Zogaj: Janë bërë punë në dy mandatet e fundit e do të bëhen edhe në të ardhmen

Prishtina

Zogaj: Janë bërë punë në dy mandatet e fundit e do të bëhen edhe në të ardhmen

Më: 7 janar 2022 Në ora: 17:57
Alban Zogaj

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tregoi një anë tjetër të tijën duke gatuar pasta me pesto dhe me djathë.

Ai tregoi se vendosi të gatuante këtë ushqim, pasiqë është influencuar nga koha e studimeve të doktoratës në Itali, ku për pesë vite me radhë tregoi se ka jetuar i vetëm.

“Unë i kam pas dy mundësi me mbetë jashtë Kosovës, mundësia e parë ka qenë pas studimeve të mija në Angli, do të thotë unë studimet e magjistraturës i kam kryer në Angli dhe ka qenë gjithmonë një mundësi e artë që ti pas studimeve me mbetë me punë në Angli dhe me vazhdu jetën atje. Mirëpo në asnjë rast, as unë po as ata kolegët e mi që kemi qenë në studime në Angli nuk kemi shqyrtuar mundësinë me mbetë atje, gjithmonë e kemi pas një lloj vizioni dhe ideje, e dëshire me u kthy në vendin tonë, me u kthy në Prishtinë e me kontribu në Prishtinë.” u shpreh Zogaj.

Ai tha se beson që në këtë gjë ka ndikuar edhe fakti se për studime ka shkuar duke qenë i punësuar paraprakisht dhe kjo i ka dhënë një bazë të fortë që të shkollohet dhe të kthehet përsëri.

Tutje, i dyti i Komunës deklaroi se ekipin e kryetarit Përparim Rama e pret punë e madhe dhe sipas tij, janë bërë punë në dy mandatet e fundit e do të bëhen edhe në të ardhmen.

“Në shkurt të vitit 2020 unë e pata një ndryshim të madh të karrierës time dhe madje edhe të jetës. Deri në vitin 2020 isha duke punuar për një organizatë amerikane, e cila quhet Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe e kisha një punë shumë të mirë, një komoditet. Por në vitin 2020 Lumir Abdixhiku emërohet ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe më ftoi që t’i bashkohem ekipit të tij. Dhe gjërat lëvizën, ajo Qeveri nuk zgjati shumë, pas një kohe Qeveria ra, në qershor e dorëzuam detyrën dhe ambiciet politike filluan të lëvizin edhe të hyjnë në një rrugë të caktuar. Prej atij momenti fillova me të angazhohem më aktivisht në politikë.”

Zogaj shpjegoi se janë të interesuar të shtyjnë tutje planet dhe ato që i kanë në program për të përmirësuar jetën e qytetarit të Prishtinës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat