Kush e la të lirë Enver Sekiraqën? Juristët: Arratisja e një recidivisti, dështim i sistemit të drejtësisë!

Politika

Kush e la të lirë Enver Sekiraqën? Juristët: Arratisja e një recidivisti, dështim i sistemit të drejtësisë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 maj 2024 Në ora: 18:06
Enver Sekiraqa

Enver Sekiraqa është arratisur.

Dhe nga e shtuna po vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Derisa, më 03.05.2024 ishte liruar të mbrohej në liri por që tashmë i njëjti me vendimin e Apelit duhet të kthehej në paraburgim derisa aktgjykimi i Themelores të marrë formën e prerë.

Kurse, Policia kishte njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi.  Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë”, thuhej në përgjigjen e policisë.

Avokati Tomë Gashi, rreth kësaj për “bota sot”, ka folur shumë shkurt, duke thënë se është lëshim i gjykatës nëse kjo është e vërtetë.

“Shumë shkurt, është lëshim i gjykatës nëse kjo është e vërtetë”, thotë Gashi.

Bajraktari: Këtë rast duhet ta trajtojë Këshilli Gjyqësor

Image
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, për “Bota sot” thotë se ky rast dëshmon dështimin e sistemit të drejtësisë duke shtuar se këtë çështje duhet ta trajtoi Këshilli Gjyqësor.

“Ky rast dëshmon dështim të sistemit të drejtësisë, ngase kemi stërzgjatje të procesit gjyqësor dhe ende nuk kemi verdikt final.

Po ashtu mos shqiptimi i asnjërës nga masat për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, për mua ka qenë i habitshëm, ngase besoj se janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e ndonjërës nga masat, gjë të cilën e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit.

Këtë rast duhet ta trajtoi Këshilli Gjyqësor, dhe atë sa më parë që të jetë e mundur dhe t’i jep përgjigje publikut për çështjet që janë ngritur mbase me të drejtë, se si ka ardhur tek një veprim i tillë”, deklaron avokati Bajraktari.

Burjani: Recidivistët e veprave penale nuk mund të lihen në format e tjera ligjore gjysmë të lirë apo të kushtëzuar

Image
Blerim Burjani

Jursiti Blerim Burjani, deklaron se personat e veprave të tilla nuk duhet të lihen të lirë apo edhe në arrest shtëpiak, duke shtuar se këtë çështje e kanë në dorë organet e rendit.

“Kjo çështje është e organeve të rendit është domen i plotë i policisë të merret me rastin. Mund të jetë vlerësimi i gabuar për të lënë të lirë apo në arrest shtëpiak apo forma tjera, Recidivistët e veprave penale nuk mund të lihen në format e tjera ligjore gjysmë të lirë apo të kushtëzuar, arsyet gjithmonë i vlerësojnë organet, pra tash mbetet në duart të organeve të ndjekin sipas procedurave ligjore”, shprehet ai.

Kurse, sot me vendim të Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është suspenduar gjyqtari Agim Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat