Çështja e Asociacionit kohëve të fundit sikur është duke u diskutuar edhe më shumë.
Formimi i tij tashmë po duket i pashmangshëm, mirëpo të dëmshmë për vendin kanë vazhduar ta shohin qeveria e vendit.
E së fundmi në ditën e tij të fundit të mandatit si Emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Përëndimor, Gabriel Escobar, ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Escobar ka thënë se do të duhej të insistonin më shumë në implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sesa që t’i bënin palët bashkë, meqë tha se kanë vërejtur në disa raste mungesë të vullnetit për këtë.
“Ne do të duhej të insistonim më shumë në implementim e Asociacionit sesa në ndërmjetësimin që dy palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste ne kemi vërejtur mungesën e vullnetit në të dy palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.
Kujtojmë që Gjermania, Franca dhe Italia kanë kërkuar formimin e Asociacionit.
Mirëpo si do të jetë përgjigjja e Qeverisë së Kosovës?
Elezaj: Escobar ka mbajtur anën e Vuçiqit në vazhdimësi
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.
Ai thotë se Escobar njihet për deklaratat e tij të forta kundër Kosovës, duke kërkuar formimin e Asociacionit në vazhdimësi, edhe këto ditë.
“Z. Gabriel Escobar, si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimorë, për më shumë se dy vite në këtë mision, njihet për qëndrimet e tij mjaftë të forta ndaj Kosovës, sidomos kur bëhej fjalë për interesat e serbëve në Kosovë, në veçanti rreth formimit të Asociacionit për komunat me shumicë serbe (AKS), duke insistuar gati në çdo takim me zyrtarët e Kosovës si dhe në paraqitjet e tij në media, se qeveria e Kosovës duhet ta formojë atë pa humbur kohë. Madje, me një rast kishte deklaruar, “se Kosova do ta formojë AKS, qoftë me Albin Kurtin qoftë pa edhe të”, ngase ky është një obligim shtetëror i Kosovës, të cilin ajo duhet ta përmbushë pa hezitim, këtë e kërkonte shpeshherë dhe me ngulm G. Escobar”, u shpreh ai.
Më tej, analisti theksoi që me këto deklarata Escobar tregon edhe njëherë që ka mbajtur anën Serbisë dhe se presionin për Asociacionin nuk do ta ndaloj
“Ndërsa, kur është fjala për porosinë e tij, se duhet insistuar më shumë në implementimin e AKS, se sa me i bërë bashkë palët, meqë, siç paska vërejtur ai, për këtë ka munguar vullneti i duhur, duke aluduar qartë në palën e Kosovës thënë më së buti, mos përfundimi me sukses i dialogut Kosovë-Serbi gjatë mandati të tij, në masë të madhe ishte dështim i tij personal, ngase tërë fokusin e angazhimit të tij e kishte përqendruar, se si të formohet AKS në veri, dhe jo si të përfundojë dialogu mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në konflikt shekullor mes tyre, si kusht për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin perëndimorë, duke bërë presion enorm diplomatik mbi qeverinë e Kosovës, në vend që ta detyronte Beogradin zyrtar që ta njeh pavarësinë e Kosovës.
Pra, ka qenë e qartë, se gjatë mandatit të tij mbi dyvjeçar, ai në mënyrë të pa diktuar ia mbante anën A. Vuçiqit, duke ndikuar tek z. M. Lajçak dhe J. Borrell që edhe ata ta shtojnë presionin dhe kërkesën ndaj qeverisë së Kosovës, që ta themelojë AKS, madje deri në masën e ndëshkimit të Kosovës me masa financiare, të cilat ende janë në fuqi”, shpjegon analisti.
Ndër të tjera, analisti thekson që kushtëzimi nga tri shtetet së fundmi është një tregues që kanë mundur të jetë dirigjuar nga Escobari.
“Dhe, sipas vlerësimit tim, kushtëzimi që iu bë Kosovës për anëtarësim në Këshillim e Evropës, me dërgim në Gjykatën kushtetuese të Draft-Statutit të AKS, ka qenë sugjerim i tij, që Gjermania dhe Franca, si presion mbi qeverinë Kurti, në minuat e fundit të misionit të tij ndërmjetësues në Ballkanin perëndimorë, të shpëton atë që mund të shpëtohet nga dështimi i tyre i përbashkët në arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do kishte qenë sukses i BE-së dhe SHBA-ve, gjë të cilën për shumë arsye nuk arritën ta bëjnë”, foli Elezaj për “Bota sot”.
Mehmeti: Presionin për Asociacion është i padrejt
Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që presioni për Asociacionin është i padrejtë dhe kundër Kushtetutes.
“Presioni për Asociacion është i padrejtë, derisa Serbisë nuk po i bëhet asnjë kushtëzim për gjithë ato të këqija që bën. Zullumi që Serbia bën, kalon pa ndëshkim, derisa presioni ndaj Kosovës rritet për diçka që në thelb është kundër Kushtetutes”, tha ai.
Në fund, analisti përfundoi duke thënë që Escobar po e përmbyll misionin ashtu siç edhe e nisi duke favorizuar Serbinë.
“Deklaratat e Escobarit është në vazhdën e pozicionit të tij më favor të Serbisë dhe Vuçiqit. Kosova nuk është e detyruar të cenoj shtetësinë e saj çdo herë që një emisar në favor të Serbiaë kërkon diçka për të përmbushur apetitet e Serbisë. Me pak fjalë, Escobar po e përmbyll misionin ashtu siç edhe e nisi duke favorizuar Serbinë, derisa presioni ndaj Kosovës është i padrejtë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.