Pas thirrjes së ambasadorit serb nga Tirana, profesori “zbulon” diçka nga takimi: U takua me një diplomat dhe...

Politika

Pas thirrjes së ambasadorit serb nga Tirana, profesori “zbulon” diçka nga takimi: U takua me një diplomat dhe...

Nga: A.Sh. Më: 17 maj 2024 Në ora: 14:23
Foto ilustrim, Edi Rama në Athinë

Aleksandër Vulinit i ka "penguar" tubimi i Edi Ramës që e mbajti në Athinë javën e kaluar.

Ai për këtë tubim tha se “Shqipërinë e madhe” e ndal vetëm “bota serbe”, gjë që kjo nuk është diçka e re sepse vazhdimit përmendet si deklaratë nga akterët serbë.

E për këtë deklarim Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka thirrur në bisedë ambasadorin serb në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq, dhe i ka kërkuar sqarime rreth kësaj deklarate.

Njohësi i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Vulin ka folur në adresë të krijimit të “botës serbe”.

Sipas Dr. Bytyçit, atij i duhen alibi për krijimin e një forumi panserb për të filluar implementimin e planit të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Për profesorin, manifentsimi i Ramës në Athinë ishte rast i shkëlqyer që Serbia të motivohej për promovimin e asaj që në Beograd quhet “Bota serbe”.

“Dje u thirr në ministrinë e Jashtme ambasadori i Serbisë në Tiranë për t’i thënë se zëvendës kryeministri i vendit të tij ka bërë një deklaratë provokuese ndaj Shqipërisë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shumë mirë! Dikush në ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe për Europën paska thirrur ambasadorin e Vuçiq dhe i paska tërheq vëmendjen. Por duket një shaka e trashë, pa kurrëfarë ndjenje humori. Ndërsa kreu i ekzekutivit të Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë kanë shpallur publikisht se janë vëllezër binjakë, ky i gjati në Tiranë të vejë një nëpunës të tij e ta thërrasë të dërguarin e vëllait binjak nga Beogradi për ta qortuar pse Aleksandër Vulin paska folur kundër tij.

Në fakt Aleksandër Vulin nuk ka folur kundër Shqipërisë. Aq më pak kundër kryeministrit të saj. Ka folur në adresë të krijimit të botës serbe. Atij i duhen alibi për krijimin e një forumi panserb për të filluar implementimin e planit të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe. Manifestimi në Athinë i kryeministrit tonë me datën 12 maj, pra të dielën e kaluar, ishte rast i shkëlqyer që Serbia të motivohej për promovimin e asaj që në Beograd quhet “Bota serbe”! I pari që e ka artikuluar këtë koncept ishte pikërisht Aleksandër Vulin para katër-pesë vitesh, kur ushtronte funksionin e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Serbisë. Madje asokohe Vulin e artikuloi këtë ide në prezencë të shefit të tij, Aleksandër Vuçiq. Vuçiq nga ana e tij qëndronte përballë Vulin në heshtje, sikur qëndronte jashtë kësaj deklarate.

Por në Serbi politikanët janë aktorë të shkëlqyer. Nuk u ndryshon ngjyra e fytyrës, pavarësisht nëse janë të bardhë apo zeshkanë. Duket se të njëjtën cilësi ka marrë prej tyre edhe kryeministri i Shqipërisë. Të dy palët luajnë dhe flasin sipas gjatësisë së valëve të të njëjtës frekuencë. Kështu u lidh edhe frekuenca midis stadiumit në Athinë ku u mbajt “Manifestimi i Madh” me diasporën e importuar në Shqipëri dhe Beogradit. Folësi në valët serbe të kësaj frekuence ishte Aleksandër Vulin. Duhej ky të fliste, sepse po të fliste Vuçiq, askush nuk do ta besonte rolin teatral”, deklaron profesori.

Ai deklaron se thirrja e ambasadorit serb nga MEPJ është një inskenim dhe propagandë e pastër.

Bytyçi shprehet se ambasadori serb thjesht është takuar me një diplomat të kësaj ministrie, kanë bërë muhabet dhe kanë transmetuar mesazhe me njëri-tjetrin, dhe kaq, e që e gjithë pjesa tjetër është bërë për opinionin publik.

“Se thirrja në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Evropë është një inskenim dhe propagandë e pastër në kuadër të promovimit të politikave të kryeministrit shqiptar si “patriot”, kjo nuk do koment. Në dekadën e fundit ka pasur njëqind raste të tjera me kuptim të plotë që diplomacia e Shqipërisë të reagonte kundër Beogradit. Por asnjëherë nuk është thirr ambasadori serb për ta qortuar. Në fakt edhe kësaj radhe nuk ka patur kurrëfarë qortimi. Thjesht ambasadori serb është takuar me një diplomat të kësaj ministrie, kanë bërë muhabet dhe kanë transmetuar mesazhe me njëri-tjetrin, dhe kaq! Truku është sajuar vetëm për opinionin publik. Siç edhe bëhet gjithçka me ketë synim në vendin tonë. Miqësia dhe bashkëpunimi i presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë kanë kapërcyer dhjetëra herë traun e doganës diplomatike, pa pyetur për ligje, rregulla, tarifa, apo kontrolle të kësaj dogane. Ktreu i shtetit serb ka kërcënuar sa e sa herë me luftë dhe me akte terrori Kosovën, pra edhe paqen e stabilitetin ballkanik, por ambasadori i Serbisë nuk është thirrur asnjëherë për t’i dhënë ndonjë notë proteste. Edhe kësaj radhe nuk është shënuar në protokoll asnjë notë proteste. Një takim i zakonshëm është raportuan në medie si reagim “i ashpër” i diplomacisë shqiptare. Kjo vetëm për konsum të brendshëm”, thekson ai.

Në fund, ai thotë se nëse Rama dhe Shqipëria duan paqe të qëndrueshme atëherë ata duhet të luftojnë fort për Kosovën.

“Shqipëria nuk e forcon paqen as me trille, as me lëshime dhe as me inicativa të bashkim-vëllazërimit shqiptaro-serb. Shqipëria, nëse dëshiron paqe e stabilitet në rajon duhej të luftonte fort që Kosova pasnesër të bëhej anëtare e Këshillit të Europës. Nëse kryeministri i Shqipërisë e dëshiron vërtet një paqe të qëndrueshme, duhet të luftojë fort për shtetësinë e Kosovës. Siç lufton për prestigjin e vet, për ta kuruar atë në funksion të pushtetit. Shqipëria, nëse dëshiron paqen nuk ka nevojë të promovojë inciativat serbe në Ballkan dhe të mbështesë përpjekjet e Beohgradit për asosacionin ose ndarjen e Kosovës.

Por duhet të punojë për forcimin e saj. Paqja dhe siguria ballkanike, për çka ka folur përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme me ambasadorin serb, forcohet kur nuk përçahen grupet politike të faktorit shqiptar, siç ka ndodhur në këto më shumë se një dekadë. Ndërkaq duhet thënë se stabiliteti forcohet kur në Shqipëri të implementohen politika zhvillimi në linjën e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kur rritet mirëqenia dhe evitohet e parandalohet emigrimi, ose shpopullimi i vendit. Deklarata e Vulin për Botën serbe është dhënë disa herë në këto katër vite dhe asnjëherë nuk është dënuar qoftë dhe me një cicërimë nga ana e kryeministrit ose shefit të diplomacisë shqiptare. Sot, kur shefi i ekzekutivit të Tiranës ka nevojë për të thirrur në ndihmë nacionalizmin e patriotizmin, jo vetëm zhvillohen manifastime pa kuptim si ai në Athinë, por edhe thirret ambasadori i Serbisë, hahaha, për ta qortuar!”, përfundon profesori për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat