“Ky është plani i Aleksandër Vuçiqit për veriun e Kosovës”, avokati serb komenton alarmin e Kurtit – kritikon ndërkombëtarët

Politika

“Ky është plani i Aleksandër Vuçiqit për veriun e Kosovës”, avokati serb komenton alarmin e Kurtit – kritikon ndërkombëtarët

Nga: A.M. Më: 24 maj 2024 Në ora: 21:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar faktin se si Serbia po intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Bazuar në këtë, i pari i qeverisë së Kosovës  paralajmëroi  se ka rrezik të vërtetë për një luftë të re në rajon.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” avokati serb, Cedomir Stojkovq.

Fillimisht, ai u shpreh se Serbia me shtetet e lartpërmendura ka nivel më të lartë bashkëpunimi se anëtarët e BE-së mes vete.

Krahas kësaj, ai kritikoi edhe qeverinë e re të Serbisë, e cila përmban agjentë të Rusisë dhe persona të sankisonuar nga SHBA-ja.

Image
Cedomir Stojkovq.

“Afrimi i Serbisë me Rusinë dhe Kinën është absolutisht i dukshëm dhe kryeministri Kurti ka të drejtë. Presidenti kinez vizitoi Serbinë së fundmi dhe nënshkroi marrëveshjen me Aleksandar Vuçiqin për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve nga niveli i një partneriteti strategjik në nivelin e një të ardhmeje të përbashkët. Niveli i së ardhmes së përbashkët është një nivel bashkëpunimi më i lartë se ai që kanë anëtarët e BE-së mes tyre dhe me BE-në.

Po ashtu, në qeverinë e re serbe janë dy anëtarë që janë sanksionuar nga SHBA-ja si agjentë të Vladimir Putinit, pikërisht Nenad Popoviq dhe Aleksandar Vulin. Në të njëjtën kohë, 4 anëtarë të tjerë të qeverisë u identifikuan në listën TIPARS të Grupit të Tetorit si agjentë të drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit, ndërsa 10 anëtarë të tjerë të qeverisë u deklaruan rusofilë. Ata njerëz duan të ndjekin interesat ruse, jo interesat e Serbisë apo të rajonit”, deklaroi ai.

Po ashtu, Stojkoviq foli edhe për rezolutën për gjenocid të Srebrenicës, ku tregoi edhe planin e Vuçiqit për Asociacionin për veriun e Kosovës.

“Dje, pasi u miratua rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, Milorad Dodik shpalli shkëputjen dhe ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky është edhe plani i Aleksandër Vuçiqit për veriun e Kosovës përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, që në një moment të deklarojë se Prishtina kërcënon të drejtat e serbëve, siç deklaroi Dodik në Bosnje, dhe pastaj ta ndajë komunitetin e komunave serbe nga Kosova.

Duke pasur parasysh se përbërja e qeverisë aktuale të Serbisë duket më shumë si një kabinet lufte, dhe sigurisht nuk duket si një qeveri që dëshiron ta afrojë Serbinë me Bashkimin Evropian, mund të jemi të sigurt se plani për të krijuar një konflikt ekziston”, theksoi ai.

Ndër të tjera, avokati kërkoi reagim nga ndërkombëtarët, ku edhe kërkoi anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Pasi nëse e mban Kosovën jashtë KiE-së, atëherë fton liderët agresivë për ta pushtuar atë.

“Perëndimi duhet t'i shoh këto fakte dhe t'i sigurojë mbrojtje rajonit. Kjo nënkupton pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, që në këtë mënyrë do ta mbrojnë sovranitetin e saj, dhe në anën tjetër do të thotë mbështetje për integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ndërsa Perëndimi është konsistent me Bosnjën dhe Hercegovinën, Perëndimi nuk është konsistent me Kosovën, e cila ende nuk është pranuar në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është krijuar si një institucion për ruajtjen e paqes dhe për këtë arsye Perëndimi, për të parandaluar konfliktet në Ballkan, duhet ta futë Kosovën në Këshillin e Evropës dhe jo ta mbajë jashtë. Mbajtja e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës është një ftesë për liderët agresivë për ta pushtuar atë. Aleksander Vuçiq është një lider agresiv”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat