Analistët komentojnë deklaratën e fundit të Haradinajt – ja pse rezultatet e zgjedhjeve nuk do t’i pëlqejnë opozitës!

Politika

Analistët komentojnë deklaratën e fundit të Haradinajt – ja pse rezultatet e zgjedhjeve nuk do t’i pëlqejnë opozitës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 maj 2024 Në ora: 09:56
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Mbajtja e zgjedhjeve tash e një kohë po mbetet kërkesë e opozitës.

Të vendosur që do të triumfojnë në këto zgjedhje, opozita në vazhdimësi po këmbëngul që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.

Është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i cili ka bërë edhe një parashikim të rezultatit për zgjedhjet e ardhshme.

Ai ka thënë se si opozita shpreson se do t’i ketë mbi 50% të votave.

“Besoj ne do të kemi mbi 50% të votave shqiptare, opozita do ti ketë e sigurtë atë, edhe besoj që jo vetëm që do të krijojmë qeveri por do t’i kemi 2/3, ta dimë me ec përpara, kjo është diçka që në demokraci tonë është e pranuar me Kushtetutë. Po aty është thelbi ne besoj që nëse i kemi gjysmën e shqiptarëve, realisht kjo është një pozicion i fuqishëm, ashtu sic e kishte Kurti dhe zonja Osmani. Nëse një qeveri e ka një shumicë solide të shqiptarëve nuk është qeveri e pakicës, realisht prej tyre është një momentum i mirë për të ec tutje”, tha Haradinaj.

Tutje, ai thotë se VV nuk është me ajo shpresa që ka figuruar dikur tek qytetarët.

Haradinaj tha se e shohin Lëvizje Vetëvendosje më poshtë se 40%.

Ai potencoi se AAK-NISMA do të synojë që t’i ketë rreth 30 deputetë.

Mirëpo, a do të ketë një përmbysje të tillë të rezultateve?

Ahmeti: Është shumë normale që opozita të rritet në votë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai e sheh normale një ngritje të votave për opozitën pasi sipas tij qeveria nuk mund t’i përmbush gjithmonë pritjet e qytetarëve.

“Është shumë normale që opozita të rritet në votë, pasi çdo herë pushteti mund të bëj gabime apo nuk mund t'i përmbushë pritjet e qytetarëve. Në rastin e Kosovës opozita një pjesë bukur të kohës nuk ka qenë konstruktive, por as e koordinuar në qëndrime. Mund të supuzojmë që opozita i merr 50% të votave, por ëshë një precedan që ka ndërtuar Gjykata Kushtetuese, ku subjekti fitues ka të drejtën për ta bërë qeverinë”, foli ai.

Më tej, analisti theksoi që qëndrimi i Haradinajt ka qenë më shumë për ta injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur se ku subjekti fitues ka të drejtën për ta bërë qeverinë.

Qëndrimi zoti Haradinajt ka qenë më shumë qëndrim politik, duke injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe po harron që kemi një opozitë të çakorduar në qëndrime”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Mehmeti: Fitorja më e madhe për AAK-në dhe Ramushin është kalimi i pragut

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që parashikimet e Haradinajt nuk janë reale, kjo pasi opozita nuk do të arrijë të kalojë në 50% të votave.

Image
Faton Mehmeti

Parashikimet e Ramushit janë fontan dëshirash jo parashikime reale, dhe si të tilla nuk meritojnë shumë vëmendje. Edhe në 2021 Ramushi dhe opozitarët tjerë ishin tallur me VV se nuk do të merrte as 30 %, realiteti e dëshmoi ndryshe. Në këtë kuptim, duhet theksuar se të tri partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK së bashku s’do të marrin vota sa VV e vetme dhe kjo është e sigurt”, theksoi ai.

Në fund, analisti nënvizon që deklaratat e Haradinajt nuk meritojnë vëmendje, është pasojë e frikës nga mos kalimi i pragut.

Kështu që, pavarësisht se sa merr VV e sigurt se merr më shumë se të tre partitë opozitare bashkë. Fitorja më e madhe për AAK-në dhe Ramushin është kalimi i pragut, dhe që është edhe shqetësimi kryesor i Ramushit. Deklarata e tij nuk meriton vëmendje, është pasojë e frikës nga mos kalimi i pragut”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat