Aksion kundër borxhlinjëve në Prishtinë: Mos me pagu ujin është turp

Prishtina

Aksion kundër borxhlinjëve në Prishtinë: Mos me pagu ujin është turp

Më: 15 maj 2024 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka ndërmarrë një aksion në ditën e sotme, për shkyçjen nga sistemi i ujit për të gjithë qytetarët dhe bizneset të cilët nuk kanë paguar faturat e ujit të pijshëm. Qindra euro është vlera e borxheve të cilët nuk janë kryer nga konsumatorët në zonën e Prishtinës.

Sipas zëdhënëses së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjekut, ky aksion është ndërmarrë me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve për ta paguar ujin e pijshëm, ngase sipas saj, kjo gjë ka kosto të lartë edhe për kompaninë dhe është e papranueshme sesi bizneset vazhdojnë të mos e përfillin pagimin e ujit të pijes.

Mjeku: Mos me pagu ujin është turp, me çel biznes dhe mos me pagu uji është e papranueshme

“Mos me pagu ujin është turp, me çel biznes edhe mos me pagu ujin është e papranueshme për ne si kompani, sepse çdo trajtim të ujit që e bëjmë dhe e shërbejmë tek konsumatorët është një kosto mjaft e lartë e trajtimit të ujit”, tha Mjeku.

Ajo ka theksuar se çdo konsumator i cili ka disa fatura të papaguara ose që kanë qasje ilegale në rrjet, do të shkyçen menjëherë nga sistemi i ujit dhe lënda e tyre do të shkojë në përmbarim e pastaj edhe në gjykatë, derisa potencon se vjedhja e ujit është vepër penale.

Mjeku: Çdo konsumator mbi tre fatura të papaguara do të shkyçen nga furnizimi me ujë të pijshëm

“Çdo konsumator që i ka tre faturat të papaguara e lartë do të shkyçen nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe lënda e tyre do të shkojë tek përmbaruesit privat. Në moment që tek një konsumator nuk paguan për shërbime dhe i gjejmë kyçje ilegale automatikisht do të bëjmë kallëzim penal, sepse vjedhja e ujit në forma të ndryshme është vepër penale e cila dënohet deri në tre vite burgim”, ka shtuar zëdhënësja e KRU Prishtina.

Për Mjekun është e paprecedentë sesi bizneset nuk e paguajnë ujësjellësin, ndërsa konsumatorët me paga të ulëta ose me kushte të vështira të jetesës janë pagues të rregullt të tyre, por ajo shton se rastet sociale bëjnë përjashtim në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pavarësisht borxhit që mund të kenë.

Mjeku: Rastet sociale bëjnë përjashtim në ujësjellës edhe nëse kanë borxh deri 1000 euro

“Ka shumë raste që ndoshta jetojnë me një pagë të vogël dhe janë paguesit më të rregullt të shërbimit të ujit, zakonisht rastet e tilla janë kur kanë biznese që kanë dhe nuk paguajnë për fatura ndërsa rastet që jetojnë me një pagë të ulët, ata janë pagues të rregullt të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe me të vërtetë kjo është për turp, sepse është shërbimi më i lirë dhe pa të nuk ka jetë...Tolerime mund të ketë vetëm në rastet sociale, ne mund të hasim në një rast ku ka borxh deri në një mijë euro mirëpo raste sociale ka përjashtime sepse nuk i prekim rastet sociale”, ka shtuar Mjeku.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës i menaxherit për kontroll dhe shkyçje, Kushtrim Zeneli, ka paralajmëruar se çdo konsumator që nuk lejojnë ekipet e Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”, të kenë qasje në ujëmatës do të marrin masa më të rënda, siç është shkyçja nga rrjeti kryesor i ujësjellësit.

Zeneli: Nëse konsumatori nuk lejon qasje tek ujëmatësi ose s’ka marrëveshje, shkyçet nga rrjeti kryesor i ujit

“Nëse ky (konsumatori) nuk lajmërohet, nuk bënë marrëveshje ose nuk na lejon qasje tek ujëmatësi atëherë ne do të detyrohemi me marrë edhe hapa të tjerë siç janë shkyçja prej rrjetit kryesor të ujësjellësit me bager”, ka thënë Zeneli.

Zona në të cilën është zhvilluar ky aksion ishin disa biznese dhe prona private në Rrugën B të kryeqytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat