Profesori i ashpër me ndërkombëtarët - tregon prapaskenat e kushtëzimit të Kosovës me Asociacionin!

Politika

Profesori i ashpër me ndërkombëtarët - tregon prapaskenat e kushtëzimit të Kosovës me Asociacionin!

Nga: M.Haziri Më: 22 maj 2024 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e një Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.

Çështja e Asociacionit arriti të ndikojw edhe në agjendën e KiE-së duke mos u lejuar Kosova të vazhdojw procesin dhe duke kushtëzuar me Asociacion.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Dr. Enver Bytyçi.

Ai thotë se kushtëzimi i Kosovës me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë.

Image
Profesori universitar Dr. Enver Bytyçi

Profesori theksoi që ajo që zhgënjeu më shumë në këtë mes është qëndrimi i SHBA dhe Gjermanisë.

Kushtëzimi i Kosovës me krijimin e anotacionit të Komunave me Shumicë Serbë për pranim në Këshillin e Evropës ishte një mëkat dhe një ngjarje e hidhur, e padrejtë, jo produktive dhe e shëmtuar. Fatkeqësisht këtë kushtëzim e reklamuan tri vende perëndimore, të cilat jo vetëm e kanë njohur shtetin e Kosovës, por edhe betohen çdo ditë se do të punojnë për formësimin e plotë të tij.

Ajo që zhgënjen më shumë lidhet me faktin se këtij kushtëzimi iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Franca është e njohur për qëndrimet e saj pro Serbisë. Për mua nuk ka rëndësi shumë arsyeja pse këto shtete penguan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Se është ose jo Serbia lobuese tea to për ta realizuar politikën e saj të bllokimit. Që Serbia është kundër Kosovës, kundër pavarësisë dhe shtetësisë së saj, kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, kjo është e njohur tashmë. Serbia kurrë nuk do të pajtohet me Kosovën shtet Sovran e të pavarur, edhe nëse bisedimet zgjasin 100 vjet”, u shpreh ai.

Të çuditshme veprimet e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës

Në bisedë e sipër profesori e sheh këtë situatë me ndërkombëtarët enigmë, duke mos kuptuar qasjen që të njëjtat kanë me Serbinë.

Ajo që më trishton ka të bëjë me faktin se ndërsa Kosova e Serbia kanë pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, e cila detyron Serbinë të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në, janë vetë sponsorët e asaj marrëveshje që pengojnë Kosovën në këtë rrugëtim. Janë Gjermania dhe Franca ato që me bekimin e SHBA-ve hartuan Marrëveshjen e Brukselit, të cilën Kurti dhe Vuçiq e pranuan në shkurt 2023. Pranuan gjithashtu sekuencimin e zbatimit të saj në mars të atij viti. Tani janë këto vende, të cilat shkelin një marrëveshje, të cilën vetë e hartuan dhe e imponuan.

Pse po e bëjnë këtë? Sepse duan që t’i japin akses Serbisë të jetë e pranishme në Kosovë. Kjo si kusht që ajo “të afrohet me Perëndimin”! Por në fakt kjo nuk do të ndodhë, edhe nëse Perëndimi ia jep krejt Kosovën Serbisë. Pakti Perëndim-Serbi jo vetëm që është i pandershëm, por edhe jo produktiv, jo realist, jo i zbatueshëm. Aleksandër Vuçiq e konfirmoi këtë që po them, kur krijoi qeverinë e re me të gjithë anëtarët e kabinetit besnikë të deklaruar të Moskës. Vetë bën sikur është besnik i Kinës”, foli ai.

Është përzgjedhur politika e mbështetjes së Vuçiq në këmbim të zbutjes së zemërimit të tij

Sipas profesorit Perëndimi ka filluar ta mbështes Vuçiqin, në vend se të merret me padrejtësitë e tij.

Bytyçi shprehet skeptik për vëmendjen e duhur ndaj Kosovës në procesin e dialogut.

Nga ana tjetër ne kemi mësuar për më shumë se tri dekada, se perëndimi i përmbahet vlerave, d.m.th. të drejtës dhe arsyes. Në rastin konkret po përkrahet politika e një presidenti autokrat të lidhur me grupe mafioze e kriminale, madje dhe me grupe terroriste, nëse kemi parasysh shkrimet e medieve perëndimore. Pra po përkrahet në politikat e tij destruktive e mashtruese një president si Aleksandër Vuçiq i cili sundon me mjete dhune në vendin e tij dhe kërcënon çdo ditë paqen dhe stabilitetin e rajonit. E kuptoj se është përzgjedhur politika e mbështetjes së Vuçiq në këmbim të zbutjes së zemërimit të tij kundër Perëndimit. Por kjo po ndodh në një rrugë padrejtësie jo vetëm morale, por edhe institucionale për Kosovën.

Kur vendet e lartpërmendura njohën pavarësinë e Kosovës ishin liderë të tjerë. Ishte George Ë. Bush, Sarkozi dhe Angela Merkel. Sot kemi liderë të tjerë. Por dua të them se presidentit të sotëm amerikan as i shkon mendja se çfarë bëhet me Kosovën. Ndërsa Macron ka gjet hapësirë për të imponuar politikat e tij pro-serbe. Prandaj ndodh kjo, që po ndodhë. Nuk ka vëmendje, nuk ka aq shumë interes te Kosova. Nuk ka as përpjekje për ta çuar deri në fund procesin e shtetësisë dhe pavarësisë së saj dhe pranimit në organizatat ndërkombëtare”, foli ai.

Në fund, profesori fajëson Gjermanin, Francën dhe Italinë për vendimin ndaj Kosovës për në KiE.

“Refuzimi i shqyrtimit të vendimit të Asamblesë Parlamentare nga ana e Komitetit të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ishte thjesht një akt i paprecedentë. Kur vendos Asambleja Parlamentare nuk mund e nuk duhet të ndodhë që Komiteti i Ministrave të refuzojë shqyrtimin e atij vendimi, as të votojë kundër. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ishte vullneti i Francës, Gjermanisë dhe Italisë që çoi në këtë vendim e sjellje. Të tria këto vende njohëse të shtetësisë. Njohin shtetësinë formalisht, por pengojnë formësimin e saj përmes pranimit në organizatat ndërkombëtare, në rastin konkret në Këshillin e Evropës.

Dhe më e keqja është se këtë refuzim e kushtëzojnë me praninë e Serbisë në Kosovë, jo me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Se duan që Serbia të jetë prezent dhe të ketë mundësi që në të ardhmen e afërt ta shpërbëjë shtetin e Kosovës përmes Asociacionit dhe jo që qytetarët me etni serbe të gëzojnë të drejtat e tyre. Të drejta, të cilat ata i kanë të garantuara me Planin Ahtisaari dhe me kushtetutën e ligjet e tjera të Kosovës. Nuk ka asnjë pakicë në shtetet evropiane, sado e madhe të jetë, të drejta aq sa kanë serbët në Kosovë”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat