Dorëheqje e jo shpërbërje, a i frikësohen zgjedhjeve LDK e AAK/ Kështu ‘parashikohet’ të jetë rezultati i tyre

Politika

Dorëheqje e jo shpërbërje, a i frikësohen zgjedhjeve LDK e AAK/ Kështu ‘parashikohet’ të jetë rezultati i tyre

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 maj 2024 Në ora: 10:14
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Zërat për zgjedhje të reja parlamentare kanë filluar të shtohen javët e fundit, sidomos  pas mos përfshirjes në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

Partitë opozitare kërkojnë njëzëri zgjedhje, por në koordinim nuk janë sa i përket mënyrës sesi duhet të rrëzohet qeveria aktuale.

Partia Demokratike e Kosovës, parti më e madhe opozitare në vend ka kërkuar të procedohet mocioni për shpërbërje të Kuvendit më së largu deri 30 maj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë thirrje që opozita të bashkohet për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Jemi në afatet e fundit kur duhet të procedohet me mocionin për shpërbërje të Kuvendit. Fatkeqësisht ende nuk kemi një situatë kur kemi dakordim që vendi të shkojë në zgjedhje. PDK nuk ka votuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare, vendi ynë duhet t’i drejtohet kutive të votimit dhe shtatori ta gjejë vendin me qeveri të re”, theksoi Tahiri.

Por, mbështetjen nga partitë tjera opozitare (LDK- AAK), Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka, kjo pasi, dy partitë tjera kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij nuk e mbështet shpërndarjen e Kuvendit, por kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Tahiri ka thënë se synim i Kurtit është që të shkohet në zgjedhje pikërisht në kohën kur diaspora vjen në Kosovë.

“AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktik të shkohet në zgjedhje në mes të korrikut kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet  më të gjitha  Grupet Parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pas”, deklaroi Tahiri.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e tyre kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

Ajo ka shtuar se janë të gatshëm për zgjedhje, derisa shprehet e bindur se do të dalin të parët.

“Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës. Për shkak se ka 6 muaj tashmë që ne kemi mbajtur konventën dhe kemi lansuar programin “Rruga e Re”, për secilin sektor e dimë saktë se çfarë do të bëjmë javën e parë, muajin e parë, vitin e parë dhe vitin e fundit…Mirëpo, ajo se çfarë ne po kërkojmë është që zotëri Kurti të dorëzohet dhe të tregojë se ka dështuar në secilën fushë dhe ne kështu të shkojmë në zgjedhje. Nuk dëshirojmë që ne në fakt t’i bëjmë favorin që ai kinse të shkojë në zgjedhje për faktin se po e kërkon opozita. Ne po kërkojmë zgjedhje, mirëpo zgjedhjet janë si rezultat i dorëzimit faktik të cilin tashmë Kurti e ka bërë. Ne jemi shumë të bindur se do të korrim fitore dhe do të jemi partia e parë”, thotë Bajrami.

Mehmeti: Këto dy parti i kanë bërë dëme të mëdha vendit

Image
Faton Mehmeti

Por, njëjtë si LDK-ja nuk mendon analisti politik Faton Mehmeti, i cili thotë se ata e dinë se do të dalin në vendin e tretë në zgjedhje.

Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, u shpreh se AAK e di që nuk e kalon pragun dhe për këtë i shtyjnë zgjedhjet.

“LDK e di se del e treta andaj ka frikë, derisa AAK e di po ashtu se nuk e kalon pragun, kështu që të dyja janë të frikësuar dhe do i shtyjnë zgjedhjet aq sa munden e më shumë. Këto dy parti i kanë bërë dëme të mëdha vendit, qytetarët nuk harrojnë dhe i ndëshkojnë”, shprehet Mehmeti.

Opozitën e quan të dobët, analisti Mehmeti, gjersa shton se LDK dhe AAK me taktikë mundohen t’i shtyjnë zgjedhjet.

“Kërkesa e tyre për dorëheqje është në fakt kërkesë e tyre që mos të jep, e dinë çfarë i pret në zgjedhje. Opozitë e dobët nga të dyja partitë, mungesa e reformave janë ato që ndikojnë shumë tek qytetarët që nuk i votojnë. Këtë e dinë të dyja partitë, andaj me taktikë po mundohen t’i shtyjnë zgjedhjet, rrjedhimisht të shtyjnë debaklin e pritur”, shton Mehmeti.

Haziri: Qeveria e Kurtit, nuk mund dhe nuk duhet t’i lejohet të ikë përgjegjësisë

Në pajtim me Mehmetin nuk është analisti politik, Nexhat Haziri, i cili thotë se LDK e AAK nuk frikësohen nga zgjedhjet kur kërkojnë dorëheqjen e Kurtit.

Image
Nexhat Haziri

Ai e bën përgjegjëse qeverinë Kurti për “dështimet e Kosovës”.

“Nuk e shoh si frikësim nga zgjedhjet nga e LDK-së dhe AAK-së, e as justifikim kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Qeveria e Kurtit, nuk mund dhe nuk duhet t’i lejohet të ikë përgjegjësisë për dështimet dhe qeverisjen e dobët duke shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së kuvendit. Ky do të shihte amnistim për kryeministrin Kurti dhe organizatën e tij politike VV-në, nëse zgjedhjet e parakohshme do të provokoheshin nga shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, e në anën tjetër qeveria Kurti është përgjegjëse për dështimet e Kosovës gjatë qeverisjes së saj”, pohon Haziri.

Ai në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, parashikon rritje të LDK-së, por edhe të opozitës në përgjithësi.

“Kosova dështoi në anëtarësim në Këshillin e Evropës, vazhdon të jetë nën sanksione dhe e izoluar, thuajse për katër vite asnjë njohje për Kosovën, përkeqësim i marrëdhënieve dhe raporteve me aleatët tanë kryesorë, mos zhvillim ekonomik, dështime në arsim e shëndetësi, zbrazja e vendit nga qytetarët që po kërkojnë një jetë më të mirë në vendet perëndimore, inflacioni çdo ditë në ngritje dhe përkeqësimi i jetesës së qytetarëve, dhe të gjitha këto nuk është fajtor kuvendi, por qeveria, dhe z. Kurti duhet të marrë përgjegjësi. Pra duhet të deklarohet pse do të duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk është e tëra kjo një blof i tij për ta larguar vëmendjen e opinionit kosovar për dështimin skandaloz të anëtarësimit të vendit në KiE. Sa i përket se si do të jenë rezultatet e këtyre dy subjekteve politike, LDK-së dhe AAK-së, bazuar në opozitë bërjen e tyre, mendoj se do të kenë rritje, sidomos LDK-ja”, përfundon Haziri.

Mandati i Qeverisë aktuale skadon në fillim të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat