Eksperti amerikan nxjerr dy arsye pse Kurti është i interesuar për zgjedhje të reja dhe jep paralajmërimin e “fortë” për Asociacionin

Politika

Eksperti amerikan nxjerr dy arsye pse Kurti është i interesuar për zgjedhje të reja dhe jep paralajmërimin e “fortë” për Asociacionin

Nga: A.Zh Më: 23 maj 2024 Në ora: 10:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, më 13 maj në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare.

Ai ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive opozitare, duke thënë se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Kurti ka zhvilluar takim me kryetarin e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi si dhe deputetët e komuniteteve. Ndërsa, kryetarët e partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë refuzuar ftesën për takim.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.

Mandati katërvjeçar i Qeverisë “Kurti 2” përfundon në fillim të vitit 2025.

Image
Alon Ben-Meir

I pyetur se pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), po i përmend zgjedhjet parlamentare, në përfundim të mandatit të tij, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka dhënë dy arsye.

Ai i ka lidhur zgjedhjet e reja me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Sugjerimi i Kurtit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në thelb është krijuar për të arritur dy gjëra. Njëra është që i gjithë diskutimi i Asociacionit të Komunave Serbe të shtyhet për qeverinë e ardhshme. I dyti, siç deklaruan disa opozitarë, Kurti sugjeroi zgjedhjet e parakohshme, sepse dëshiron të shmangë diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e komitetit të ministrave në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar eksperti amerikan për gazetën “Bota sot”.

Por, sipas Ben-Meir, Qeveria e re nuk do të mund të shmangë formimin e Asociacionit.

“Së fundi, përpjekja e Kurtit për të shmangur të pashmangshmen – krijimin eventual të Asociacionit të Komunave Serbe – nuk ka funksionuar deri më tani, dhe mund të mos funksionojë edhe nëse do të ketë zgjedhje të reja, pavarësisht nëse ai apo ndonjë nga partitë opozitare formojnë qeverinë e ardhshme”, ka nënvizuar profesori.

Ai ka shtuar se “nga këndvështrimi i BE-së, çështja e Asociacionit është thelbësore për t'i dhënë fund bllokimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij, pa zhbllokim të raporteve mes të dyja vendeve, “nuk do të ketë përparim thelbësor në procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat