Shala pesimist për të ardhmen: Rama - tragjedi gjithëkombëtare, Kurti po e “trazon” Serbinë - BE dhe DASH-i po i tolerojnë sjelljet agresive të saj

Politika

Shala pesimist për të ardhmen: Rama - tragjedi gjithëkombëtare, Kurti po e “trazon” Serbinë - BE dhe DASH-i po i tolerojnë sjelljet agresive të saj

Nga: M.Lakna Më: 24 maj 2024 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Hafiz Shala anëtari Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare – Shqiptaro – Amerikane (LQSHA), Hafiz Shala i konsideron si të “turpshme” sjelljet dhe reagimet e fundit të Bashkimit Evropian dhe Departamentit të Shtetit ndaj Kosovës, përkatësisht përpjekjeve të saj për anëtarësim në KiE dhe aksionit të mbylljes së bankave serbe në veri.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shala ka thënë se Kosova po i përngjan një “Banana republike”

“Unë habitem me trajtimin dhe sjelljet ndaj Republikës së Dardanisë, që i përngjan një Republike të bananeve, pa respekt para së gjithash për ata që u flijuan për çlirimin e vendit nga gjenocidi serb. Kjo sakrificë, për hir të mos trazimit të Serbisë, tolerohet në mënyrë të pandershme dhe jo humane ndaj shqiptarëve që po vajtojnë të vdekurit e tyre, por çfarë t’u thuhet atyre që Serbia po ua mbanë në varreza masive.

Prandaj, reagimet e BE-së dhe DASH-it janë turpëruese, që vijnë nga ato shtete që pretendojnë se janë me demokraci të avancuar.

Po, zotëri, na bindni në këtë, apo vërtet janë sjellje dhe veprime cinike ndaj një populli me traditë, i cili e respekton mikun, shpeshherë edhe më tepër se duhet”, ka thënë Shala.

Image
Hafiz Shala

Ai ka rikujtuar pushtetet e kaluara në Kosovës, servilizmin e tyre ndaj Serbisë dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme për shtetin dhe kombin.

“Kam përshtypjen se "Kurti po ua trazon Serbinë dhe ajo mund të qes shqelma". A është kjo arsyetim? Nëse nisen nga e kaluara gati 20-vjeçare, ku ishin në pushtet ata që ishin servil ndaj Serbisë dhe nënshkruan marrëveshje të dëmshme për shtetin dhe kombin, nuk ishin në gjendje t’i përballonin shantazhet e Serbisë sepse "kishin hyrë në obligime" për arsyet që ata i dinë, por askush nga ajo ish-udhëheqje nuk dha përgjegjësi kombëtare, penale e politike. Shpëtuan pa therë në këmbë.

Evropa, assesi nuk po mund të dalë nga lëkura e vjetër, vetëm kur janë në pyetje shqiptarët. Pse? Janë sjellë dhe sillen sikur ndaj një populli që po thuajse tani ka zbritur nga një planet i panjohur dhe mund të sillesh e veprosh si të duash sepse nuk e kanë forcën ushtarake, politike e diplomatike, por megjithatë e kanë moralin ndaj atdheut, të cilët po mundohen ta mbrojnë edhe përkundër ndërskamcave aq banale, cinike, raciste dhe jo humane. Një popull i vjetër që po kësaj Evrope i ka dhënë shumë, dhe në vend të trajtimit normal, po ua kthen me të keq”, ka potencuar Shala.

Tutuje, veprimtari shqiptaro-amerikan ka pyetur se si BE nuk “turpërohet” që t’i nënshtrohet diktateve, kushteve dhe shantazheve të Serbisë, bile pa “pikë fytyre”, siç thotë ai, edhe e arsyetojnë, ani pse Serbia është ajo që po e kërcënon paqen dhe sigurinë, e në anën tjetër, po bashkëpunon me armiqtë e Perëndimit, Rusinë, Kinën dhe aleatët e tyre.

“Nën diktatin dhe shantazhin e Serbisë, nuk u lejua që të votohet për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Këtë, BE nuk e pranon por jep deklarata qesharake duke u tallur me shqiptarët dhe shtetin e tyre, duke ua bërë me dije se "ju, do të jeni shtet aq sa ua lejojmë juve, e jo si të doni ju". Pra, përmbushni kushtet që po ua kërkon Serbia, ani pse ajo nuk ka plotësuar asnjë kusht, nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje ku Evropa ka qenë garantuese. Tani, më së lehti është ta shtypësh të dobëtin, të disiplinuarin dhe të dëgjueshmin. Opozita dhe shumë të ashtuquajtur (b)analistë për studio hibride televizive, e akuzojnë Qeverinë për mosbashkëpunim me "faktorin ndërkombëtar" i cili, në shumë raste nuk u tregua faktor por defaktor. Ndërkombëtarët, nuk të shndërrohen në "vegeta" e cila shërbehet në të gjitha gjellat”, u shpreh Shala.

Ai rikujtoi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit, duke thënë se sipas kësaj i bie që se miqtë ndërkombëtarë janë në anën e Serbisë agresore.

“Kur Qeveria i zbaton ligjet dhe Kushtetutën, ata, i thonë se duhet të koordinohesh me ne, duke ia plotësuar kërkesat e Serbisë. Grupet terroriste me në krye Radojqiqin e me direktiva të Vuçiqit, i sulmuan forcat e KFOR-it e lere më policinë e mjetet e informimit. U organizua akti terrorist, sulm ndaj një shteti sovran nën mbikëqyrjen e KFOR-it, heshtin "miqtë tanë ndërkombëtarë". Sipas kësaj duhet shikuar se miqtë ndërkombëtarë janë në anën e Serbisë agresore por jo edhe ndaj Dardanisë. Nuk kanë përgjigje përveç se Dardania duhet t’i pranojë të gjitha kushtet nëse do të mbijetojë. Dhe, kjo politikë e dorës së fortë, na detyron që të jemi të padëgjueshëm nëse duam të mbijetojmë si popull por edhe si komb”, ka shtuar Shala.

Prandaj, sipas tij kërkesat shtesë, janë shprehje arrogante përmes fuqisë në të gjitha aspektet.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë po punojnë sipas filozofisë fashisto-çetnike serbe, duke kërkuar individë të komprometuar në radhët e shqiptarëve të cilët duan të bëhen vegël në shërbim të tyre. Rasti eklatant është Kryeministri Shqiptar, njeriu që e mbanë emrin shqiptar por njëherësh është mjeriu më i urryer në krejt shqiptarinë. Këtë e dinë edhe ata që po e përdorin për vegël, i cili u tregua shumë i suksesshëm sepse shkeli mbi gjakun e shqiptarëve dhe u hodh në përqafim me pjesëmarrësin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Dardanisë si Ministër i (dez)informatave në kohën e Sllobodan Millosheviqit”, theksoi ai.

Më tej, Shala ka rikujtuar edhe Ballkanin e Hapur, duke thënë se ky projekt ishte është një paralojë e themelimit të një Konfederate me Serbinë duke anashkaluar Kosovën dhe duke i dhuruar Serbisë pjesën veriore.

“Ky, Kristaqi, me themelimin e Ballkanit të Hapur, që tani për herë të parë po e them, është një paralojë e themelimit të një Konfederate me Serbinë duke anashkaluar Dardaninë dhe duke i dhuruar Serbisë pjesën veriore. Kjo ishte marrëveshja e Thaçit, Ramës, Vuçiçit, për të eliminuar Dardaninë dhe për të bashkuar pjesën tjetër me Shqipërinë. Jo në këtë mënyrë të thjeshtë siç po e përshkruaj unë, duke e vendosur Shqipërinë me Kristaqin në ballë të kësaj ngrehine dhe, në prapavijë, Vuçiç do të ishte ai që do të udhëhiqte me këtë ngrehinë. Kjo u pëlqen edhe amerikanëve naivë”, ka theksuar Shala.

Si të dilet nga situata

Shala i konsideron si të vogla gjasat që Kosova të dal nga situata aktuale e ngërçit diplomatik. Ai ka theksuar nevojën për unitet politik që do të reflektohej edhe në popull në mënyrë që me këmbngulje të kërkohej njohja reciproke para së gjithave.

“Janë gjasat shumë të vogla që të dilet nga ky labirint i krijuar nga perëndimi. Nëse do të kishte një unitet në spektrin politik që do të reflektohej edhe në unitetin e popullit, duhet që asnjë hap përpara, sipas kërkesave dhe udhëzimeve nga ndërmjetësuesit e dështuar, të mos respektohet pa njohje reciproke dhe pa largimin nga Kushtetuta serbe se Dardania është pjesë e saj. Nuk duhet lëvizur. Presioni do të shtohet, por në fund, të thirret referendum gjithë-popullor dhe nëse populli vendos ndryshe, pra, të pranojë ingerencat dhe interferimin e Serbisë në Republikën e Dardanisë, do të ishte edhe fundi ynë dhe “unhappy end”, ka shtuar ai.

Më tej, Shala ka folur edhe për mundësinë që situata të ndryshojë me një ndërrim eventual të pushtetit në SHBA pas zgjedhjeve, të cilën gjë e konsideron si të vështirë.

“Vështirë. Demokratët në pushtet, për fatin tonë të mirë, gjatë ndërhyrjes së tyre përzunë Serbinë nga Dardania, edhe pse nuk e përfunduan plotësisht duke mos e futur me forca kombëtare në Serbi dhe të vihet nën kontroll të plotë me mbikëqyrje ushtarake. Këtë, Presidenti Biden e ka kërkuar publikisht dhe zyrtarisht në seancat e Senatit në cilësinë e senatorit. Edhe në cilësinë e Presidentit, deklarata e tij ka qenë: “Marrëveshje me Serbinë me njohje reciproke”. Kjo u shua falë Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, mik i ngushtë i Aleks Sorosit. Departamenti i Shtetit, në rastin e Dardanisë kur duhej të finalizohej me njohje reciproke, dështoi, prandaj, ndërrimet e ndërmjetësuesve janë tentim ikjeje nga dështimi dhe përgjegjësia që ky Departament apo Qeveria Amerikane e bënë.

Amerika, për tri dekada sa e mbaj mend, nuk ka qenë në një krizë më të madhe rreth zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm. Biden, ani pse në moshë dhe megjithëse ia kanë “përzier kabllat”, për ne shqiptarët është më i pranueshëm, kuptohet që, nëse vjen në pushtet, duhet të bëjë ndryshime radikale”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, ai ka rikujtuar se Trump planifikoi ndarjen e Kosovës bashkë me ndërmjetësit e tij, Grenell e Palmer.

“Sa i përket ish-Presidentit Trump, i cili tërë kohën e kalon nëpër seanca gjykatash i përballur me lloj-lloj akuzash, ndër më të rëndat, ky ishte ai që planifikoi ndarjen e Dardanisë. Ky ishte ai që caktoi ndërmjetësuesit pro-serb, si Mattheë Palmer, Richard Grenell dhe John Bolton, ish-Ambasador i SHBA-ve në OKB, i cili ishte kundër pavarësisë së Dardanisë. Pas shkarkimit nga Trump si Këshilltar për Siguri Kombëtare për mosmarrëveshje, ky i fundit megjithatë e vërtetoi se Donald Trump, përmes Richard Grenell, kishte planin e sajuar për shkëputjen e pjesës veriore në marrëveshje me Thaçin, gjë që edhe përshkruan në librin e tij “Aty ku ndodhi”. Sigurisht jo për simpati ndaj shqiptarëve por për hakmarrje ndaj ish-Presidentit Trump. Ky i kërkoi ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s, duke iu kërkuar falje për një politikë të tillë amerikane dhe kritikoi Presidentin Clinton. Ky, faktikisht, paralajmëroi se do t’i forconte lidhjet me Serbinë, e kjo mund të vërtetohet pasi dhëndri i tij do të ketë vendbanim në Beograd”, ka theksuar ai.

Në të njëjtën mënyrë, sipas tij po vepron edhe Edi Rama, duke dhënë në shfrytëzim pjesët më të bukura bregdetare, qoftë edhe ato vende që janë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Pra, ndarje për normalizim të marrëdhënieve Dardani-Serbi. Fatmirësisht, Prokurori Federal Jack Smith, në momentin e fundit, ia shqiptoi Thaçit padinë për krime dhe ia ndërpreu udhëtimin për në Uashington, ku ishte planifikuar takimi kokë më kokë me Aleksandër Vuçiçin.

Ky është i rrezikshëm edhe për vetë SHBA-të. Mos të harrojmë 6 janarin 2020, kur u sulmua Capitol Hill për herë të parë në historinë amerikane, duke sjellë gjendjen para një lufte civile. Me ardhjen e Trump në pushtet, ai do të bashkëpunojë me Putinin e Vuçiçin, i cili pat deklaruar se, po të vijë në pushtet, luftën Rusi-Ukrainë “do ta zgjidhë për 24 orë”. Kjo nënkupton që Putini të marrë territoret e okupuara, ndërsa për Dardaninë, nëse doni paqe, përshëndetuni me veriun, pjesën më vitale apo oksigjenin e popullit të Dardanisë.

Nuk jemi me fat, siç duket, megjithëse fajin e kanë ata që kanë hyrë në këto aranzhmane katastrofike për vendin dhe të ardhmen. Në krah do ta ketë edhe Kristaqin, tragjedinë tonë gjithëkombëtare, i cili bashkë me Thaçin e Vuçiçin ishin autorët e këtyre marifeteve anti-dardane dhe anti-kombëtare. Do të doja të mos jem kaq pesimist, por, nga frika për të ardhmen, nuk po mund të qetësohem. Dhashtë Zoti të jem i gabuar dhe këto prognoza të mos realizohen”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat