Rreth 350 biznese kosovare dhe nga diaspora kanë marrë pjesë në panairin e bizneseve e organizuar nga rrjeti global i bizneseve shqiptare, të cilat kanë prezantuar punën e tyre dhe kanë eksploruar potencialin për bashkëpunim.
Në mes të bizneseve që prezantuan punën e tyre, ishte edhe Komuna e Prishtinës, e cila prezantoi projektet kryesore që janë të ndërlidhura me partneritetin publiko-privat. Sipas tyre këto biznese mund të organizohen dhe të investojnë në kryeqytet.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj përmes KosovaPress-it, fton të gjitha bizneset e mëdha të diasporës të investojnë edhe në Prishtinë, i cili e konsideron si një mundësi të jashtëzakonshme.
Zogaj: Kemi biznese shumë të mëdha të diasporës të cilat janë duke kontribuar edhe për Kosovën
“Po prezantojmë projektet kryesore të cilat janë të ndërlidhura me partneritetin publiko-privat, kemi një mori projektesh, një numër të madh të cilat dëshirojmë t’i prezantojmë para bizneseve shqiptare, edhe ato mund të organizohen mes vete e të investojnë në kryeqytet. Një prej projekteve është hapësira tek tulltorja, e cila është pronë e jona komunale, i kemi bërë edhe projektin të gatshëm dhe duhet një investim nga sektori privat, në mënyrë që të kemi një bashkëpunim publiko-privat. Diaspora po luan një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Tash kemi biznese shumë të mëdha të diasporës të cilat janë duke kontribuar edhe për Kosovën, por edhe në vendet ku funksionojnë. Ne duhet të kemi një lidhje të jashtëzakonshme me këto biznese, sepse ato e zhvillojnë Kosovën dhe i ftojmë të gjitha këto biznese të mëdha tash të diasporës të investojnë edhe në Prishtinë, sepse kemi mundësi të jashtëzakonshme”, ka thwnw Zogaj.
Pjesë e këtij panairi ishte biznesi “Majanca Plast” e cila bën shitjen e mjeteve ndërtimore në Luginën e Preshevës.
Udhëheqësi i shitjes, Viktor Shkodra ka theksuar se është një biznes i madh në aspektin ekonomik dhe në taksa e cila ka 80 punëtorë dhe që bën bashkëpunime edhe me diasporë.
Shkodra: Kushtet çdo ditë po shkojmë duke i përmirësuar edhe për punëtorët
“Jemi një biznes mjaft i madh edhe në aspektin ekonomik edhe në taksa, punësim të njerëzve ndikojmë sepse nëse i mbledhim bashkë në Kosovë janë më shumë se 40 punëtorë edhe në Luginë duke e përfshirë edhe fabrikën janë mbi 80 punëtorë tek ne nëse flasim edhe në ekonominë familjare në zhvillim, kushtet çdo ditë po shkojmë duke i përmirësuar edhe për punëtorët. Rregullisht bashkëpunojmë, por edhe në diasporë meqë eksportojmë prodhimet e tona kemi mjaft bashkëpunim edhe me biznese të huaja dhe shqiptare”, ka theksuar Shkodra.
Ndërkaq, kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Lazim Destani ka thënë se rrjeti ka ditur të fitojë besimin në diasporë dhe kompanitë vendase, por duhet të punohet më shumë që të jenë të bashkuar, sepse po mungon në mesin e bizneseve.
Sipas tij, në Kosovë duhen të formohen dy kompani të cilat mungojnë, një kompani ajrore nacionale shqiptare dhe banka nacionale shqiptare.
Destani: Kemi ditë në diasporë ta fitojmë besimin edhe në kompanitë vendase ku veprojmë dhe punojmë
“Mes rrjetit njoftohen kompani ndërmjet vete, çofshin më shumë edhe shqiptare, sikur sot që është numri me qindra kompani të ardhura nga diaspora, por edhe vendase ku njihen ndërmjet vete edhe interesi i përbashkët i bashkon. Po ashtu, edhe me investitorë të huaj, rrjeti është i shpërndarë në shumë shtete dhe secili shtet ka shumë partnerë bizneseve tona afarizmit tonë ka kontakte të mëdha gjithandej dhe për mendimin tim është një sukses shumë i madh. Ne shqiptarët jemi shumë të suksesshëm vetjak kështu në vete, nuk na e kalon askush mendoj. Por edhe një pjesë tjetër se ne kemi ditë në diasporë ta fitojmë besimin edhe në kompanitë vendase ku veprojmë dhe punojmë, duhet shumë të punojmë të dimë të bashkohemi me njëri tjetrin, kjo pak na mungon se nganjëherë kur bëhemi bashkë diçka na ndalet funksionimi dhe duhet ta luftojmë që bashkimi është fuqi dhe ta gjejmë formën që mos të na kthehet prapa. Ideja dhe mendimi im është edhe mes rrjetit të bizneseve të diasporës edhe mes ndihmës funksioneve shtetërore të formohen dy kompani të cilat na mungojnë neve shqiptarëve, njëra është kompania ajrore, pse mos të kemi ne shqiptarët një kompani nacionale shqiptarë si për Kosovën dhe Shqipërinë, gjithmonë fluturojmë me kompani të huaja dhe pse mos të kemi bankën nacionale shqiptare, nuk është vështirë të realizohet sepse kemi biznesmen të fuqishëm ku mund buxheti të sigurohet dhe të gjenden ekspertë për udhëheqjen tyre ku vetëm duhet organizimi dhe dëshira”, ka thënë Destani.
Përfaqësuesi i rrjetit global për degët në Evropë, Yll Blakaj ka theksuar se rrjeti po mundohet që të hap dyert bizneseve të Kosovës në Gjermani.
Blakaj: Kosovës sa më shumë që të hapim dyert në tregun gjerman ky është suksesi jonë
“Besoj që diaspora ka ndikuar shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe ndikon hala më tutje..35:58 Ndikon edhe rrjeti, është shumë një organizim i mirë, dhe ne po mundohemi përmes rrjetëzimit, unë flas për unionet e bizneseve të Gjermanisë që të hapin dyert bizneseve të Kosovës në Gjermani. Duhet të kemi bashkëpunim ne si shoqatë jemi të organizuar tash e kemi hapur edhe një zyre në Prishtinë, kemi bërë anëtarë këtu edhe në Kosovë. Sa më shumë të organizuar, kemi bashkëpunim me biznese të Kosovës, sa më shumë që të hapim dyert në tregun gjerman ky është suksesi jonë”, ka theksuar Blakaj.
Ky panair i bizneseve shqiptare dhe të diasporës u mbajt më 17-18 maj.