“Lufta po troket në dyert tona!”/ Ekspertët paralajmërojnë disa rreziqe - ja çfarë fshihet pas ‘alarmit’ të Kurtit!

Politika

“Lufta po troket në dyert tona!”/ Ekspertët paralajmërojnë disa rreziqe - ja çfarë fshihet pas ‘alarmit’ të Kurtit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 maj 2024 Në ora: 10:12
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Lufta është bërë një term mjaft i përdorur.

Kjo, pasi kohët e fundit jo rrallëherë është përfolur për konflikte të reja, madje edhe rreziqe për luftë të re në rajonin tonë të Ballkanit.

E gjithë ky kërcënim, vjen nga politikat serbe, të cilat po nxiten nga bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë, Kinën e Iranin.

Për këtë fenomen, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Serbia po intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke paralajmëruar se ka rrezik të vërtetë për një luftë të re në rajon.

Gjatë fjalimit në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, i pari i qeverisë së Kosovës tha se rreshtimi i Serbisë me Rusinë, "qasja shkatërruese” ndaj Kosovës, dhe armatimi i shpejt “janë tregues se qëllimi [i Serbisë] është përshkallëzimi me synim të realizimit të ambicieve të saj territoriale”.

“Tre nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, përfshirë 48 baza operuese përreth kufirit me Kosovën, duke mos përfshirë edhe njësi të tjera të specializuara, janë të stacionuara në jug të territorit, afër kufirit me Kosovën. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, tha Kurti.

Mirëpo, sa jemi në rrezik nga një luftë e re dhe si duhet reaguar ndaj këtyre provokimeve të shtetit serb, folën ekspertët e sigurisë.

Ndër të tjerë, ata komentuan në detaje këtë paralajmërim të kryeministrit Albin Kurti.

Elezi: Paralajmërimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, mund të konsiderohen si të rëndësishme

Image
Bedri Elezi

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Fillimisht, ai tha se deklarata të ngjashme si kjo e Kurtit, ka pasur edhe nga liderët tjerë shtetëror.

“Deklarimet e tilla, si kjo e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pasur edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, kryetari i Parlamentit, ministri i Punëve të Brendshme si dhe ministri i Mbrojtjes.

Kemi pasur deklarime të ngjashme se ekziston rreziku i eskalimit të situatës së sigurisë dhe krejt kjo për shkak se Rusia dhe aleatët e saj janë të interesuar për destabilizimin e rajonit dhe se burim i këtij destabilizimi mund të jetë edhe Kosova, e sidomos pas veprimeve që kanë të bëjnë me vendimin për çështjen e gjenocidit në Srebrenicën e Bosnjës e Hercegovinës”, deklaroi eksperti.

Sipas Elezit, këto paralajmërime të Kurtit për rrezik të një lufte të re, duhet të merren parasysh sepse janë të rëndësishme.

Ai e ndërlidhi këtë me lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, dhe tentativat e kësaj të fundit për destabilizim të rajonit, respektivisht Kosovës.

“Në fakt, paralajmërimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, mund të konsiderohen si të rëndësishme dhe po ashtu duhet të merren në konsideratë, sepse besoj se i njëjti këto informacione i ka ndarë edhe me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë si dhe Inteligjencën ndërkombëtare, veçanërisht atë të NATO-s, e cila është në njohuri për zhvillimet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e gadishullit Ballkanik.

Por, në anën tjetër, këto deklarata të kryeministrit të Kosovës, nuk korrespondojnë me veprimet e tij, e pse i njëjti edhe duke e pasur parasysh faktin se Rusia me Serbinë si satelit të saj dhe aleatët e tjerë po përgatisin aktivitete të rënda të sigurisë, i njëjti ka vazhduar duke tentuar që të vendosë zbatimin e ligjit në veriun e Mitrovicës, pra në katër komunat me shumicë serbë, duke tentuar që të shtrijë sovranitetin dhe asnjëherë nuk ka marrë në konsideratë rrezikun që mund të vijë pikërisht për shkak të veprimeve të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë, pavarësisht faktit që Kosova ka nevojë të shtrij sovranitetin e saj, por jo në atë mënyrë që të provokojë edhe një eskalim apo të justifikojë veprimet e Beogradit zyrtare, të cilat veprime po mbështeten dhe po hartohen nga Rusia”, theksoi ai.

Më tej, eksperti tha se Kurti para se të jap deklarata të tilla është mirë që të komunikojë në mënyrë të drejtpërdrejt me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-në dhe NATO-n.

Krahas kësaj, ai foli edhe për mbylljen e bankës postare të Serbisë në veri.

“Këto deklarata nuk përputhet në fakt me veprimet e Kryeministrit të Kosovës për të krijuar rrethana dhe situatë të mirë apo situatë të duhur për krijimin e kushteve për paqe dhe jo të kundërten. Prandaj, mund të themi që Kryeministri i Republikës së Kosovës, se pasi kishte bërë veprime policore në katër komunat me shumicë serbe, me mbylljen e e bankës postare të Serbisë, e cila ka vepruar sigurisht në mënyrë të kundërligjshme, deklaroi se tani është në rrezik Ballkani nga një situatë e rëndë sigurie, por që veprimet e tij do të mundësojnë të justifikojnë aktivitete të dhunshme të serbëve lokale, ku të cilat aktivitete më pas do t’i mundësojnë strukturave kriminale dhe terroriste, e të cilat mbështeten nga Rusia, Serbia dhe partnerët e tyre për eskalimin e situatës së sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Prandaj, mund të themi se kryeministri Kurti para se të jap deklarata të tilla është mirë që të komunikojë në mënyrë të drejtpërdrejt me faktorin ndërkombëtar, e posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, për të marrë veprime të cilat nuk do të mundësojnë cenimin e situatës së sigurisë apo nuk do justifikojnë veprime të dhunshme të shteteve të dhunshme siç është Serbia, apo grupeve të tjera kriminale terroriste, të cilat mezi që presin arsyetimin për të marrë gjoja në duar të drejtat e serbëve dhe për të zbatuar vetë gjyqësi. Ngase, sipas tyre është Prishtina zyrtare e cila po e dhunon demokracinë dhe pamundëson qytetarëve serbë për veprimet më elementare siç janë çështja e transakcioneve dhe krijimi i kushteve ekonomike, siç janë pagesat e pensioneve apo edhe socialet që vijnë nga një shtet tjetër, në këtë rast nga Serbia”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

Shala: Rajoni i Ballkanit ka qenë një “fuçi baruti”

Image
Drizan Shala

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala tha se Perëndimi dhe Rusia tash e një kohë e kanë bërë Ballkanin si arenë të përplasjeve, se kush prej tyre do e shtrijë ndikimin më shumë në këtë rajon.

“Rajoni i Ballkanit ka qenë një “fuçi baruti” midis shteteve të saj por përveç kësaj ajo ka qenë edhe një arenë ku përplaseshin fuqitë e mëdha për të realizuar objektivat e tyre ekspansioniste të zgjerimit.

Perëndimi dhe Rusia garojnë midis tyre për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkan dhe secila e realizon këtë me mënyra dhe strategji komplekse”.

Eksperti në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi edhe rolin që Perëndimi ka pasur në Ballkan pas vitit 2000.

“Rusia ndeshet me një vështirësi të madhe për të penetruar në këto vende edhe pse me një të kaluar të përbashkët vendet e Ballkanit Perëndimor në pas vitit 2000 kanë qenë të ndikuara plotësisht nga Perëndimi, kjo ndoshta edhe për shkak të rendit botëror që ekzistonte por ndoshta edhe për shkak të rolit të madh dhe investimit që Perëndimi kishte për rajonin nëpërmjet politikës së integrimit që e ushtron BE-ja dhe politikës së zgjerimit të sigurisë që realizohet nëpërmjet anëtarësimit në NATO”, nënvizoi ai.

Në fund, potencoi ndikimin rus në rajon, ku paralajmëroi se lufta është duke trokitur në dyert tona.

“Në këtë mënyrë Rusia e ndierë e kërcënuar nga ky ekspansionizëm i Perëndimit drejt lindjes pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka arritur që drejtpërsëdrejti apo jo të prodhojë kriza në disa nga ish Republikat e Bashkimit Sovjetik si në Gjeorgji, Moldavi apo Ukrainë me aneksimin e Krimes.

Duke përdorur këtë strategji të një lufte jo lineare Rusia i bën presion Perëndimit për të mos u zgjeruar në zona të cilat kërcënojnë kufijtë historikë të saj. Në rajonin e Ballkanit, Rusia e ka të vështirë të ketë influencë por që lufta është duke trokitur në dyert tona dhe që Kosova duhet të bëhet gati!” – përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat