Profesori dhe analisti politik, dr. Enver Bytyçi e ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Britani të Madhe.
Bytyçi thotë se, nesër Albin Kurti fluturon për në Londër për t’u takuar me David Cameron.
“Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Cameron, është zotuar më 4 janar të këtij viti në Prishtinë, se do të jetë avokat dhe mbrojtës i shtetit të Kosovës. Unë për këtë nuk kam patur dhe nuk kam as më të voglin dyshim”, thotë ai.
Ai shton se, shefi i diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar ishte sot në Tiranë dhe takoi Edi Ramën.
“Një ditë pas këtij takimi “ushtarësh”, pra të shkurtër e të shpejtë, Kurti shkon në Londër. Albin Kurti duhet të përgatitet për ndonjë intrigë të Ramës kundër Kosovës. Sepse kryeministri i Shqipërisë nuk lë rast pa shfrytëzuar për të dëmtuar Kosovën dhe mbështetur Serbinë”, thotë Bytyçi.
Madje sipas tij, zoti Kurti, nëse sheh që fshihet diku në ndonjë ferrë intriga Rama, duhet të flasë hapur me zotin Cameron.
“T’i thotë e t’i shpjegojë atij se Edi Rama që prej ditës së parë që erdhi në pushtet ka bërë gjithçka për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës dhe t’ia numërojë të gjitha deklaratat dhe nismat pro-serbe të kryeministrit shqiptar”.
“E kam fjalën që nuk duhet të kompleksohet nga fakti se Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe për këtë shkak nuk mund t’i kundërvihet atij në gjuhën angleze. Kur Rama i kundërvihet anglisht, italisht e frengjisht Kosovës dhe Kurtit, ky i fundit nuk ka pse rezervohet më!”, thotë profesori Enver Bytyçi.