Pallati i Rinisë dhe i Sporteve ndër vite ka qenë adresa kryesore e zhvillimit të ngjarjeve sportive, si vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare. Por, duke ditur se objekt është ndërtuar në vitet e 70-ta, nevoja për ta rinovuar dhe për ta përshtatur atë me kërkesat sportive të ditëve të sotme është mjaftë e madhe.
Kryeshefja e Pallatit të Rinisë, Mrika Gashi, ka thënë se momentalisht problemet brenda pallatit janë të shumta, por që së fundi kanë nisur disa investime në sanimin e kësaj gjendje.
Gashi: Pallati ka shumë probleme, nevojiten shumë investime
“Problemet janë të shumta, ndërtesa është e vjetër që daton prej viteve të 75-80-ta ndërtimi i saj. Normal që duhet riparime të vazhdueshme, tani vetëm e kemi pasur një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për investim në rinovimin e pjesës së palestrës. Nevojat janë të shumta, nuk është e mjaftueshme, por sado kudo një rinovim i vogël që së bashku që edhe ne kemi kontribuar në atë pjesën e asaj, por shumicën ministria e ka rregulluar pjesën e dyshemesë”, tha Gashi.
Gashi shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit, bë funksion të Lojërave Mesdhetare 2030, do të bëhet rinovimi total i pallatit.
Gashi: Në bashkëpunim me MKRS-në, do të rinovohet komplet Pallati i Rinisë
“Në fakt me organizimin e Lojërave Mesdhetare duhen parapërgatitje dhe përgatitjet e duhura për vitin 2030, kështu që e nënshkruam memorandumin e përbashkët. Në kuadër të memorandumit parashihet të bëhet komplet renovimi i pjesës sportive të Pallatit të Rinisë, duke u nisur prej sallës universale, pjesa tjetër salla e vogël e sportit dhe pjesët tjera ku aktivitetet klubet që ushtrojnë në pjesën sportive...Meqenëse nuk e kemi lënë të limituar, varësisht prej nevojave të pallatit për renovime, ata do t’i bëjnë këto investime”, theksoi më tutje Gashi.
Ajo ka bërë të ditur se shifra që pritet të investohet do të jetë rreth 75 milionë euro.
Gashi: Rreth 75 milionë euro do të investohen në Pallatin e Rinisë
“Në bazë të parallogoritjeve që shihet dhe kalkulimeve që janë bërë, në një far forme nuk janë të sakta, por unë siç e mendoj, janë rreth 75 milionë euro investime nëse e mendojmë për renovimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë. Normal që në bazë të diskutimeve që i kemi pasur me Ministrinë e Kulturës, shuma arrin diku në 40 milionë euro, por gjithsesi për këtë informatë ministria është kompetente në të cilën ata mund të përgjigjen më saktësisht. Po, siç thash në fillim, nuk do të jetë e limituar, në bazë të nevojave mandej ne mund të zgjerohet kërkesa jonë si pallat pasi që do të rinovohet edhe pllatoja, edhe pjesa e kulturës”, bëri të ditur Gashi.
Si drejtuese e pallatit, Gashi ka bërë thirrje që investimet që do të bëhen të jenë të standardeve ndërkombëtare dhe sipas nevojave të komunitetit sportiv.
Gashi: Investimet e reja duhet të jetë me standarde ndërkombëtare
“Në fakt do të bëhet projekti më i detajuar i pjesës dhe anës sportive sepse duhet ta kemi një projekt të detajuar për investimet dhe projektimet që do të bëhen në vijim. Unë mendoj që është e domosdoshme edhe pjesa e grupit punues pasi që standardet evropiane tërësisht kanë ndryshuar edhe ne duhet faktikisht të i përshtatemi kushteve ose standardeve të kërkuara nga federatat sportive. Unë mendoj që në të ardhmen do të ketë edhe pjesa e klubeve sportive që do t’i japin komentet dhe sugjerimet e tyre për nevojat e tyre, pasi që ata çdo ditë vijnë në pallat dhe ushtrojnë aktivitetet e tyre dhe është e domosdoshme edhe mendimi i tyre që t’i plotësojmë në të ardhmen nevojat e tyre”, shtoi Gashi.
Në fund, Gashi bëri të ditur se është duke punuar fuqishëm që Pallati i Rinisë në të ardhmen të pavarësohet edhe në aspektin ekonomik dhe t’i ketë projektet vetanake në të mirën e sportit.