“Kroacia padit Serbinë për gjenocidin në Kosovë”/ Vjen paralajmërimi: Kështu do të veprojë tani Vuçiq

Politika

“Kroacia padit Serbinë për gjenocidin në Kosovë”/ Vjen paralajmërimi: Kështu do të veprojë tani Vuçiq

Nga: P.R Më: 24 maj 2024 Në ora: 08:05
Aleksander Vuciq- Albin Kurti

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën, sipas së cilës 11 Korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, ku forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Rezoluta e cila u bashkësponsorizua nga Gjermania dhe Ruanda, u miratua me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime.

E miratimin e kësaj rezolute po e quan ngjarje të jashtëzakonshme profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

“Votimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të rezolutës për të caktuar 11 korrikun si ditë përkujtimore në shkallë botërore të gjenocidit serb në Srebrenicës është ngjarje e jashtëzakonshme dhe e dobishme në funksion të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe drejtësisë në Evropë e sidomos në rajonin tonë. Masakra e Srebrenicës tashmë do të jetë zyrtarisht një ngjarje e dënuar në shkallë planetare. Për këtë rezolutë votuan 83 vende anëtare të OKB-së dhe vetëm 19 votuan kundër saj. Abstenimet janë abstenime dhe nuk llogaritën as për variantin pro as për atë kundër”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se Serbia pësoi një fiasko të plotë me miratimin e kësaj rezolute nga OKB.

“Është domethënëse numri i madh i vendeve që votuan pro kësaj rezolute. Ndërsa vendet që abstenuan e bënë këtë thjesht për të mos prishur raportet me Serbinë. Nuk abstenuan se nuk janë të vetëdijshëm për faktin se Srebrenica ishte një masakër gjenocidiale. Kjo do të thotë se politika e jashtme e Serbisë pësoi një fiasko. Megjithatë ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq thoshte sot se “ne jemi krenar për rezistencën që po bëjmë“! I thonë një fjale „Krenarë, por të dhjerë“! Kështu ishin sot në Nju Jork liderët politikë dhe diplomatët e Beogradit të kryesuar nga Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb ishte veshur me një bluze me flamurin e Serbisë. Si për ta dëshmuar atë që nuk e thotë hapur rezoluta se „Genocidisti jam unë, është shteti serb, është kombi serb“! Sepse në fund të fundit flamuri përfaqëson shtetin, kombin dhe vetë kryetarin e shtetit”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi paralajmëron se pavarësisht miratimit të rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, Serbia është e gatshme që sërish ta bëjë një gjë të tillë në Ballkan.

“Prej ditës së sotme liderhsipi i Serbisë e ka të ndaluar me ligj ndërkombëtar të marrë në mbrojtje kriminelët e Srebrenicës, bashkëpunëtorët e ngushtë të Aleksandër Vuçiq me emra të tillë i Radovan Karaxhiq, Radko Mlladiq, Vojisllav Shejshel, Sllobodan Millosveviç e të tjerë. Megjithatë unë nuk pres që presidenti dhe politikanë të tjerë të Serbisë ta respektojnë këtë ligj ndërkombëtar. Ata do të marrin në mbrojtje kriminelët që kryen gjenocidin në Srebrenicë. Ata po bëhen gjithnjë e më shumë agresivë dhe po ecin në gjurmët e krimit të pandëshkuar të dekadës së fundit të shekullit të kaluar në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë e madje edhe në Kroaci. Ata janë gati të përsërisin masakrat luftëra të reja në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe të zhvillojnë fushata ushtarake e policore të reja gjencoidiale”.

Sipas tij, për këtë arsye duhet këmbëngulur që të njihet edhe gjenocidi serb në Kosovë.

“Në radhë të parë e fillimisht nga Shqipëria. Por në Shqipëri mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama e kanë bllokuar projekt-rezolutën e opozitës demokrate për dënimin e këtij gjenocidi. Më shumë vlen prestigji i Serbisë dhe i Aleksandër Vuçiq, sesa dënimi dhe ndëshkimi i krimeve serbe kundër shqiptarëve. Ky është koncepti i Tiranës zyrtare rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë në vitet 1989-1999. Shqipëria merr në mbrojtje Serbinë kundër Kosovës. Kësisoj nuk merr në mbrojtje vetëm ministrin e propagandës së Milosheviçit, pra këtë Aleksandër Vuçiqin e sotëm, por edhe vetë kryekasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç”.

“Unë besoj se Kosova do ta bëjë në kohën e përshtatshme kërkesën e saj dhe do të merret me gjenocidin serb kundër shqiptarëve. E rëndësishme është që të grumbullohen faktet, provat, dhe e vërteta të shpaloset në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Një vendim i kësaj gjykate për këtë qëllim është hapi i parë dhe kryesor. Sot Kosova nuk mund të bëjë një padi për gjenocid kundër Serbisë, sepse nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria nuk e merr përsipër ta bëjë një gjë të tillë për shkak të bashkëpunimit të qeverisë së saj me ushtruesin e akteve gjenocidiale, Serbinë e Aleksandër Vuçiq. Atëherë është e udhës që të gjendet një rrugë tjetër e paraqitjes së akt-padisë në GJNP”, shpjegon Bytyçi.

Por cili shtet mund ta marrë hapin që ta bëjë padinë për gjenocidin serb në Kosovë?

“Besoj se Kroacia mund ta bëjë këtë hap e ta marrë përsipër ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë. Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës mund ta marrin në konsideratë këtë mundësi. E di se do të ketë kosto. Sepse Kroacia mund të kërkojë koncensione në Kosovë. Por së paku me Kroacinë nuk ka e nuk do të ketë asnjë problem rreziku politik dhe sa i përket integritetit territorial. Nëse kërkohen koncensione ekonomike, unë besoj se ia vlen kjo, në këmbim të një padie që Kroacia mund ta paraqesë në emër të Kosovës për gjenocidin serb kundër shqiptarëve”, shprehet Bytyçi.

“Por duke u kthyer te rëndësia e rezolutës së OKB-së për ta rikujtuar gjenocidin e Srebrenicës. Kjo rezolutë e lehtëson edhe dialogun Kosovë-Serbi. Nuk do të munden as Fuqitë Perëndimore të bëjnë më kaq shumë presion ndaj Kosovës. Ato do të detyrohen të pranojnë argumentet e Kosovës përballë spekulimeve serbe. Ndërkohë rritet siguria për Kosovën. As që bëhet fjalë që pas ditës së sotme Serbia të sulmojë Kosovën. Por Banjskën mund ta përsërisë Aleksandër Vuçiq”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat