“Prishi planin me Vuçiqin, Rama përpiqet ta poshtërojë Kurtin”/ A ishte ky mesazhi në Kotor?

Politika

“Prishi planin me Vuçiqin, Rama përpiqet ta poshtërojë Kurtin”/ A ishte ky mesazhi në Kotor?

Nga: P.R Më: 20 maj 2024 Në ora: 18:58
Foto nga takimi

Para disa ditësh shefat e shtetit e kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Kotor të Malit të Zi. Nga gjashtë vende të këtij rajoni tri prej tyre u përfaqësuan nga kryeministra me kombësi shqiptare, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti kryeministër i Kosovës, dhe Talat Xhaferi kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Por nga pamjet që u publikuan nga Kotori, ra në sy sjellja aspak e hijshme që Edi Rama kishte ndaj Albin Kurtit, gjë e cila u kritikua ashpër nga opinioni publik.

E në një prononcim për gazetën “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se Edi Rama edhe njëherë haptas shprehu mospajtimet që ka me Albin Kurtin.

Në zakonin shqiptar kur lindte djali i tretë ishte gëzim shumë i madh. Sepse nëse zihen dy vëllezër, është një i tretë që hyn në mes tyre për t’i pajtuar. Sipas kësaj tradite do të duhej që takimi i Kotorit të ishte samit i harmonisë së të gjithë pjesëmarrësve, e sidomos midis tre kryeministrave shqiptarë, atij të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por nuk ndodhi kjo që thamë më lart. Nuk e di pse “vëllai” i tretë nuk luajti asnjë rol për këtë. Kryeministri Rama dhe kryeministri Kurti u shfaqën dukshëm me qëndrime të kundërta dhe në marrëdhënie ftohtësie midis tyre. Një video virale tregon se si zoti Rama e injoron prezencën e Kurtit në samit. Ndërsa gjithë pjesëmarrësit e tjerë, përfshirë dhe ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan, O’Brien, ngrihen në respekt të kryeministrit të Kosovës dhe bisedojnë me të njerëzisht, Edi Rama ia jep ulur dorën homologut të tij nga Kosova. Ishte injorim total. Ishte një ndjenjë dhe shenjë se Rama nuk pajtohet me Kurtin. Ishte një demonstrim pakënaqësie për qëndrimet e Kurtit në mbrojtje të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Unë së paku besoj në këtë lloj konsekuence të kryeministrit Kurti”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, afrimiteti i Ramës me Vuçiq ishte dukshëm ndryshe.

“Miqësor, në përqafim të përhershëm. I kënaqur dhe madje entuziast të dy bashkë për maimnte në sy qartazi se kryeministri i Shqipërisë i qëndron besnik miqësisë dhe vëllazërim-bashkimit me Serbinë dhe i pakënaqur me qëndrimet e kryeministrit të Kosovës. Le të jemi të qartë. Është e vërtetë se Kurti nuk i është përgjigjur sjelljeve dhe qëndrimeve të Edi Ramës për Kosovën. Ai ishte kundër të gjitha nismave Rama-Vuçiq, si për ndarjen e Kosovës, për Open Balkan e të tjera qëndrime të Edi Ramës në pajtim me Serbinë. Nuk është pajtuar me kërkesat e kryeministrit të Shqipërisë për të bërë kompromise për asociacionin dhe raste të tjera. Është dëshpëruar për kritikat e Ramës në rastin e celebrimit të kryetarëve të Komunave në veri. Është trishtuar për deklaratën e Ramës se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, menjëherë pas aktit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023! E të tjera si këto”, shton Bytyçi.

Bytyçi madje thotë se Edi Rama në çdo samit ndërkombëtar, tenton që ta poshtërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Por në këto raste duhej që Albin Kurti të shprehte sjelljet e Ramës dhe jo Rama të sillet si i huaj dhe inatçor ndaj Kurtit. Sepse këto deklarata nuk janë të Kurtit për Shqipërinë, por të Ramës për Kosovën. Me këtë dua të them se Edi Rama edhe kur është fajtor gati 100 përqind për sjelljet e tij arrogante dhe të dëmshme për Kosovën, mban kokën me një anë dhe prapanicën ngjit me kolltukun, me qëllim që ta injorojë kryeministrin e Kosovës. Nuk ka rast të dytë kjo sjellje në marrëdhëniet Kosovë-Serbi e madje zor të ketë ndodhur edhe në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Mund të mos pajtohesh me tjetrin. Dhe Rama nuk pajtohet me qëndrimet politike të Albin Kurtit. Në vend të shpjegojë pse nuk pajtohet, në vend të ulet e dialogojë, përpiqet ta poshtërojë Albin Kurtin. Jo ta injorojë, por ta poshtërojë. Ky ishte mesazhi në Kotor”.

Bytyçi thekson se Kurti ishte ai që i prishi planet e Ramës me Vuçiqin.

“Megjithatë, në një intervistë të këtyre ditëve Edi Rama e ka zbuluar shkakun e këtij qëndrimi. Sipas tij kandidimi i Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 i paska prish ekuilibrat midis dy kryeministrave. Por kjo është thjesht alibi. E vërteta është se Albin Kurti ia prishi planet si Ramës edhe Vuçiq, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Përkrahja ndaj VLEN dhe dalja nga pjesëmarrja në qeverisje e BDI-së klienteliste të Ramës është arsyeja e qëndrimit arrogant e të paedukatë të kryeministrit shqiptar në Kotorr. Kjo ishte goditje e rëndë për planet e Beogradit në Ballkan e sidomos në Kosovë”, shpjegon Bytyçi.

“Rama ka vënë të gjithë altoporlantët e medias së tij ta paraqesë kryeministrin Kurti si shkaktarin e “përçarjes” së shqiptarëve në Maqedoni. Por aty nuk kishte përçarje. Pjesa pro-Kosovës thjesht iu kundërvu pjesës pro Open Balkan-it serb. Kjo ishte e domosdoshme. Nëse bashkimi bëhet duke i hap rrugë hegjemonisë serbe në rajonin tonë, atëherë ky bashkim nuk është bashkim i shqiptarëve, por bashkimi i shqiptarëve me serbët kundër vetvetes! Këtë kërkon Edi Rama! Të gjithë politikanët shqiptarë kudo që janë të bashkohen rreth tij për të realizuar projektet e Serbisë në Ballkan. Për Ramën, nëse nuk ndodh kjo, atëherë kundërshtarët e tij konsiderohen përçarës”.

“Në këto kushte duhet ruajtur uniteti i politikanëve anti-serbë në Kosovë e kudo. Rama dhe Vuçiq po përpiqen t’i përçajnë institucionet e Kosovës. Kjo nuk duhet të ndodhë. Kurti duhet të mos tundohet nga metodat autoritariste dhe duhet të bashkëpunojë me çdo aktor në Kosovë e kudo tjetër. Zonja Osmani, do të duhet ta zgjidhë ndonjë mosmarrëveshje përmes kontakteve dhe dialogut institucional. Vetëm me një harmoni të përbashkët mund të përballohen sfidat që po ia krijojnë Kosovës disa politikanë shqiptarë që bashkëpunojnë me Beogradin!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat