Enver Sekiraqa i dyshuar për nxitje të vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, tash e katër ditë vazhdon të jetë në arrati.
Sekiraqa u arratis pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur t’ia ndryshojë masën e sigurisë dhe të njëjtin ta kthejë në paraburgim.
Për arratisjen e tij, ka folur të martën në mbledhjen e Qeverisë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku sipas tij, arratisja e tij është dështim i sistemit gjyqësor.
Reformën në drejtësi tashmë Kurti e konsideron urgjencë, e jo nevojë.
“Në javën që po e lëmë pas, kuptuam që njëri nga personat më famëkeq në botën e krimit, i cili u dënua për vrasjen e policit, Triumf Rizës, është arratisur. Arratisja e personit përgjegjës, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit tonë gjyqësor. Qeveria e Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij qëllimi. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri ka shtuar se të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pashoq, i shkathët në detyrë e shumë njerëzor me qytetarët.
“Triumfin e kam takuar edhe unë dhe e kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”, u shpreh Kurti.
Për arratisjen e Sekiraqës ka folur për “Bota sot” edhe ish- polici dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ku sipas tij, gjykatat në Kosovë përbëhen nga gjyqtarët e “Akademisë së Adem Grabovcit”.
“Largimi apo ikja e Enver Sekiraçës është absurd ‘sugeneris’ që mund të ndodhë vetëm në drejtësinë të Kosovës, një njeriu që po i zvarritet me vite e vite gjykimi herë nëpër burgje e herë mbrohej në liri, e dënon nga gjykata 25 vjet, e nuk po ia vënë prangat në duart. Gjykatat janë që ndodh vetëm në Kosovë, por kur kthehet e mendon njeri, sesi kanë ardhur në ato vende të punës si prokurorët, ashtu edhe gjyqtarët kukulla politike nga akademia e Adem Grabovcit (PDK, LDK, AAK), çdo gjë është e mundur në Kosovën e lirë.! Ky gjykimi nga fillimi, nga vrasja e policit Triumf Riza në atë kohë është tentuar t’i jepej vrasjes kinse kahje politike, ku policin e vrarë kanë tentuar ta mbështesin në hije njerëz të fuqishëm krahinor që vinin nga PDK dhe nga vetë policia e prokuroria e Kosovës, kurse të dënuarin Enver Sekiraqën kanë tentuar non stop ta paraqesin si njeri i LDK-së, herë njëri i afërt i Ukë Rugovës, herë njëri i Ismet Beqirit, e herë një pro serb deri te anëtari i UDB-së serbe, çka nuk është e vërtetë”, thotë Miftari.
Ai përshkruan figurën e Enver Sekiraqës dhe sipas tij, konflikti mes tij dhe Triumf Rizës ka filluar si pasojë e një këngëtareje.
“Në fakt, Enver Sekiraqa në Vranjevc në Prishtinë ka qenë një vagabond, një Al Kapone i vogël, djalë i problemeve, i rritur dhe i mësuar me dhunë një bandit, i cili ka pasur afri politike me LDK-në, por edhe me biznesmen të të dy krahëve politikë. Por vrasja e Triumf Rizës nuk ka kurrfarë lidhje me LDK-në dhe as nuk ka të bëjë me çlirimin e veriut të Mitrovicës, por konflikti ka lindur pasi të dytë si Enver Sekiraqa, si Triumf Rizës janë dashuruar dhe hasmuar nga xhelozia e të dyve, sherri i një femre, i një këngëtareje e cila si duket është shkaktari kryesor i kësaj vrasje tragjike”, shprehet ish-polici.
Ai thotë se i ka njohur të tre personat dhe sipas tij, rasti do të duhej të hetohej që nga vetura e djegur e Triumf Rizës dhe rrahja deri në alivanosje e Enver Sekiraqës.
“Unë jetoj vet në Vranjevc që nga viti 1969 dhe fatkeqësisht i njoh të tretë si Enver Sekiraqën, por edhe nga puna që kam punuar një kohë në polici e kam takuar disa herë edhe policin e vrarë Triumf Rizën, por e njohim mirë edhe A.B, pasi e kemi fqinjë edhe atë i cili është dënuar 35 vite burg për vrasjen e policit Triumf Riza. Familja Berisha, sidomos A.B ishte luftëtar i UÇK-së, e njohim kohë shumë të gjatë me dekada, e njohim si njerëz të urtë, si një familje përparimtare dhe njerëz shumë të qetë, jo problematike dhe ishte shok kjo që ndodhi. Para vrasjes kanë ndodhur disa eksese, ku herë dyshonin njerëzit e Enver Sekiraqës se i kishin kall policit të ndjerë veturën, por edhe zjarri në këtë fatkeqësi i kishte dhënë sidomos rasti i Sëiss Kazinis (ishte dëshmitar i rastit një familjar i afërm i yni) kur një grup policësh, por edhe policë civilë militantë të PDK-së nga rrethina dhe Kaçaniku si duket krye në veti pa urdhër nga gjykata në shenjë hakmarrje në mes tyre edhe i ndjeri Triumf Riza kishin rrahur deri në alivanosje të prangosurin Enver Sekiraqën dhe çdo person që kanë dyshuar se është njeri i afërt i tij, ky rast nuk është hetuar kurrë deri në fund, pasi po të hetohej e të punonte drejtësia deri në fund, që në start pa anime krahinore e politike nuk do të shkonin gjërat deri në vrasje dhe në terrorizim dhe sot me siguri edhe polici Triumf Riza do të ishte gjallë me siguri jo në detyrë si polic, por edhe të dënuarit e të akuzuarit dhe të dyshuarit do të kishin krejt brenga tjera. Pasi ligji ishte i ngadalshëm, më vonë është tentuar hakmarrja “alla mafioze”, ku një grup policësh të RSU të Kaçanikut vazhduan hakmarrjen deri sa kaloi të akuzoheshin, e të dënoheshin pastaj policë të RSU për vrasje të civilëve, qytetarëve të pafajshëm të cilët të vetmin faj e kishin se u gjendën në një lokal afër lokalit të Enver Sekiraqës, ku edhe ndodhi një sulm eksploziv ushtarak TNT, u kalua në terrorizum ku u konfrontuan edhe policia e shtetit nga një problem i vogël krejt privat i dy personave njëri problematik një bandit, e tjetri polic, por vagabond”, pohon Miftari.
Arratisjen e Sekiraqës ai e quan të kotë, por sipas Miftarit, duhet të pritet fundi pasi aim und edhe të shpallet i pafajshëm,
“Dihet pastaj afera e këtij gjykimi të policëve të RSU kur një britaneze, prokurore e EULEX-it akuzoi gjyqtarët ndërkombëtar të UNMIK-ut se kishin marrë qindra mijëra euro korrupsion për t’i liruar disa policë si të pafajshëm për sulmin afër bustit të Bill Kllintonit. Prandaj, largimi apo ikja sot e Enver Sekiraqës edhe e kotë, edhe e pakuptimtë, por është vetëm vazhdimësi e proceseve ku gjyqtarët dhe prokurorët ngiheshin herë në njërën anë, herë në anën tjetër vrarët si korruptoheshin, ku një sistem i tëri kryekëput i korruptuar i orientuar edhe politikisht, edhe pse ky krim nuk ka pasur kurrë lidhje me politik por s’ka pasur lidhje as me punën zyrtare të policit të ndjerë. Kjo ikje nuk do t’i ndihmojë në asnjë rrethanë të dënuarit Enver Sekiraqës, pasi nuk ka ku të ikë nga ligji, herët a vone prangat do ta presin! Por presim fundin ndoshta ai shpallet i pa fajshëm pasi mungojnë provat vendimtare në momentin që vrasësi A.B me gjithë premtimet e dhunën.... që e ka kaluar gjatë dhe pas arrestimit nuk e akuzuar E.S. si urdhërues të vrasjes krejt pretendimet e prokurorisë dhe policëve të ndikuar fort nga politika, krahina, shoqëria.... do të bien poshtë dhe me një prokurori e gjyqësi që vijnë nga akademia e Adem Grabovcit e dostave të tij çdo gjykim vendim do të bëhet i dyshimtë pasi njohim qindra raste kur pafajësinë dhe fajësinë të dyshuarit dhe të dëmtuarit e kanë blerë me para .! Pa u bërë një vetting i përgjithshëm në drejtësi, polici, prokurori, gjyqësi, AKI....në Kosovë kurrë nuk do të ketë drejtësi të mirëfilltë”, shton Miftari.
Enver Sekiraqa, i cili nga e premtja është në arrati, është i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.
Sekiraqa në fillim të majit u dënua me 25 vjet burgim, por u la i lirë deri në plotfuqishmërinë e vendimit. Të premten e javës që shkoi Apeli mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi.