Për shkak të asociacionit, Kosova humbi momentumin për anëtarësim në KiE – ekspertët: Ja kur mund të ketë një shans të dytë

Politika

Për shkak të asociacionit, Kosova humbi momentumin për anëtarësim në KiE – ekspertët: Ja kur mund të ketë një shans të dytë

Nga: P.R. Më: 20 maj 2024 Në ora: 21:33
Ilustrim

Edhe pse ishte gati pothuajse punë e kryer, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dështoi. Krejt kjo për shkak të kushtit të ri,  Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë kjo tash e sa kohë e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Ndonëse Qeveria e Kosovës tentoi që përmes një letre t’i bindë ndërkombëtarët, Kosova humbi një mundësi, që nuk dihet se kur do t’i vijë sërish, që kjo e fundit të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, përveç bashkësisë ndërkombëtare, fajtor e bëjnë edhe Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre u vonua në hapa për Asociacionin e Komunave serbe.

Kush është fajtor?

Image
Drizan Shala

“Mos anëtarësimin në KiE kësaj radhe padyshim faktori fajtor është edhe i brendshëm, pra Qeveria e Kosovës dhe ai i jashtëm, lobimi Serbisë. Meqë procesi në nivelin diplomatik të Kosovës ka marr teposhtëzen duke prishur edhe raportet ndërshtetërore me partnerët tanë të cilat ishin formësuar nga vitet e 80 e tutje, ku nga e ashtu quajtur "ecja e pijanecit" në diplomaci e ka karakterizuar qeverinë në vendimmarrje, që e ka karakterizuar edhe sferën e sigurisë në vend, duke rrezikuar edhe sigurinë e saj”, shprehet eksperti Drizan Shala.

Sipas tij, Serbia ka shkelur komplet marrëveshjen e Ohrit.

“Në aspektin e jashtëm te fajtori Serbi, kjo e fundit bëri shkeljet e saj duke nxitur, suportuar dhe financuar një sulëm terrorist në veri të  vendit, si dhe duke shkelur marrëveshjen evropiane dhe aneks marrëveshjen e Ohrit, duke lobuar aktiv kundër rrugës së Kosovës drejt KiE”, shton Shala.

Por, kur mund ta ketë Kosova përsëri mundësinë që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës?

“Faza aktuale mund të quajmë hapësirë të status qoues duke futur Kosovën në një rrugë e cila në plan afatgjatë paraqet rrezik edhe politik, por edhe të sigurisë në mos avancim të detyrimeve shtetërore në drejtim të faktorit ndërkombëtar”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Kosova e humbi momentumin

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri shprehet se Kosova e ka humbur momentumin për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Kosova ka humbur një momentum shumë të volitshëm që të anëtarësohej në Këshillin e Evropës si pasojë e mungesës së vullnetit të  qeverisë së Kosovës që ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, draft-propozimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, deklaron Haziri.

“Kjo u bë nga ana e qeverisë së Kosovës, apo më mirë të themi nga kryeministri Kurti, për shkaqe elektorale që mos të shkonte në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke qenë apo hyrë në procesin e formimit të AKS-së, diçka që vet Kurti dhe organizata politike të cilën ai e drejton e kishin kundërshtuar edhe më dhunë duke e shndërruar kundërshtimin po ashtu edhe në kauzë politike përmes së cilës edhe erdhi në pushtet”, shpjegon Haziri.

Më tej, ai thotë se Asociacioni që nga fillimi ka qenë kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nuk ka të bëjë asgjë me "anshmëri" të aleatëve tanë ndaj Serbisë, por dështimi për anëtarësim në KiE, ishte duke mos  plotësuar një nga kushtet siç ishte edhe dërgimi i AKS-së në Kushtetuese nga ana e kryeministrit Kurti i cili në vend se ti shihte interesat e vendit, ai kalkuloi me interesa elektorale”.

Haziri e quan një rrugë të vështirë për Kosovën anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Se kur do të përsëritet ky momentum, është vështirë të thuhet se mund të arrihet në këtë vit, duke pasur parasysh se BE tani në qershor futet në zgjedhje dhe më pas periudha tranzitore e pushtetit apo vendosja e  udhëheqjes së re në institucionet e BE, lë shumë pak për të shpresuar se anëtarësimi i Kosovës mund të vije në rend dite në komitetin e ministrave të jashtëm të KiE. Pastaj nuk dihet se cilat forcë politike do të mbizotërojnë në mandatin e ardhshëm në strukturat e BE”, thekson Haziri.

“Por kurdo që Kosova do të marrë një dritë jeshile për të proceduar tutje në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, kushti i parë dhe më i rëndësishmi që duhet ta plotësoj dhe që do t'i kërkohet është procedimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Secila qeveri që do të vije në Kosovë, do ta ketë këtë kushtëzim, po them secila qeveri pasi zgjedhjet parlamentare në Kosovë priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ndoshta, periudha më optimale për Kosovën sa i përket procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat