Tregtarët po punojnë në kushte shumë të këqija për vite me radhë në Tregun e Gjelbër të kryeqytetit. Komunarët kanë premtuar se ndërtimi i tregut të ri do të nisë së shpejti, por projekti ende nuk ka përfunduar e nuk është tenderuar. Opozita në Prishtinë dyshon se një projekt mund të realizohet.
Rrahim Gervori është tregtar nga Prishtina në Çarshinë e Vjetër. Ai tash e sa vite përballet me kushte të pafavorshme pune. E për të edhe ky premtim për ndërtimin e tregut të ri, duket të jetë i parealizuar.
''As në Bangladesh nuk është më keq, kanë vetëm premtime, prej kohës së Ismet Beqirit si kryetar e deri te Përparim Rama e kanë folë, e nuk është realizu, këndej vinë veç kur është koha e votave'', deklaroi Gervori.
Si Gervori mendojnë edhe kolegët e tij.
''Kushtet janë shumë të mjerueshme, po e sheh kushtet e tmerrshme janë, çdo kryetar që ka ardhur ka lyp votë, së fundmi nuk ka bo kurrëgja, është problem kështu se nuk po vinë konsumatorët sepse kushtet janë katastrofë', deklaroi tregtar Remzi Menxhiqi.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës thotë se projekti i ndërtimit të tregut është drejt finalizimit ani pse nuk kanë akoma një afat kohor.
''Jemi në dizajnim final me arkitektin e qytetit, është vonuar pak projekti, por në momentin që vjen ne e tenderojmë dhe e përcjellim tutje. Do t’i plotësojë të gjitha kushtet'', deklaroi Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve kapitale, në komunën e Prishtinës.
Por, dilema për realizimin e këtij projekti ka Partia Demokratike e Kosovës, parti opozitare në komunë të Prishtinës.
''Dyshoj që janë të qëllimshme dhe jo teknike'', tha Muhamet Selmani nga PDK.
Premtimin për ndërtimin e një tregu të ri e pati dhënë Përparim Rama në programin e tij qeverisës si kryetar i komunën e Prishtinës.