Rezoluta që e ‘çmendi’ Vuçiqin - Kërkohet nga Kosova dhe këto dy shtete ta padisin Serbinë!

Politika

Rezoluta që e ‘çmendi’ Vuçiqin - Kërkohet nga Kosova dhe këto dy shtete ta padisin Serbinë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 maj 2024 Në ora: 16:47
Aleksandar Vuçiq

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.

Miratimi i kësaj rezolute u cilësua si një goditje e madhe për shtetin e Serbisë dhe presidentin e saj.

Madje, Aleksandar Vuçiq pas seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilën u miratua Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, tha se i “ka mbaruar karrierën dhe se nuk do t’i falen shumë gjëra”.

Vuçiq i mllefosur se dështoi në ndalimin e miratimit të kësaj resolute, erdhi me deklarata të tilla, kinse i ka përfunduar karriera politike.

“Kam mbyllur karrierën time këtu sonte. Shumë gjëra nuk do të më falin. Kjo ishte sikur gozhda në arkivolin tim. Unë bëra gjithçka, ata bënë gjithçka për të na poshtëruar dhe ne u ngjitëm në lartësi. Nuk mund të them se fituam sepse kjo është procedura, por është e qartë për të gjithë se cili është rezultati”, tha ai në një fjalim para gazetarëve në New York.

Presidenti serb njihet për deklarata kontraverse dhe provokuese, një e tillë del të jetë edhe kjo e fundit, pasi më shumë duket lojë e tij, për të tërhequr vëmendje.

E natyrisht që, pas këtij vendimi, Serbia do tentojë të nxisë konflikte në rajon, veçmas në Kosovë.

Mirëpo, a ka në plan diçka konkrete Vuçiqi për këtë gjë?

Preqi: Rezoluta e miratuar në OKB për Vuçiqin ishte vdekje për së gjalli

Image
Dedë Preqi

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli Dedë Preqi.

Së pari, tha se 23 maj është shënuar si një ditë historike, ku u përkujtua për tmerrin në Srebrenicë.

Po ashtu, përmendi edhe lobimet e Dodikut e Vuçiqit për të parandaluar miratimin e kësaj rezolutën, gjë e cila iu dështoi.

“23 maji, i këtij viti 2024, në Asamblenë e OKB, u miratua Rezoluta e gjenocidit, për të shënuar dhe përkujtuar çmendurinë njerëzore dhe tmerrin në Srebrenicë në Bosnje dhe Hercegovinë, që shkaktoi regjimi i Serbisë, me vrasjen dhe masakrimin e 8 mijë bashnjakëve, e cila ditë do të mbetet në historinë më famëkeqe dhe gjenocidiale që i dedikohet një populli të pafajshëm.

Edhe pse Serbia në krye me Vuçiqin dhe Republika Serpska, në krye me Dodikun, lobuan në mënyrë ekstreme pothuaj në gjitha vendet anëtare të kësaj organizate, nuk munden ta parandalojnë një iniciativë të tillë, prej 193 vendeve, ku shumica e tyre ishte në favor të saj, ndër të cilat 32 vende u bënë bashkë për ta sponzorizuar në krye me Gjermaninë dhe Ruandën, duke e hartuar edhe tekstin e saj.

Kjo Rezolutë e shpalli 11 korrikun, si Ditë Ndërkombëtare në përkujtim të viktimave gjenocidiale në Srebrenicë, ku u vranë 8 mijë njerëz të pafajshëm boshnjak nga kriminelët serbë në krye me Mlladiçin dhe Karaxhiqin, në vitin 1995”, deklaroi opinionisti.

Po ashtu, Preqi tha se Vuçiq e ‘humbi kontrollin’ pas seancës së OKB-së, ku me një veprim që bëri tregoi qartë se ishti një nga fajtorët kryesor.

“Edhe Ruanda e kishte pasë një fat të tillë në vitin 1994, në Afrikën Qendrore, gjatë një lufte civile, ku ekstremistat Hutu, vranë dhe masakruan 800 mijë njerëz të pafajshëm, dhe në vitin 2003, vendet anëtare të OKB, ndërmuarën një iniciativë që të formojnë një Rezulutë të ngjashme, duke shpallur 7 prillin, si Ditë Ndërkombëtare, në përkujtim të këtyre viktimave gjenocidiale.

Rezoluta dhe miratimi i saj në OKB, për gjenocidin serb, shkaktoi reagime të ashpëra nga vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili në ato momente në selinë e OKB, do ta humbte kontrollin, duke i ironizuar vendet që e mbështetën një vendim të tillë, duke u mbështjellur presidenti me flamurin e Serbisë, në një mënyrë, duke u mbrojtur me shpinë për tokë, që vetë fakti tregon se e kishte barrën kryesore mbi supet e tij dhe si një fajtor i drejtpërdrejtë”, theksoi ai.

Tutje, opinionisti foli edhe për deklaratën e Vuçiqit, ku tha se ka mbaruar karriera e tij politike, duke aluduar se ai po pret edhe një Rezolutë tjetër që i dedikohet masakrave të Kosovës.

“Edhe pse thuhet se kjo Rezolutë nuk i drejtohet askujt, por as Serbisë dhe Republikës Serbska, atëherë kundër kujt u miratua një Rezolutë e tillë, që vetë fakti tregon se për kë është ndërmarrë kjo iniciativë, që shkaktoi një tragjedi të tmershme njerëzore, që autorët e këtij gjenocidi dhe krimi ishin të lidhur drejtpërsëdrejti nga komandat e udhëheqjes serbe të Beogradit dhe Bosnjes.

Pas kësaj seance të miratuar në OKB, presidenti seb Vuçiq, përveç se ishte i revoltuar dhe si i çmendur, tha se, sikur ka mbaruar karriera e tij dhe se nuk do t’i falen shumë gjëra. Kjo i bie se Vuçiqi, e ka ditur se nga kjo Rezolutë nuk do të gjejë shpëtim, por e ka «mizën nën kapuq» se po e pret edhe Rezoluta tjetër, që i dedikohet popullit të pafajshëm shqiptar të Kosovës, në vitët 1998-99”, nënvizoi Preqi.

Në vazhdim, tha se qëllimet e presidentit serb janë të njohura, derisa tha se ndërkombëtarët po ia lëshojnë ‘frerët’ atij.

“Qëllimet e Vuçiqit, tani më janë të njohura, që ta fitonte këtë betejë dhe të tjerat do ti fitonte m’ë lehtë, por sikur tani ka përfunduar karriera e mashtrimeve dhe laberinteve të tija, dhe tani sikur nuk ka fytyrë të del në skenë para popullit të vet dhe atij ndërkombëtar, sepse do t’i bëhet me gisht dhe në historinë e njerëzimit do të shënohet si një Serbi gjenocidiale.

Serbisë dhe udhëheqjes së saj edhe sot i është lëshuar freri nga bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht nga vetë Evropa dhe SHBA-ja, duke ia lënë kërrpeshin nëpër këmbë, që të kurthohet vetë nëpër të, por nuk ndodhi ashtu, sepse është iluzion mendimi se veprimet e këqija mbetën «jashtë» atij që vepron dhe është bashkëpunëtor, por në të vërtetë veprimi i keq depërton edhe më gjerë, që prek deri në palcë, dhe nuk mund të parashikohet më se çdo të ndodhë…

Ndër të tjera, shtoi se kjo mund të ndikojë edhe në situatën e sigurisë në Kosovë, pasi Vuçiq do tentojë të krijojë trazira dhe ta destabilizojë Ballkanin.

Mund të themi se, mbase u është bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që për shkak të sigurisë të përmbahen këto ditë dhe mos të kalojnë pikat kufitare në mes Serbisë dhe Kosovës, përshkak se, shumica e serbëve të revoltuar nga kjo situatë, me agresivitetet e tyre, shkaktojnë edhe ndonjë trazirë të mundshme, prandaj sikur është i gatshëm rreziku i ngatërrimit të këtij ekstremizmi serb, i cili në bazë të urdhrave të Vuçiqit, dëshiron të krijojë mjegullirë dhe trazira të mundshme për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

“Lojërat e Vuçiqit dhe Dodikut, nuk do të përfundojnë siç mendohet, pa e trazuar Ballkanin, dhe për të krijuar ndonjë konflikt apo luftë të mundshme në Kosovë dhe Bosnje, për deri sa, bashkësia ndërkombëtare i lejon njërin dhe tjetrin të veprojnë dhe kërcënojnë fqinjët e tyre, sipas të cilëve mund të ndodhë jo vetëm ndonjë e papritur, por duke e vënë në rrezik një popullatë të tërë, dhe përsëritjen e Rezolutave të tjera”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Hasani: Kosovës mund të ushtrojë padi ndaj Serbisë

Ndërsa, profesori Refik Hasani e cilësoi se bashkëfajtor Vuçiqin në realizimin e gjoncidit në Srebrenicë.

Image
Refik Hasani

Ai përmendi një deklaratë të presidentit serb, derisa mirëpriti miratimin e rezolutës për gjenocid në OKB.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është bashkëfajtor për tragjedin e Bosnjë Hercegovinës, dhe gjenocidin në Srebrenicë.

“Për një serb të vrarë do t’i vrasim njëqind musliman’’, theksoi ALeksandar Vuçiq në fjalimin e njohur botërisht në foltoren e Parlamentit të Serbisë, në cilësinë e ministrit në kohën e luftës në Bosnjë Hercegovinës, gjatë kohës së kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq

Vërtet drejtësia ndërkombëtare, ka vonuar, por pasi ka triumfuar, është për t’u përshëndetur, dhe pasi rezoluta e miratuar për gjencodin në Srebrenicë nga OKB-ja, është një rrugë e trasuar se paditë e ushtruara nga Bosnjë e Hercegovina, e Kroacia do të shqyrtohen dhe shpallja e Srebrenicës se ka pasur gjenocid, e ndihmon që paditë, të jenë më bindëse nga gjyqi ndërkombëtar”, deklaroi profesori.

Po ashtu, tha se Kosova duhet të ushtrojë padi ndaj Serbisë për krimet dhe masakrat e kryera në luftën e fundit.

“Mendoj se Republika e Kosovës, mund të ushtrojë padi ndaj Serbisë në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, kështu ushtron të drejtën ndërkombëtare, dhe do të duhej intensifikuar në përgatitjen, sa më parë të parë të fillohet në përpilimin dhe dorëzimi i padi-së, në gjyqin ndërkombëtar, që do përgatitet duke kalkuluar dëmet e shprehura në valutën $ në miliarda, bilion e trilon dëme të shkaktuara.

Serbia në Republikën e Kosovës, ka ushtruar pastrim etnik e gjenocid jo vetëm nga viti 1998-1999, por që nga viti 1945-1999. Kujtoj vrasjet, pushkatimet, kolonizimet, dëbimet, shpërnguljet për Turqi, elabaratet, helmimi e nxënësve, studentëve, etj.” – shpjegoi ai.

Në fund, profesori potencoi se vetëm ushtrimi i padive ndaj Serbisë, mund ta disiplinojë atë dhe ta nxisë ndryshimin e qasjes ndaj shteteve të Ballkanit.

“Kurse Kuvendi i Shqipërisë, do të duhej përfshirë në proces parlamentar pas shqyrtimit për të miratuar draft-rezolutën, e deponuar më 31 maj të vitit 2022, ku kjo rezolutë ka të bëj për dënimin e krimeve, pastrimin etnik të Serbisë të kryera në Kosovë.

Vetëm ushtrimi i padive nga Bosnjë Hercegovina, Kroacia dhe Kosova, do ta disiplinonin Serbinë dhe do të fillon të ndërron qasjen ndaj gjithë ish-hapësirat e RSFJ-së, dhe këtë pjesë të Ballkanit.

Mendoj se jo nuk do të ketë cenim të sigurisë në Kosovë e Ballkan”, përmbylli Refik Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat