thënë se pa Asociacion nuk ka pranim të Kosovës në Këshill të Evropës.

I pyetur nëse do ta pranojnë BE dhe Amerika draftin që do të dërgohet në kushtetuese, Lekaj, thotë se ai nuk do të ketë ndonjë efekt për pranimin e Kosovës në KiE.

Sipas tij, Qeveria Kurti funksionon e vetme, pa konsultim dhe bashkërendim me opozitën, shoqërinë civile, ekspertët, akademinë e shkencave, njohësit e fushës, etj.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të sjellë ndonjë efekt në pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kjo është dështim i Qeverisë Kurti, pasi e vonuan shumë atë. Mbetet që BE dhe Amerika të bëjë interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është përgjegjësi e Qeverisë që të negociojë dhe arrijë marrëveshjen e bashkërendimit me Ndërkombëtarët. Nëse ata nuk dinë dhe nuk munden, e drejtë është që Qeveria Kurti të japin dorëheqje për këtë dhe shumë dështime të tjera në udhëheqjen e shtetit. Kosova me këtë Qeveri nuk e ka të sigurt asnjë proces që lidhet me punët, proceset dhe të arriturat brenda dhe jashtë vendit. Qeveria Kurti funksionon e vetme , pa konsultim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me Opozitën, shoqërinë civile, ekspertët, akademinë e shkencave, njohësit e fushës, etj. Fundi i Majit është një momentum ku qytetari dhe institucionet vazhdojnë të jenë pa siguri, pa mbrojte dhe pa shpresë për të ardhmen e vendit”, shton Lekaj.

Letra e Gërvallës nuk ka qenë e konsultuar as me presidenten Vjosa Osmani.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konsultuar e as dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.

Kështu kanë bërë të ditur, nga zyra për media e presidentes Osmani.

“Letra e djeshme e Qeverisë së Kosovës dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Në anën tjetër, analistët “përkrahin” vendimin për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese draftin për asociacion.

Burjani: Kjo nuk quhet vonim, por gatishmëri për të pranuar një asociacion apo një nga katër draftet

Blerim Burjani, analist politik thotë se Qeveria nuk është vonuar për asociacion, por ka shprehur gatishmëri për hartim të tij.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, draftet binin ndesh me kushtetutën.

“Kjo nuk quhet vonim, por gatishmëri për të pranuar një asociacion apo një nga katër draftet. Përderisa kjo Qeveri nuk ka dashur të hartojë një lloj drafti në pajtim me kushtetutën, asnjë nga draftet e deritanishme nuk janë në harmoni me kushtetutën, drafti i fundit bie ndesh plotësisht me kushtetutën dhe ndan asociacionin nga legaliteti dhe sovraniteti i Kosovës përmes arbitrazhit. Nëse ka vullnet politik, institucionet e Kosovës mund të hartojnë një draft për një kohë të shkurtër, drafti i fundit është skandaloz ku përmendet madje edhe rezoluta 1244 edhe pse tash edhe që nga 2008 është shtet i pavarur, a pranon apo jo varet nga drafti që hartohet ku nuk mund të shkelet apo shfuqizohet kushtetuta për një pjesë të territorit të saj. Në draftin e fundit jepet një lloj garancioni përmes arbitrazhit se nuk shkelen të drejtat e asociacionit të territoreve serbe brenda Kosovës”, shprehet Burjani.

Marrëveshja e asociacionit ka ndikuar që dialogu Kosovë- Serbi të ketë ngecje, kjo pasi asnjëra nga palët nuk pranonte propozimet e njëra- tjetrës.

I pyetur nëse pranimi i këtij draft asociacioni do t’i jepte “dritë” dialogut, Burjani, thotë se dialogu është rrënuar skajshmërisht.

Sipas tij, marrëveshja e Ohrit ka pasur ndikim negativ te palët.

“Dialogu është rrënuar skajshmërisht, marrëveshja e Ohrit ka pasur dhe ka ndikim negativ që palët të pajtohen, kjo marrëveshje ka larguar njohjen reciproke dhe ka vendosur në plan të parë themelimin e asociacionit dhe disa tema teknike, kjo marrëveshje nuk është pranuar nga Serbia që e ka shkelur, kjo marrëveshje i ka dhënë pengesa dialogut që nuk mund të pajtohet palët asnjëherë, pra është marrëveshje e komplikuar”, thekson analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat