Komentohet deklarata e ambasadorit të Francës – ja si duhet të veprojë Kosova në lidhje me Asociacionin!

Politika

Komentohet deklarata e ambasadorit të Francës – ja si duhet të veprojë Kosova në lidhje me Asociacionin!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 maj 2024 Në ora: 08:13
Oliver Guerot

Përjashtimi i Kosovës nga agjenda e KiE-së nxiti reagime të mëdha në opinonin vendor dhe atë ndërkombëtar.

Të paarsyeshme këtë vendim e pa pozita e opozita e vendit, mirëpo duket që kjo çështje nuk ka mbaruar ende, pasi dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese do të hapte rrugët për në KiE.

I këtij mendimi është edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, i cili tha se Kosova nuk ka qenë në agjendë për anëtarësim në KiE, mirëpo që duhet të bëjë diçka për Asociacionin.

“Mesa kam njohuri, asnjë vend gjatë takimeve aso sa herë ka qenë e mundur, kanë kërkuar formalisht që të diskutohet aplikacioni i Kosovës, nuk ka qenë në agjendë, s’ka pasur kërkesë zyrtare. I bie që nuk është vetëm Franca dhe Gjermania, por janë pak a shumë gati të gjithë. Duhet të jetë pika fillestare e reflektimit, pse është kështu, në vend të mundohemi të analizojmë nëse është parakusht, kusht i mëvonshëm, rekomandim, është bërë një fakt jete, për të cilin të gjithë presim të ndodhë diçka lidhur me Asociacionin”, tha ai.

Guerot tha se Franca nuk ka thënë asnjëherë themelojeni Asociacionin për KiE, sipas tij, ata kanë kërkuar një hap të prekshëm nga Kosova, siç është dërgimi në Kushtetuese.

Mirëpo a do të ketë Kosova një draft të Asociacionit ta dërgoj në Kushtetuese?

Burjani: Kosova është kushtëzuar plotësisht, Asociacionin ose izolimin!

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se ndaj Kosovës është bërë një jo sinqeritet dhe se angazhimi i Kurtit në veri u harrua dhe u kthye në fillim procesi.

“Së pari ndaj Kosovës nuk ka pasur sinqeritet kur me Kurtin u pajtuan që të zbatohet vendmi i Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët e Manastirit. Ata i premtuan Kurtit që për anëtarësim në KiE nuk do të jetë Asociacioni, Kurti u pajtua, por më pas vendosën një kusht tjetër të pamundshëm për Kurtin, themelimin e një Asociacioni ku përfshihen 10 komuna serbe, që me territor i bie 33% e territorit të Kosovës e përbën Asociacioni, dhe në fund i tërë angazhimi i Kurtit në veri bie në ujë dhe bëhet kthimi i tërë procesit mbrapsht”, u shpreh ai.

Image
Blerim Burjani

Më tej, ai theksoi që kjo situatë më nuk është politike por është presion, shtypje politike në vendimmarrje dhe shumë më pak vullnet për të përkrah Kosovën.

“Pra, Kosova është kushtëzuar plotësisht ose Asociacionin ose izolimin dhe mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo më nuk është politikë por është presion, shtypje politike në vendimmarrje dhe shumë më pak vullnet për të përkrah Kosovën”, theksoi Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Tani qeveria duhet ta ketë parasysh rezonin shtetëror

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndërkombëtarët janë në pritje të një drafti të Asociacionit që e premtuan Qeveria e Kosovës, ani pse Kosova nuk ishte e kushtëzuar me këtë gjë.

“Kur flasim për draftin e asociacionit, duhet të kemi parasysh se qeveria Kurti e ka negociuar dhe pranuar si të mirë. Gjithashtu, qeveria Kurti e pranoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke aluduar se ishte marrëveshja më e mirë për Kosovën. Në gjithë ketë, institucionet e Kosovës, patën dërguar një letër përmes të cilës garantonin procedimin respektimin e marrëveshjes, respektivisht procedimin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Mbi ketë premtim, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës e votoi pranimin e Kosovës. Por, qeveria Kurti, nuk iu përmbajt këtij premtimi, duke dalë me një ide të hartimit të një statuti të ri”, tha ai.

Image
Leon Duhanaj

Në fund, analisti potencon që qeveria duhet të i merr parasysh kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Tani qeveria duhet ta ketë parasysh rezonin shtetëror. Qeverisja me vendin, nuk është lojë fëmijësh. Tani kemi kërkesa të përsëritura nga ambasadorët e QUINT-it. Përveç ambasadorit të Francës, të njëjtën kërkesë e ka shprehur edhe ambasadori i SHBA-së. Pra, unë nuk e konsideroj presion, por refleksion ndaj diletantizmit qeveritar kosovarë. Kryeministri Kurti ose duhet të këndellet dhe, nëse ka mungesë të dijes për mënyrën e qeverisjes, të kërkoj këshilla, ose të ofrojë dorëheqjen, pasi që tashmë do ta ketë kuptuar, se qeverisja me vendin nuk është ekskursion i lirë, për të bërë çfarë të duash, kur të duash dhe si të duash”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat