“Opozita mund të pësojë debakël”/ Zgjedhje të reja përmes dorëheqjes së Qeverisë apo shpërndarjes së Kuvendit – flasin analistët

Politika

“Opozita mund të pësojë debakël”/ Zgjedhje të reja përmes dorëheqjes së Qeverisë apo shpërndarjes së Kuvendit – flasin analistët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 maj 2024 Në ora: 08:01
Liderët e partive opozitare

Zërat për zgjedhje të parakohshme po vazhdojnë të jenë prezente nga opozita por edhe nga vet partia në pushtet.

Partitë politike që momentalisht janë në opozitë po kërkojnë që kryeministri Kurti të jap dorëheqje.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqqeverisje në ekonomi dhe sektorë të tjerë, për çka thotë se kryeministri duhet të jap dorëheqje pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Ndër të tjera është edhe AAK që po kërkon zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

Ish-ministri Financave, njëherit anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Haki Shatri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të duhet të ofrojë dorëheqjen dhe jo të kërkojë shpërndarjen e legjislaturës së Kuvendit të Kosovës.

Ai mendon se thirrja që i ka bërë Kurti opozitës, ka qenë e vonuar pasi i ka injoruar deri tash dhe tash në fund të mandatit po i thërret.

Sipas tij, kryeministri aktual që nga marrja e pushtetit i ka injoruar në formën më të ultë, krejt subjektet tjera politike që janë në opozitë dhe për këtë arsye ky kryeministër sipas Shatrit duhet të dorëhiqet.

Mirëpo si shihet kjo ‘zhurmë’ e vazhdueshme e opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqje të kryeministrit Kurti?

Tahiraj: Pikëpyetje, përqindja e njëjte e votueseve në rast të zgjedhjeve për LVV

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Saim Tahiraj.

Ai përmendi disa nga gjërat e gabuara që sipas tij Qeveria Kurti i ka bërë.

Image
Saim Tahiraj.

Sipas tij, nuk kemi njohje të reja dhe se zgjedhjet e radhës mund të mos jenë në përqindje të lartë siç kanë qenë herën e kaluar.

“Fillimisht, mendoj se nuk ka kurrfarë arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme pasi që kanë mbetur edhe disa muaj deri në zgjedhje të rregullta. Ky është vetëm një taktizim i radhës i Kurtit, ku do e shfrytëzojë si kartë të rëndësishme mos-dërgimin e asociacionit në kushtetuese. Zgjedhjet e parakohshme janë interes dhe favorizojnë vetëm VV dhe Kurtin, për disa arsye. E para, dështimi në politiken e Jashtme, asnjë njohje nuk e kemi, vendi nën sanksione, mospranimi në KE, mos-koordinim dhe ftohje e marrëdhënieve me aleatet të cilët jenë garantues të ekzistencës së shtetit tonë. E dyta, dështim në të gjitha politikat e brendshme, Ekonomi, Arsim, Kulturë, infrastrukturë etj. E treta, korrupsioni, nepotizmi e shumë gjëra tjera negative. Për të gjitha këto dështime të Qeverisë Kurti, vetëm zgjedhjet e parakohshme do ua shpëtojnë fytyrën para elektoratit që e kanë votuar. Qëllimi i ti është të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, fushatën ta zhvillojë me kartën kryesore të asociacionit duke u mburrë se; unë nuk e dërgova në Kushtetuese, se unë nuk shantazhohem, se unë nuk ju nënshtrohem ndërkombëtarëve e përralla tjera. Me këtë propagandë, ka gjasa reale të dali e para, jo me at përqindje mbi 50% andaj po kërkon aleat nga brumi i njëjtë. Si duket e ka gjetur PDK-në nga e cila edhe ka lindur VV-ja”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, ai shton që opozita e mbetur është e dobët ta dërgoj Kurtin në dorëheqje mirëpo që fuqizimi i së djathtës në Kosovë do e qoj vendin drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

“Asociacioni mbetet mbi tavolinë si një obligim që është zotuar ta realizoj, dhe pasi t’i fitoj zgjedhjet do e dërgojnë në Kushtetuese. Pra ky është skenari i Kurtit që aq shumë dëme po i sjellë Kosovës. Partitë opozitare LDK, AAK nuk janë të interesuara të shkojnë në zgjedhje sepse sondazhet tregojnë rezultate jo të favorshme për to, andaj bëjnë taktizime të tilla. Nëse vendi do shkoj në zgjedhje të parakohshme, e si duket do shkoj sepse është interes i VV-së, Kryeministri Kurti do të duhej të japë dorëheqje duke kërkuar falje popullit për të gjitha këto dështime. Por kjo nuk do të ndodhë sepse ka gjetur aleatin e vet, nënën e saj gjenerike PDK-në që do e shpëtoj fytyrën e tij dhe do shkojnë në shpërbërje të Kuvendit. Opozita e mbetur është shumë e dobët për të detyruar forma tjera, si dorëhëqjen e Kryeministrit. LDK-së i mbetet për të punuar shumë me elektorat, të kthehet në shtratin e sajë tradicional, ti kthejë aktivistet besnik të sajë të cilët i ka lënë anash, të punoj me partitë aleate të djathta dhe t’i fuqizojnë ato. Vetëm fuqizimi i së djathtës në Kosovë do e qoj vendin drejt zhvillimit dhe prosperitetit”, foli Tahiraj për “Bota sot”.

Ahmeti: Nëse shkohet në zgjedhje në këtë konstalacion forcash, opozita mund të pësojë debakël

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që kryeministri Kurti përballë kërkesës opozitare është se zgjedhjet kanë afate ligjore e kushtetuese, nëse ata duan zgjedhje mund ta shpërbëjnë Parlamentin.

Image
Hidajet Ahmeti

Deklarativisht, kryeministri Kurti ka paraqitur qëndrimin e tij se nëse nuk duan zgjedhje, atëherë e përfundojë mandatin deri në fund. Qëndrimi i tij përballë kërkesës opozitare është se zgjedhjet kanë afate ligjore e kushtetuese, nëse ata duan zgjedhje mund ta shpërbëjnë Parlamentin, duke u ndihmuar edhe nga Vetëvendosje”, foli ai.

Në fund, analisti thotë që retorika opozitare nuk jep imazhin e një qëndrimi subjektiv, pasi objektivisht nuk qëndrojnë mirë në sondazhet e brendshme.

“Nuk mendoj që ka ndonjë skandal apo arsye shumë të fortë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi edhe zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë ndryshime radikale. Retorika opozitare nuk jep imazhin e një qëndrimi subjektiv, pasi objektivisht nuk qëndrojnë mirë në sondazhet e brendshme. Përmes narracionit fiktiv po duan të ndërtojnë opinion publik, por qytetarët janë vetëdijesuar dhe nuk besojnë në narracione të tilla. Nëse shkohet në zgjedhje në këtë konstalacion forcash, opozita mund të pësojë debakël”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, Grupet parlamentare nuk arritën të pajtohen të hënën për thirrjen e një seance parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, megjithëse e gjithë opozita ka kohë që kërkon vazhdimisht që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat