Presioni për themelimin e Asociacionit, vjen paralajmërimi: Të mbahet referendum popullor, Kosova e pësoi një herë kur..!

Politika

Presioni për themelimin e Asociacionit, vjen paralajmërimi: Të mbahet referendum popullor, Kosova e pësoi një herë kur..!

Nga: A.M. Më: 26 maj 2024 Në ora: 12:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një nga kërkesat kryesore të ndërkombëtarëve, por edhe të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në presion të vazhdueshëm nga BE dhe SHBA për të bërë hapa konkret që dërgojnë në themelimin e këtij Asociacioni.

Madje, Kosova u penalizua në rrugën e saj për në anëtarësim në KiE, shkaku i kësaj çështjeje.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Skënder Kapiti.

Së pari, ai tha se vetëm emërimi i Asociacionit është djallëzor dhe se një gjë e tillë rrezikon themelimin e një republikë autonome serbe brenda Kosovës.

“Vetëm me faktin se zgjedhja e kësaj emërtese si bashkësi e komunave me shumicë serbe është shumë djallëzore dhe i krijon kushtet e funksionimit si një republikë autonome serbe brenda Kosovës, që më vonë ajo të shpallë pavarësinë dhe bashkimin me Serbinë.

Dhe pyesim se, a do ta pranonte Serbia formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginën e Preshevës?

Dhe pse ish-politika dhe ish-pushtetarët në Kosovë nuk këmbëngulën herët dhe në kohë për një gjë të tillë, dhe as ndërkombëtarët nuk ia kërkuan Serbisë këtë gjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës?” – deklaroi opinionisti.

Kapiti kritikoi edhe qeverinë dhe opozitën e Shqipërisë, që nuk e mbështetën sa duhet Kosovën në kohën kur po përballet me presione të shumta për themelim të Asociacionit.

Image
Skënder Kapiti.

Në këtë rast, ai theksoi se Edi Rama ka mbësht çdo plan të Beogradit.

“Si është e mundur që as politika e Tiranës pozitë-opozitë nuk u shqetësuan dhe as nuk e mbështetën seriozisht Kosovën, kur për pushtetin dhe qeverinë e kryeministrit aktual të Shqipërisë, tashmë dihet botërisht se ka qenë në një linjë pro çdo plani të Beogradit, pro çdo presioni perëndimor për copëtimin e Kosovës dhe pro për lloj lloj kushtëzimesh e presionesh kundër saj, por jo se opozita  e bërë copash ka bërë ndonjë gjë në mbështetje të Kosovës përveçse ndonjë retorike mjerane e sipërfaqësore.

Edhe opinioni publik në Shqipëri nuk është se ka treguar ndonjë ndjesi dhe interesim për çfarë duhet bërë dhe mbështetur Kosova. Ndërsa, mediat televizive e gazetareske dhe intelektualët mediatikë e opinionistët as që u ka interesuar por madje kanë qenë dhe janë edhe në dëm të Kosovës, përveçse shumë rrallë, për të mos thënë se janë e numërohen me gishta”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, opinionisti e përmendi edhe faktin se si u penalizua Kosova me mosanëtarësim në KiE, pikërisht për shkak të Asociacionit.

Sipas tij, ky është një triumf i politikës së Kosovës mbi padrejtësitë e ndërkombëtarëve.

“Mosanëtarësimi i Kosovës në KiE nuk është dështim por është triumf i politikës dhe qeverisë së Kosovës mbi padrejtësinë edhe të atyre shteteve të cilat para 25 vitesh e çliruan Kosovën. BE dhe SHBA çuditërisht pas pavarësisë së Kosovës punuan kundër shqiptarëve me qëllim për një rikthim “paqësor” të Serbisë në Kosovë, duke përdorur lloj-lloj kurthesh, intrigash dhe eksperimentesh të padëgjuara më parë, siç është edhe Asociacioni, që do thotë formimi i një mini-shteti serb të botës serbe në Kosovë.

Që në vitin 2008 e kam porositur politikën kosovare në Librin tim “TRIUMFI I KOMBIT” se asgjë nuk u duhet dhënë serbëve të Kosovës më shumë se sa çfarë do të marrin shqiptarët në Kosovën Lindore”, shpjegoi Kapiti.

Më tej, ai kritikoi ish-qeveritë dhe ish-udhëheqësit e Kosovës, ku tha se kanë bërë shumë lëshime në dëm të Kosovës, kjo për qëllime dhe interesa personale.

Mesazh i tij ishte se Kosova është e para, më pas vijnë BE dhe KiE.

“Mirëpo, fatkeqësisht politika e Kosovës ra në dorë të injorantëve dhe të atyre që u mashtruan shumë lehtë dhe bënë gjithfarë lëshimesh në dëm të Kosovës vetëm për interesa personale pushteti dhe korrupsioni, pasojat e së cilës po i vuan sot Kosova. BE nuk ka pse të vendosë asnjë lloj kushti, dhe Kosova nuk duhet të tolerojë dhe të kapitullojë para kushteve e presioneve të BE-së me mos pranimin e Kosovës në KiE.

Kosova është e përjetshme dhe BE e KiE janë të përkohshme, dhe koha në të ardhmen nuk dihet se çfarë ngjarjesh sjell.

Kosova është e para dhe pastaj BE e KiE.

E pësoi një herë Kosova kur për liberalizim të vizave humbi 8100 hektarë tokë me Malin e Zi”.

Në fund, ai shtoi se shteti serb planifikon që më vonë Asociacionin ta përdor për ta bërë territory të tij.

Derisa, tha se zgjidhja e vetme e kësaj çështjeje është mbajtja e një referendum popullur, ku qytetarët do vendosnin a të formohet Asociacioni apo jo.

“Asociacionin me siguri që Serbia do ta përdorë më vonë për ta bërë territor të Republikës së Serbisë. Përderisa, mjerisht dhe shumë fatkeqësisht pro këtij asociacioni është edhe politika zyrtare e Tiranës si dhe opozita e dështuar e Kosovës së cilës i takon “merita” e sjelljes dhe e kthimi së kësaj gjendjeje dhe situate të dëmshme për Kosovën, atëherë zgjidhja do të ishte një Referendum popullor ku populli i Kosovës ta merrte përgjegjësinë për t’u shprehur mbi këtë sajesë antikombëtare të BE-së sipas planit serbo-sllav, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do ishte shpërblim për genocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat