Lushaku-Sadriu kërkon nga nxënësit të raportojnë dhunën në familje e shkollë

Prishtina

Lushaku-Sadriu kërkon nga nxënësit të raportojnë dhunën në familje e shkollë

Më: 19 prill 2024 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Me vendim të Komunës së Prishtinës, të premten në orët e para të mësimit në të gjitha shkollat e ciklit të mesëm të ultë dhe të mesëm të lartë të Kryeqytetit janë mbajtur ligjërata sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore.

Me këtë rast, nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku – Sadriu, që njëherësh është edhe drejtoreshë e Arsimit, ka mbajtur një ligjëratë mbi këtë temë në një nga klasat e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Lushtaku-Sadriu ka thënë se është e rëndësishme që edhe nxënësit të kenë rolin e tyre në familje duke kërkuar dialog e duke raportuar dhunën që mund të ndodhë brenda shkollave.

Ajo ka thënë se para se të ndodhin vrasje, është e rëndësishme që t’i shpallet luftë dhunës. “Është e rëndësishme që edhe ju me e marr një rol në familje, edhe ju me kërkua dialog, me kërku përgjigje prej prindërve, edhe problemet tuaja janë probleme të prindërve. Kur flasim për dhunën në raste ekstreme flasim për fenomene edhe se femicidi është akti kur gratë vriten vetëm se janë gra”.

“Statistikat po tregojnë që gratë po vriten kur ka dhunë në familje. Nuk ka arsye në botë që duhet me e egzistu që dikush e ka të drejtën me ia marrë jetën dikujt tjetër. Jo vetëm që janë vra gratë, por edhe fëmijët kanë mbetur pa nënë. Për këtë është tepër mirë që edhe në shkolla me pas dialog dhe me diskutu që fenomeneve të tilla me ju shpallë luftë një herë e përgjithmonë, mos me pranu si prezente. Vrasja vjen edhe si konsekuencë e dhunës së përhershme në familje. Prandaj para se me ndodh vrasja, duhet gjithmonë dhunës m’i shpall luftë dhunës, edhe mos me pranu që në familjet tona me pas dhunë ndaj asnjë anëtari të familjes”, ka thënë ajo.

Psikologja e shkollës, Besarta Murtezi, u shpreh se është e rëndësishme që brenda familjes të trajtohen edhe dhuna psikike e emocionale që shkaktohet. Kjo pasi sipas saj, tek ne rastet trajtohen vetëm pas dhunës fizike.

“Para 15 viteve kemi bërë një hulumtim të madh në nivel të Kosovës në UP në Fakultetin e Psikologjisë edhe bashkë me rrjetin e grupeve të grave të Kosovës e kemi përsëritur pas 10 viteve të njëjtin hulumtim krejt Kosovën për dhunën në familje në baza gjinore. Para 15 vite ka qenë ekstrem e shprehur dhuna në familje, hala më shumë se sa që është e dukshme, mirëpo ka qenë dhunë psikologjike, emocionale përveç fizikes. Tek ne ka fatkeqësisht e marrin vetëm kur ndodh fizikja, sepse shkon të vrasja e e marrin se çka ka ndodhur, në ekstrem ka dhunë psikologjike dhe emocionale nëpër familjet tona”, ka thënë ajo.

Mbajtja e këtyre orëve mësimore është bërë me qëllim që ti shërbejë sensibilizimit të nxënësve në frymën e respektimit të rolit të vajzave dhe grave në familje e shoqëri, si dhe për parandalimin dhe ndaljen e dhunës ndaj tyre.

Ky vendim i Drejtorisë së Arsimit të Kryeqytetit vjen pas rasteve të fundit të vrasjeve të grave në vendin tonë.

Me këtë rast gjatë kësaj ligjërate nga nxënësit dhe të pranishmit u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të grave të vrara në vend. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat