​Ulqinakët përshkojnë sheshet e kryeqytetit me këngë e valle

Prishtina

​Ulqinakët përshkojnë sheshet e kryeqytetit me këngë e valle

Më: 18 prill 2024 Në ora: 14:38
​Ulqinakët

Me veshje e këngë ulqinake janë përshkuar sheshet e Prishtinës. Ulqinakët falënderuan në këtë formë Kosovën që për vite me radhë i qëndruan besnik qytetit bregdetar. Të rinjtë e ansamblit “Teuta” kënduan e vallëzuan deri pranë sheshit “Skënderbeu”. “S’bashku n’Ulqin” është moto e sivjetme e sezonit turistik, ku premtohet miqësi e siguri për të gjithë kosovarët.

Drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, Qazim Hoxhiq tha se përveç promocionit, këtë vit dëshirojnë të falënderojnë të gjithë pushuesit nga Kosova.

"Ulqini këtë radhë në dallim nga vitet e tjera, ku gjithmonë kemi ardhur për të promovuar qytetin tonë, ne këtë radhë erdhëm që të falënderojmë të gjithë pushuesit e popullit të Kosovës në përgjithësi që ishin deri tani besnik në qytetin tonë të Ulqinit. Gjithmonë dihet se Ulqini ka mbi 60 për qind turistë kosovar, të cilët besnikërisht na keni vizituar", deklaroi ai.

Mbrëmjen e sotme, shton ai, se do të organizohet edhe një darkë tradicionale me 500 të ftuar.

"Vitin e kaluar kemi pasur 22 për qind më tepër turistë të regjistruar nga Kosova dhe kjo tregon që gjithnjë po shtohet vizita në qytetin tonë. Tregu kryesor i turistëve është Kosova dhe ne jemi këtu për të gjithë promocionin, për të gjithë besnikërinë dhe besoj që çdo kosovar, çdo qytetar i Kosovës i cili vjen në Ulqin, ai faktikisht vjen në qytetin e vet. Thjesht është një vëllazërim të cilin ne e kemi vazhduar. Turistët ditëve në vijim, është 'May Fest', kemi disa koncerte të cilat ende për shkak të kontratave nuk mund të flasim për emrat, ne do të kemi gjatë gjithë sezonit edhe majin e qershor, evenimente të ndryshme në të cilat pushuesit kosovarë do të kenë mundësi që të kënaqen në qytetin tonë", shtoi ai.

Sezoni turistik do të nis me festivalin “May Fest”, për të vijuar më pas edhe me shumë koncerte të tjera pranë bregdetit ulqinak.

"Më 25 prill fillon ‘May Fest’ deri më 28 prill. Ne sezonin turistik e hapim pikërisht në këto ditë, që quhet ‘Të gjithë për turizmin’. Pastaj në maj kemi ditët e Kublës, pastaj me 21 maj vazhdojmë me koncertet tjera që do të vazhdojnë gjithnjë gjatë sezonit turistik...Premtohet besnikëria, premtohet miqësia, premtohet sigurimi si çdo vit tjetër deri më tani. Evenimentet nuk do të mungojnë kurrë, kështu që ne gjithmonë ne jemi aty për risitë", përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat