Kosova dështoi të përfundojë procesin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, ndonëse ishte paraparë që kjo të kryhej me 17 maj.
Kosova në prill mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni për anëtarësim, përmes aprovimit të raportit të Dora Bakoyannis, gjërat ndryshuan gjatë kësaj periudhe.
Shkak për këtë është kushti që shtetet e fuqishme anëtare si Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë vendosur Kosovës, me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të enjten, Qeveria e Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert. Gërvalla tha se ky draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Mirëpo, letrën e Qeverisë së Kosovës, shtetet anëtare e konsideruan si të vonshme. Ato kërkuan fillimisht formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe pas tij, anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Këto zhvillime i ka komentuar shkurtimisht eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer. Ai ka treguar për gazetën “Bota sot”, kushtin që duhet të plotësojë Serbia, nëse dëshiron formimin e Asociacionit nga Kosova.
“Mendoj se formimi i Asociacionit duhet të ndodhë vetëm nëse Serbia përmbush detyrimet e saj sipas marrëveshjes së 2013”, ka deklaruar Serwer.
Ai është pyetur nga gazeta edhe për gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti, për shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Unë me të vërtetë nuk e di (pse Kurti po i dëshiron zgjedhjet e reja). Shumica e qeverive duan të qëndrojnë në vend për aq kohë sa e mundur. Më mirë ta pyesni atë”, ka thënë Serwer.
Zgjedhjet e reja parlamentare, po i kërkojnë edhe partitë opozitare. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin jo më larg se muajt e verës.
Ndërsa, sot në Kuvendin e Kosovës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të prezantojë një Rezolutë, e cila ka synim shkarkimin dhe dorëheqjen e Qeverisë Kurti./Botasot