ORCA: Të hetohet Këshilli i Etikës për neglizhimin e rasteve të ngacmimeve

Prishtina

ORCA: Të hetohet Këshilli i Etikës për neglizhimin e rasteve të ngacmimeve

Më: 11 mars 2024 Në ora: 13:07
Foto ilustrim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) i ka quajtur të papranueshme vonesat e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës në marrjen e vendimeve për ngacmuesit, plagjiatorët dhe shkelësit.

Pas raportimit të KOHËS se një profesor dhe një asistent janë denoncuar për ngacmim e rastet i ka shuar Këshilli i Etikës, ORCA ka thënë se neglizhimi i rasteve duhet të hetohet “nëse është i qëllimshëm për të shpëlarë figurën e ngacmuesve seksualë”.

“ORCA është e shqetësuar me raportimin e medieve se Këshilli i Etikës së UP-së, duke neglizhuar dhe duke bërë një sërë shkeljesh procedurale e ka shuar rastin e ngacmimit seksual në Fakultetin e Edukimit. Këshilli i Etikës në vazhdimësi ka treguar pandjeshmëri ndaj rasteve të ngacmimeve në përgjithësi dhe ngacmimeve seksuale në veçanti siç ilustrohet më së miri me rastin e fundit. Vonesat 1-2 vjeçare në vendimmarrje janë mënyrë e rregullt veprimi e Këshillit të Etikës dhe janë të papranueshme, por në raste kaq të ndjeshme si ngacmimet seksuale ato bëhen të dëmshme për viktimat e ngacmimit seksual, universitetin edhe për gjithë shoqërinë. Ky lloj i neglizhimit duhet të hetohet nga organet e hetuesisë nëse është i qëllimshëm për të shpërlarë figurën e ngacmuesve seksualë”, thuhet në reagimin e bërë të hënën.

Sipas kësaj organizate, Këshilli vazhdimisht bën shkelje procedurale të mosnjoftimit të palëve.

Këshilli i Etikës në vazhdimësi bën shkeljen procedurale të mosftimit të palëve, moskthimit të përgjigjeve në kohë të arsyeshme administrative dhe marrjen e vendimeve shpëlarëse të plagjiatorëve, ngacmuesve dhe shkelësve të tjerë. Si i tillë ai duhet të mbahet para përgjegjësisë. Ka ardhur koha që Këshilli i Etikës të shkarkohet”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat