Kosova dështoi të përfundojë procesin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, ndonëse ishte paraparë që kjo të ndodhte të enjten, më 17 maj.
Ndonëse në muajin prill, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni për anëtarësim, përmes aprovimit të raportit të Dora Bakoyannis, gjërat ndryshuan gjatë kësaj periudhe.
Shkak për këtë është kushti që shtetet e fuqishme anëtare si Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë vendosur Kosovës, me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të enjten, Qeveria e Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert. Gërvalla tha se ky draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Mirëpo, letrën e Qeverisë së Kosovës, shtetet anëtare e konsideruan si të vonshme. Ato kërkuan fillimisht formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe pas tij, anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Reagimet e Francës dhe Gjermanisë, i ka komentuar profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po i përmbahet parimit të tij dhe se ai nuk heq dorë nga sovraniteti i Kosovës, as për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
“Reagimet e mprehta franceze dhe gjermane ndaj refuzimit të kryeministrit Kurti për t'u dorëzuar për çështjen e Asociacionit, edhe nëse kjo nënkupton dështimin për të arritur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, reduktojnë qartë shanset që kjo të ndodhë. Kurti me sa duket do t'i përmbahej parimeve të tij dhe nuk do të bënte një lëshim të madh për sovranitetin e Kosovës për hir të pranimit në një institucion të fuqishëm evropian”, ka deklaruar eksperti Kanin për “Bota sot”.
Ai ka komentuar edhe gatishmërinë e kryeministrit Kurti për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, të njëjtat do të dëshmonin se ai ka mbështetjen e fuqishme të popullit për Asociacionin.
“Thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë kontekst ka kuptim të mirë nëse Kurti është i bindur se do të fitojë. Një fitore zgjedhore do të ishte dëshmi e fuqishme e mbështetjes popullore për linjën e tij të ashpër ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Natyrisht, nëse ai humbet, ndërkombëtarët do të dyfishojnë përpjekjet për ta detyruar Kosovën të zbatojë përfundimisht marrëveshjen e vitit 2013”, ka theksuar David Kanin për gazetën “Bota sot”.
Zgjedhjet e reja parlamentare, po i kërkojnë edhe partitë opozitare. Sipas PDK-së, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin jo më larg se muajt e verës./Botasot