Ben-Meir tregon pse Gjermania, Franca dhe Italia ia refuzuan Kurtit përpjekjet për KiE: Çka mund të ndodhë me Asociacionin?

Politika

Ben-Meir tregon pse Gjermania, Franca dhe Italia ia refuzuan Kurtit përpjekjet për KiE: Çka mund të ndodhë me Asociacionin?

Nga: A.Zh Më: 21 maj 2024 Në ora: 12:00
Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Albin Kurti dhe Olaf Scholz

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ky i fundit po kërkohet nga shtetet e fuqishme anëtare të KiE, Franca, Gjermania dhe Italia, si kusht që Kosova të bëhet anëtarja e 47-të e KiE-së.

Sipas ekspertit amerikan, këto tri shtete nuk presin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të miratojë Asocacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Perspektiva në këtë moment që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës pa rënë dakord më parë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, praktikisht nuk ekziston. Gjermania, Franca dhe Italia në veçanti e bënë të qartë shumë javë më parë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës duhet të paraprihet nga zbatimi i Asociacionit nga Kosova. Përpjekja e kryeministrit Kurti për ta kthyer këtë duke u bërë fillimisht anëtar i Këshillit të Evropës në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, thjesht u refuzua, sepse të tre vendet nuk besojnë apo presin që Gjykata domosdoshmërisht të miratojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, dhe mund ta gjejë atë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Ben-Meir për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka humbur besueshmërinë e tij në KiE.

“Për më tepër, Kurti në thelb e ka humbur kredibilitetin e tij në Këshillin e Evropës dhe më tej, Këshilli i Evropës nuk pritet ta vendosë në agjendën e komitetit të ministrave shqyrtimin e pranimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë profesori.

Ndonëse ishte paraparë që procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE, të kryhej me 17 maj, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kosova në prill mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni për anëtarësim në këtë organizatë. Mirëpo, më pas kryeministri Kurti zbuloi se shtetet anëtare i kanë vendosur Kosovës kusht anëtarësimin, me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të enjten e kaluar, Qeveria e Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert. Gërvalla tha se ky draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Mirëpo, letrën e Qeverisë së Kosovës, shtetet anëtare e konsideruan si të vonshme. Ato kërkuan fillimisht formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe pas tij, anëtarësimin e Kosovës në KiE./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat