“Një shkëndijë mund të ndezë një konflikt”/ Zbardhet “frika” e DASH-it dhe BE-së – Ja pse nuk mirëpriten aksionet shtetërore të Kosovës

Politika

“Një shkëndijë mund të ndezë një konflikt”/ Zbardhet “frika” e DASH-it dhe BE-së – Ja pse nuk mirëpriten aksionet shtetërore të Kosovës

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 22 maj 2024 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Autoritetet në Kosovë kanë kryer të hënën një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës.

Aksioni rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky aksion u bë me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, në atë pjesë, duke shtuar se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.

Por, këtë aksion nuk e pritën mirë ndërkombëtarët.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës më 20 maj.

"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat".

Edhe nga BE kanë reaguar për këtë aksion, duke e cilësuar atë si përshkallëzues dhe të njëanshëm.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Kurse, nga NATO kanë thënë se janë njoftuar “pak kohë” para se autoritetet e Kosovës të sigurisë të nisnin operacionin në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë më 20 maj.

Rugova: Vlerësoj se presioni duhet bërë mbi Serbinë si faktor destabilizues dhe me pretendime ndaj shtetit të Kosovës

Analisti Naser Rugova, në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se Kosova e ka me rëndësi të madhe koordinim me aleatët strategjikë.

Image
Naser Rugova

“Për Kosovën është me rëndësi të madhe koordinimi me aleatët dhe partnerët strategjik. Në anën tjetër zbatimi i rendit kushtetues dhe ligjshmërisë në tërë territorin e vendit është obligim i institucioneve ligj zbatuese të shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Pavarësisht kësaj, Rugova nënvizon faktin se ligjërisht shteti ka të drejtë të mbyllë veprimtarinë e secilit që e ushtron në mënyrë të paligjshme.

“Situata e brishtë e sigurisë në veri është shqetësim permanent i SHBA dhe BE, ata si ndërmjetës dhe mbështetës të procesit të normalizimit duhet të jenë kritik dhe të bëjnë presion të njëjtë mbi palët. Unë e shoh më tepër si shqetësim të partnerëve tanë në aspektin e ngritjes së tensioneve në veri të vendit, përndryshe ligjërisht shteti ka të drejtë të mbyllë veprimtarinë e secilit institucion që ushtron veprimtari të paligjshme. Vlerësoj se presioni duhet bërë mbi Serbinë si faktor destabilizues dhe me pretendime ndaj shtetit të Kosovës”, deklaron ai.

Shala: DASH-i e ka frikën që një shkëndijë mund të ndezë një konflikt

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se Policia nuk duhet të bie pre e ndikimeve të politikës, duke shtuar se reagimet e ndërkombëtarëve janë shumë serioze.

“Do të duhet që Policia e Kosovës assesi të mos bie pre e ndikimeve politike dhe të vazhdoj tutje zbatueshmërinë e legjislacionit të aplikuar në Kosovë. Pra veprime të tilla të ngjashme mund te kemi ditët dhe javët në vijim në forma të ndryshme por me elemente te caktuara. Por që niveli politik nuk do të duhet fare të involvohet sepse prandaj po pasohet edhe reagimet e DASH-it, i cili është reagim shumë serioz dhe duhet të jetë mesazh për nivelin politik”, thotë ai.

Sipas tij, reagimi i ashpër i DASH-it, është më shumë për Sveçlën se sa për Policinë e Kosovës sepse veprime të ngjashme dhe të tilla nuk do të duhej që të ndërmerren në mënyrë të fshehtë.

Më tej, thotë se frik e DASH-it është që një shkëndijë mund të ndezë një konflikt i cili pa dyshim mund të ketë pikënisjen qoftë në veri.

Mesazhi i DASh-it nuk është për Policinë e Kosovës por është më shumë për ministrin e Punëve të Brendshme, sepse veprime të ngjashëm dhe të tilla nuk do të duhej që të ndërmerren në mënyrë të fshehtë apo klandestin dhe të angazhohen një numër kaq i madh i efektiveve të PK-së në një operacion i cili mund të kishte përfunduar me policë të rendit pa pasur nevojë të involvohen njësitet e specializuara. Sepse dihet që marrëveshja franko-gjermane dhe aneks marrëveshja e përcakton qartazi edhe planin e de eskalimit, dhe veprimet te tilla të njëanshme në këtë kohë të përfaqësimeve të caktuara të rrymave në gjeopolitike dhe gjeostrategjinë dhe tensionet që janë duke u shpërfaqur ne rajon e Ballkani Perëndimor, DASH-i e ka frikën që një shkëndijë mund të ndezë një konflikt i cili pa dyshim mund të ketë pikënisjen qoftë në veri, qoftë në ndonjë vend në rajonin perëndimor. Dhe të mos jetë Kosova shkaktar i këtij problem për të ndikuar ndonjë prishje të ekuilibrit të sigurisë.

Në këtë aspekt ne duhet të mendojmë qartazi që veprimet e tilla se ku po na qojnë, në cilin destinacion, sepse nuk na duhen aksione të tilla qoftë si shkaktar i ndonjë ndryshimi politik të Kosovës. Sepse ne e dimë që politika dhe politikanët të cilët janë në qeverisje tentojnë në çdo kusht të kenë ndonjë aksion të ngjashme siç ka qenë vitet e kaluara sa i përket ngritjes së motivit nacional për ta nxitur me pastaj shkuarjen në zgjedhje. Nuk i duhet Kosovës shkuarja në zgjedhje nën masa dhe tensione te caktuara dhe nën thuprën e DASH-it e cila pa dyshim çdo mëngjes është duke na goditur herë duarve, herë fytyrës si pasoj e pamaturisë politike”, përfundon eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat