Pishina e vetme publike del në ofertim për operatorët privatë

Prishtina

Pishina e vetme publike del në ofertim për operatorët privatë

Më: 27 maj 2024 Në ora: 14:44
Pishina e Gërmisë

Pishina e vetme publike në vend, ajo e Gërmisë, ka dalë në ofertim për operatorët privatë.

Ndërmarrja “Sport Marketing” në Komunën e Prishtinës ka shpallur “kërkesë për ofertim për menaxhimin e pishinës dhe shërbimet hoteliere në Pishinën e Gërmisë në Prishtinë”, ani pse njëherë autoritetet komunale kanë lënë të hapur mundësinë që ajo të mos hapet fare këtë sezon.

Sipas njoftimit, shpallja e publikuar më 15 maj do të shtyhet deri më 27 maj në orën 12:00.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Petrit Reçica, ka reaguar ndaj vendimit që pishina të menaxhohet nga një kompani private.

Sipas tij, pishina e Gërmisë është e qytetarëve të Prishtinës.

“Veç te ne ndodh që një aset të ndërmarrjes me këqyr me bankrotu e mandej me ua dhënë në shfrytëzim dostave. Vitin e kaluar na patën lodhë krytë me tri trame valak të bazenit të Gërmisë, thua ti çka bënë, mandej mburreshin se si i ka pasë afër 20 mijë vizitorë. Sivjet paskan vendosë me e dhënë te një operator ekonomik dhe atë me kontratë dyvjeçare, me çfarë preteksti ende nuk kanë tregu”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se fakti që kjo thirrje është vendosur vetëm në web të ndërmarrjes, lë dyshime se pse është fshehur kjo thirrje për tenderim.

Emisioni “038” pati raportuar për planet e komunës që këtë vit të mos hapet fare pishina e Gërmisë.

Nënkryetari Alban Zogaj në një prononcim për emisionin pati thënë se kjo mund të ndodhë për shkak të mirëmbajtjes që duhet bërë dhe numrit të vogël të pjesëmarrësve gjatë verës së kaluar.

“Stafi  i ndërmarrjes është duke e bërë një analizë se a është në gjendje që të hapet këtë vit Pishina e Gërmisë dhe a ia vlen të hapet. Pas atij raporti që do ta pranojmë, i cili do të jetë një analizë finale, do të marrim vendimin se a do të hapet apo jo. Ekziston mundësia që të mos hapet fare pishina për shkak të numrave të vegjël të pjesëmarrësve gjatë vitit të kaluar dhe për shkak të investimeve që duhet bërë e po ashtu edhe për shkak të aspektit të sigurisë në këtë pishinë. Mirëpo pas një analize ne do të marrim një vendim final në lidhje me këtë çështje”, pati deklaruar ai.

Me guaskë të lyer, investime në amfiteatër dhe në terrenin sportiv, renovim të tualetit, shtretër për relaksim, gjelbërim të shtuar, si dhe me kënd të ushqimit dhe aktivitete të shumta artistike për të gjitha grupmoshat, Pishina e Gërmisë ishte atraksioni i vitit të kaluar.

Megjithatë qytetarët për të hyrë në pishinë kanë paguar 4 euro, kurse për shtretërit me ngjyra e po ashtu edhe për çadrat e thjeshta kanë paguar ekstra.

Vitin e kaluar kjo pishinë është hapur më 29 qershor.

E për dallim nga viti i kaluar, kur vera ishte me temperatura të ulëta e reshje shiu, kjo verë pritet të jetë e nxehtë dhe tashmë ka shënuar rekord të temperaturave të larta që në prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat