Dështimi për t’u anëtarësuar në KiE/ “Zbulohet” qëllimi i Evropës: Duan të trazojnë jo vetëm Kosovën, por edhe këto dy vende tjera

Politika

Dështimi për t’u anëtarësuar në KiE/ “Zbulohet” qëllimi i Evropës: Duan të trazojnë jo vetëm Kosovën, por edhe këto dy vende tjera

Nga: Naile Ejupi Më: 18 maj 2024 Në ora: 10:03
Foto ilustrim

Kosova nuk ka arritur të futet në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Edhe pse arriti në fazën finale për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, tanimë për Kosovën nuk është marrë as ndonjë vendim për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Kosovës, e cila në opinionin e saj ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje, Gërvalla ka thënë se pavarësisht opinionit të Asamblesë Parlamentare dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtarë të KiE-së i kanë dhënë mbështetje fushatës lobuese të Serbisë.

“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasbourg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër”, u shpreh ajo.

Por, ndryshe mendojnë analistët politikë të cilët pyesin ministren se cilat shtete i dolën në krahë Serbisë dhe nëse ajo ka lobuar mjaftueshëm në të gjitha shtetet e KiE-së.

Sulejman Mehazi, analist politik thotë për “Bota sot” , se është e çuditshme sesi Gjermania, Franca dhe Italia nuk e kushtëzojnë Serbinë gjenocidiale e fashiste për asociacionet serbe, por bëjnë të kundërtën me Kosovën.

“Do të ishte mirë që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të tregonte se cilët shtete i kanë dalë në krahë lobimit të Serbisë?, Sepse edhe Gërvalla nuk ka lobuar në të gjitha shtetet e KiE? E dashura ministrja Gërvalla do të ishte mirë që ta kritikonte edhe veten për mos aftësinë e lobimit për Kosovën, si është e mundur që në fazën e parë të kalonte Kosova në KiE, e në fazën finale të Ambasadorëve të Këshillit të Evropës të stopohej Kosova? Sa ka faj Serbia dhe KiE, aq ka faj qeveria dhe Gërvalla për shkak neglizhencës dhe pasivitetit lobues të saj. Është për t'u çuditur se si është e mundur që Gjermania, Franca dhe Italia nuk kushtëzojnë Serbinë gjenocidiale e fashiste për asociacionet serbe, por bëjnë të kundërtën ngushtojnë e kushtëzojnë Kosovën, që për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës të shpërblejë Serbinë me asociacionet e pakicave serbe si do presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, e jo si thotë kushtetuta e Kosovës?”, deklaron Mehazi.

Veprimet e Këshillit të Evropës dhe BE-së, sipas Mehazit, hapur e qartë përkrahin Serbinë luftënxitëse për të trazuar jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjën- Hercegovinën dhe Malin e Zi.

“ Si është e mundur që Këshilli i Evropës të përzihet në kompetencat e BE-së që është e kyçur me përgjegjësi për dialogun paqësor në mes Kosovës dhe Serbisë? Veprimet e Këshillit të Evropës dhe BE-së hapur e qartë përkrahin Serbinë luftënxitëse për të trazuar jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Kushtëzimet e evropianëve ndaj Kosovës kurrsesi nuk janë paqësore, por nxitje konfliktesh e luftërash ballkanike. Edhe pse ditëve përflitet për zgjedhje të reja, po rezultatet e këtyre zgjedhjeve të reja nuk do dilnin si duan Serbia, BE-së e KiE për shkak se do fitonte përsëri LVV-ja e Kurtit, pasi qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se vetëm Albin Kurti është ai që do të mbrojë denjësisht Kosovën nga Serbia”, shton analisti.

Kujtojmë se Kosova ka “dështuar” të hyjë në agjendën për t’u anëtarësuar në KiE, pas thirrjes së tri shteteve: Gjermania, Franca dhe Italia, që të bëhen hapat konkretë lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat