Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në axhendën e takimit që ky institucion do ta mbajë nga 25 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.
Kjo është një tentativë e radhës për integrim në struktura euroatlantike, vetëm disa ditë pasi Kosova humbi mundësinë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, pasi në momentet e fundit u shfaq papritur kushti që fillimisht të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Përpjekjet për avancim në BE dhe NATO kanë qenë gjithmonë një sfidë në vete për Kosovën, kjo për shkak të lobimit të ashpër të Serbisë kundër shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Edhe me rastin e aplikimit të Kosovës për të qenë anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Serbia nuk ka qëndruar “duarkryq”.
Kështu, Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd i bëri thirrje përmes një letre Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos e miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në seancën që pritet të mbahet të premten.
Në këtë letër, Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte një vendim i dëmshëm.
“Si një organizatë eksperte që përfaqëson dhe promovon integrimin euroatlantik dhe vlerat e tij për dy dekada, duke përfshirë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë beson se dhënia e statusit të një anëtari të asociuar për Kosovën do të ishte i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
Duke i komentuar këto reagime, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani ka thënë për gazetën “Bota sot” se në këtë mënyrë po rrezikohet paqja dhe stabiliteti i jo vetëm Kosovës, por tërë Ballkanit Perëndimor.
“Reagimet negative të Serbisë kundrejt Kosovës nuk kanë të ndalur edhe në nivelin ndërkombëtar, ku po rrezikohet paqja dhe stabiliteti i jo vetëm Kosovës, por tërë Ballkanit Perëndimor.
Thirrja e Serbisë për ta penguar Kosovën që të jetë anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s padyshim se shton revoltën dhe përshkallëzimin e konfliktit mes dy vendeve. Vetëm një anëtarësim i përhershëm në NATO do ta garantojë sigurinë dhe dialogun produktiv që kanë me njëra-tjetrën”, ka thënë Shabani për “Bota sot”.
Sipas tij, Kosovës si një vend pro-perëndimor duhet t'i lehtësohet rruga drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare pasi që po angazhohet në këtë drejtim.
“Përkundër Serbisë e cila deklarohet dhe shfaqet pro-ruse dhe pro-kineze, ku jo më larg se disa ditë Vuçiqi kishte takim me presidentin kinez.
BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta ndihmojnë Kosovën pa rezervë drejt anëtarësimit në NATO, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të marrin fund konfliktet me Serbinë dhe do shtohet siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.
Ndryshe, më 24 mars të këtij viti u bë e ditur se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, vendim ky që pritet të zyrtarizohet këtë të premte me rastin e mbajtjes së sesionit pranveror të kësaj asambleje.